Rrëfimi i gazetarit vlonjat: Ju tregoj mëkatet e ndeshjeve Flamurtari-Tirana në vitet 96-97

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2020 | 22:55

Rrëfimi i gazetarit vlonjat: Ju tregoj mëkatet e ndeshjeve Flamurtari-Tirana në vitet 96-97

“Episode dhe fakte për ndeshjet mes Flamurtarit dhe Tiranës të 15 majit 1996 për finalen e Kupës dhe 12 gushtit 1997 për llogari të kampionatit”. Kështu e nis rrëfimin e tij gazetari i mirënjohur vlonjat, Moisi Dalipi, për historinë e takimeve të kontestuara 23 dhe 24 vite më parë, të dy të luajtura në kryeqytet. “Panorama Sport” ka marrë ditët e fundit dëshmi nga protagonistë të atyre ndeshjeve, madje edhe vetë ish-shefin e sektorit të garave në FSHF, Besnik Çela. Megjithatë, komentatori i emisionit emblematik “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, tregon atë që sipas tij është e vërteta.

Moisi-Dalipi-1

FINALJA NË 1996-ën

Flamurtari dhe Tirana në sezonin 1995-1996 kishin siguruar daljen në finalen e Kupës së Shqipërisë. Kjo ndeshja është zhvilluar më 15 maj 1996, ora 18:00 ne stadiumin ‘Qemal Stafa’, në prani të 9500 shikuesve. Flamurtari drejtohej nga trajneri Bejkush Birçe dhe në atë kohë sposorizohej nga Ferdinad Kamberi dhe Shkëlqim Selami. Skuadra vlonjate kishte në përbërje futbollistë cilësor jo vetëm nga Vlora. Emra si Alban Bushi, Sokol Prenga, Leonard Perloshi, por dhe “gardën e vjetër” me Arapin, Daullen dhe Tahon. Tek Tirana kapiteni Minga ishte pikë referimi për gjithçka. Përballë ishin dy rivale të vjetra dhe të denja për njëra-tjetrën, duke marrë parasysh ndeshjet mes tyre të viteve 1980-1991. Gjyqtar ishte Luan Zylfo.

1
                              Arbitri Luan Zylfo (i dyti nga e djathta)

Pjesa e parë u mbyll 0-0. Flamurtari shënoi në mimutën e 69-të me anë të Viktor Daulles, ndërsa në minutën e 72-të barazoi Tirana me anë të Nevil Dedes. Stafi drejtues dhe tifozët e Flamurtarit protestojnë për prekje të topit me dorë nga Dede. Për gjyqtarin Zylfo goli është i rregullt. Kundërshtimi nga kampi vlonjat është i ashpër, deri atje sa skuadra kërkon të braktisë fushën lojës. Nderhyrja e shefit klubit, Skënder Ibrahimi dhe trajnerit Bejkush Birçe, ka rikthyer skuadrën në fushë. ‘Pranuam të vazhdonim ndeshjen, sepse kishim frikë për ndonjëë ndëshkim dhe më të rëndë nga Federata’, – kujton trajneri Birçe. Deri në fund të kohës rregullt rezultati nuk ndryshoi. U luajt edhe koha shtesë, por përsëri nuk ka fitues. Përcaktimi i fituesit do të bëhej nga gjuajtja e penalltive. Për Tiranën shënojnë Alimehmeti, Minga, Ruhi dhe Malko, ndërsa e humbet Kukli. Për Flamurtarin shënojnë Bushi, Muka dhe Vito dhe e humbasin Perloshi dhe Driza. Pra, rezultati perfundmitar pas penalltive ishte 4-3 për Tiranën. Për atë gol të barazimit të bardhebluve, tani së fundi autori Dede shprehet se ‘edhe mund të ketë qenë kështu, por nuk e mbaj mend se ka kaluar kohë e gjatë”. Por, pas asaj ndeshjeje zemërimi i vlonjatëve ka qenë i madh, por fakti që Tirana është edhe fitues i titullit kampion, bën që atë sezon edhe Flamurtari si finalist të marrë pjesë në Kupën e Kupave. Kjo bën që zemërimi i vlonjatëve të ulet”, shkruan fillimisht Moisi Dalipi.

