Rroca dhe Jakovljeviç, një mister te Luftëtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2018 | 13:29

Rroca dhe Jakovljeviç, një mister te Luftëtari

Teksa Luftëtari vijon përgatitjet për ndeshjen me Tiranën, në kampin bluzi shqetësim më vete është mungesa e dy lojtarëve me peshë. Fjala është për fantazistin lushnjar, Eduart Rroca dhe qendërmbrojtësin serb, Ivan Jakovljeviç. Nëse për 25- vjeçarin lushnjar Rroca, nga infermieria e Luftëtarit vijnë lajme të mira, e njëjta gjë s’mund të thuhet për shtatlartin e mbrojtjes bluzi, Jakovlejviç.

gavazaj-jakovljevic-470x313

Në periudhën e pushimeve verore, ai iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale në një prej klinikave të kryeqytetit, pas dëmtimit të pësuar në gjurin e djathtë në fundin e sezonit të shkuar. Bëhet fjalë për një dëmtim jo të lehtë në gju (fërkim i pateles me kartilagun), që e mban larg fushës së blertë serbin Jakovljeviç.

Burime konfidenciale për gazetën bëjnë me dije se operimi i qendërmbrojtësit serb në Tiranë nuk ka rezultuar i duhuri dhe kësisoj mbetet për t’u mësuar nëse serbi do t’i nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje apo jo. Burimet pranë stafit mjekësor as pohojnë, por dhe as mohojnë mundësinë e një tjetër ndërhyrjeje në gjurin e djathtë të Jakovljeviçit. Me rikthimin e mbrojtësit nga vendlindja e tij Serbia, me të gjitha gjasat, Jakovljevci do të udhëtojë drejt Greqisë për ekzaminim special, pse jo dhe për një operim të mundshëm, nëse do të kërkohet një tjetër ndërhyrje kirurgjikale.

roca

RROCA
– Duket se rikuperimi i plotë i mesfushorit Eduart Rroca do të marrë dhe pak kohë për t’u hedhur pas “krahëve”. Mesfushori është duke vijuar terapi individuale kryesisht palestër dhe ashtu si është shprehur më herët për “Panorama Sport”, këto ditë ai do të bashkohet me grupin për të qenë i gatshëm në fillim të tetorit.

Rroca mbetet pa dyshim “ura” lidhëse e reparteve të Luftëtarit, mungesa e të cilit është ndier jo pak në lojën e gjirokastritëve në këto tri sfida të luajtura. Ndërkaq, dje gjirokastritët kanë vijuar përgatitjet në fushën sportive të Derviçianit me kontingjent të plotë. Për fatin e mirë të stafit teknik të gjithë futbollistët gëzojnë kondicion të mirë fizik dhe priten të jenë të gatshëm për dy sfidat e radhës, atë me Vorën për Kupë dhe Tiranën për kampionat.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"