Rudi Vata: Nuk do ketë futboll sa të jetë Duka, as fëmijët nuk pësonin dy gola në fund si Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2017 | 11:49

Rudi Vata: Nuk do ketë futboll sa të jetë Duka, as fëmijët nuk pësonin dy gola në fund si Vllaznia

I drejtpërdrejtë, deri diku therës dhe pa doreza. Rudi Vata e thotë hapur: Në Shqipëri nuk do të ketë futboll të pastër, për aq kohë sa në drejtimin e këtij sporti qëndron Armand Duka dhe ekziston një sistem që e ka futur këtë sport në halle të mëdha.

Rudi-vata

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare dhe ish-trajneri i Vllaznisë flet për atë që po ndodh me kampionatin shqiptar dhe mbi të gjitha për sfidën mes korçarëve dhe shkodranëve. Edhe për këtë ka një mendim të hapur: As fëmijët 12-vjeçarë nuk do të pësonin 2 gola në minutat e fundit dhe Cicmil nuk është fajtori i vetëm. Sipas tij, rezultati u përcaktua nga një grup.

Rudi, çfarë po ndodh me kampionatin shqiptar në këto javët e fundit?

Po më pyet për kasaphanën… Akoma ju bën përshtypje se çfarë po ndodh në Shqipëri. Situatë kaotike, e cila mund të ndryshojë vetëm kur të ndryshojë kreu. Kur vdiq Enver Hoxha, “vdiq” edhe komunizmi në Shqipëri, kështu që kur të largohet kryetari i sistemit, ndoshta mund të largohet edhe e keqja e futbollit. Them ndoshta sepse pas Enverit erdhën Saliu dhe Nano, të cilët instaluan antivlerat. Antivlera që i kanë krijuar këto halle të mëdha Shqipërisë.

Halle, të cilat duket se shkojnë paralelisht edhe me futbollin… E keni ndjekur atë që ka ndodhur me Skënderbeun dhe Vllazninë?

Unë kam diskutuar ditën e djeshme me disa miqtë e mi dhe kam parë mënyrën se si janë shënuar golat e Skënderbeut, në minutat e fundit shënuan dy gola sepse Vllaznia po fitonte. Unë kam një djalë 12 vjeç që luan futboll dhe normalisht në aspektin e përgjithshëm të futbollit edhe sikur të luanin burrat kundër fëmijëve nuk mund të shënohen dy gola në një hark kohor kaq të shkurtër.

Me lojë normale, Skënderbeu ndoshta do t’u shënonte këtyre fëmijëve vetëm një gol, dy, jo. Edhe mua m’u duk jashtë logjikës normale të zhvillimit të futbollit. Kjo gjë duhet analizuar dhe u përket aktorëve, trajnerit të Vllaznisë dhe drejtuesve për të nxjerrë futbollistët që morën pjesë në këtë akt të shëmtuar.

Trajneri Cungu pas ndeshjes akuzoi mbrojtësin Cicmil dhe tha se nuk do të jetë më pjesë e Vllaznisë. A mundet që vetëm një lojtar të përcaktojë rezultatin e kësaj ndeshjeje, apo thjesht ishte një “kokë turku”?

Nuk mundet të gjykoj dhe të them në mënyrë absolute që ky lojtar është i vetëm, por nuk mundet që vetëm njëri të zbatojë një plan, për më tepër në minutat e fundit të ndeshjes sepse plani mund të dështonte. Kjo është e planifikuar dhe për ta zbatuar këtë plan duhet një grup. Ky grup mund të përbëhet minimumi nga katër ose pesë persona. P

enalltia në limit mund të humbet për shumë arsye, rasti i fundit mund të humbet për shumë arsye, në qoftë se bëhet e vështirë nga dhjetë lojtarët e tjerë. Por nuk është çudi e madhe që ndodhin këto fenomene në futbollin shqiptar. Skënderbeu është i përfolur në të gjitha instancat europiane dhe përfaqësuesit e ekipit korçar do të quheshin “doktorë” në situata të tilla, jo profesorë, por doktorë.

Çfarë ndodh që në Europë dënohen (në rastin konkret Skënderbeu), ndërsa në Shqipëri duket sikur ka një mburojë dhe askujt nuk i intereson kjo gjë?

Nuk i intereson sistemit, sepse në atë mënyrë është i ndërtuar. Sistemi ka një kryetar dhe kryetari është Armand Duka. Unë nuk kam asgjë personale me të, por sistemi që ai drejton është i tillë. Unë kam pasur eksperiencën time si trajner i Vllaznisë dhe këto probleme kanë ekzistuar që atëherë. Unë i kam reklamuar, por askush nuk bëri asgjë.

I denoncova edhe në ditën e fundit si trajner i Vllaznisë, por nëse FSHF-ja do të kishte interes për të sulmuar fenomenin, do të kishte hetuar dhe do të merrte masa. Nuk ndodhi asgjë, edhe pse ky burri që e tha ka qenë kapiten i ekipit kombëtar, ka punuar dhe ka luajtur në 6-7 vende të Europës. Unë e thashë për futbollin, jo për Rudi Vatën. Këtyre burrave nuk u interesoi aspak, sepse janë aktorë që marrin pjesë në një valle, e cila drejtohet me radhë nga të gjithë. Orkestra dhe muzika është gjithmonë e njëjtë.

GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"