3

LARGIMI I BIRÇES DHE KUPA ME PARTIZANIN

Përpara se të niste sezoni 1996-1997, Flamurtari luan dy ndeshje në Kupën e Kupave, por eliminohet pas dy humbjeve. Për këtë, gazetari Dalipi shkruan: “Shorti e vendos Flamurtarin ne turin e parë përballë skuadres sllovake Chemlon-Humene dhe ndeshjet e zhvilluara më 8 gusht 1996 në Humene dhe 22 gusht 1996 në Tiranë, japin shifrat e dy humbjeve 1-0 dhe 0-2. Pas këtyre ndeshjeve jep dorëheqjen nga drejtimi skuadrës trajneri Bejkush Birçe dhe në krye të Flamurtarit vjen Leonidha Curri dhe Petro Ruci.

petro
                                                          Petro Ruci (q) 

Skuadra përforcohet në merkaton verore me prurje cilësore si Alliu, Haxhiraj, Paço e të tjerë. Kampionati sezonit 1996-1997 përbehej nga 18 skuadra dhe do të zhvillohej me dy faza. Në përfundim të fazës së parë renditja është kjo: Flamurtari 37 pike (penalizuar 4 pikë), Tirana 34 pikë, Vllaznia 33 pikë, Apolonia 31 pikë, Partizani 31 pikë dhe Shkumbini 26 pikë. Ne muajin shkurt 1997, kur skuadra si Partizani, Lushnja, Flamurtari dhe Dinamo e shikonin veten në gjysmëfinale të Kupës, bëhej gati që më pas të niste faza e dytë e kampionatit. Shpërthimi i revoltës popullore të fajdeve në Vlore solli ndalesën e detyrueshme të kampionatit. Pritej që gjendja të qetësohej dhe kampionati të fillonte. Shumë qytete të pjesës qëndrore dhe jugore të vendit nuk afronin kushte për zhvillimin e ndeshjeve. Në muajin maj 1997 në Tiranë dhe Durrës zhvillohen ndeshjet gjysmëfinale të Kupës, ku Partizani në kryeqytet fiton me Lushnjën 2-1 dhe Flamurtari në “Niko Dovana” mund Dinamon me rezultatin 2-0. Flamurtari në këtë ndeshje drejtohej nga trajnerët Latif Gjondeda dhe Rrapo Taho.

Gjondeda Latif
                                         Latif Gjondeda dhe Rrapo Taho (pas)

Trajneri Curri dhe ndihmësi tij Ruci, së bashku me mbrojtësin brazilian, Bedagi, por edhe futbollistë të tjerë të skuadrës ishin larguar në Greqi. Presidenti Selami e takonte rrallë skuadrën, por Gjondeda në kushte tepër të vështira zhvillonte stërvitje me ata pak futbollistë vlonjat që kishin mbetur në skuadër. Shumë nga futbollistët e tjerë ishin larguar pranë familjeve të tyre dhe nuk zhvillonin stërvitje me skuadrën. Në qershor 1997 në stadiumin ‘Qemal Stafa’ zhvillohet ndeshja finale e Kupës, ku Partizani është fitues i saj, pasi e mund 5-4 me penallti Flamurtarin, ndërsa 90 minutat kishin përfunduar 2-2. Rikthimi futbolistëve vlonjatë në Vlorë ishte e vështirë, ndaj një pjesë menduan të zhvillojnë stërvitje në kryeqytet ose pranë skuadrave të qyteteve të tyre. Në këtë kohë tre futbollistë vlonjat Daniel Xhafaj, Shpëtim Ymeraj dhe Arnold Çipi kanë pasur një perplasje me disa ushtarë të Gardës, të cilët i kërkonin shkaqet e revoltës së Vlorës edhe tek futbollistët e Flamurtarit.

KAMPIONATI NË TIRANË DHE NDESHJA E FAMSHME

4

Moisi Dalipi vijon rrëfimin e tij për kampionatin që vazhdoi me “play-off” në Tiranë. “Në muajin korrik 1997, FSHF vendos që kampionati do të zhvillonte ndeshjet me sistem grumbullimi në qytetet Tiranë, Elbasan dhe Kavajë, ku 18 skuadrat do të ndaheshin në tre grupe me nga 6 skuadra. Flamurtari kishte shume largime nga radhët e tij, por afrimet nga ekipet e të rinjve formatonin një skuadër premtuese. Në ndeshjen e parë Flamurtari barazon 2-2 me Shkumbinin. Gjithsesi, në javët në vazhdim me shumë interes pritej ballafaqimi Tirana–Flamurtari. Ishte 12 gusht 1997, ora 17:00 në ‘Qemal Stafa’. Çdo fitore për secilën skuadër do të thoshte fitim i titullit kampion. Pak përpara ndeshjes mësohet se kjo ndeshje ishte besuar për t’u drejtuar nga gjyqtarë të Shkodrës: Astrit Isufi kryesor, Rrok Nushi dhe Astrit Dervishi anësor dhe Fatbardh Maçi gjyqytar i katërt. Por, pak përpara se të fillojë ndeshja ndryshon gjyqtari kryesor (gjoja ka ardhur me vonesë në stadium) dhe në vend të tij caktohet Luan Zylfo i kolegjiumit të kryqytetit. Vlonjatët protestojnë, por marrin garanci për gjykim të paanshëm nga ