“Samit” te Tomori, jepen rrogat para Turbinës. Drejtuesit: Fatale po nuk fituam në Cërrik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2019 | 17:01

“Samit” te Tomori, jepen rrogat para Turbinës. Drejtuesit: Fatale po nuk fituam në Cërrik

Mbledhje te Tomori. Klubi po bën gjithçka për të karikuar grupin para transfertës më të rëndësishme të sezonit, atë që do të luajnë të shtunën me Turbinën. Siç ishte bërë e ditur, pasditen e djeshme drejtuesit kanë zhvilluar një takim 60-minutësh me lojtarët.

tomori

Barazimi i marrë ndaj Elbasanit ka lëkundur jashtëzakonisht pozitat e mbijetesës, pavarësisht besimit që beratasit kanë që mund t’ia dalin. Dhe me të drejtë, për aq kohë sa matematika ua lejon. Gjatë këtij “samiti”, futbollistëve u është dhënë garanci edhe nga ana financiare, teksa në mesjavë do t’u kalojë edhe paga e muajt prill.

Mbushja e xhepave para kësaj sfide do të karikonte ndjeshëm grupin. Gazeta është munduar që të zbardhë gjithçka është thënë gjatë mbledhjes, e cila nisi në orën 16:30. “Ne jemi të kënaqur me atë çfarë treguat përballë Elbasanit. Kur goli nuk do të hyjë në rrjetë, nuk kemi çfarë bëjmë. Askush prej nesh nuk mund të dalë kundër fatit. Për mënyrën sesi rrodhi kampionati, ne po njësoj do të udhëtonim në Cërrik.

Nga një pikë, duhet të marrim tri. Nuk kemi çfarë të humbasim. Duhet të luajmë pa presion dhe të nxjerrim ndeshjen e sezonit, pasi në të kundërt do të ishte fatale. Po këtë javë do t’iu kalojmë edhe pagat e muajit të kaluar, pasi ne besojmë ende te ju dhe me shpresën se do t’ia dalim në fund. Klubi ynë nuk bën kompromise. Do të jeni ju ata që do ta dërgoni topin në rrjetë”, u tha nga klubi.

ERIS SYLYKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"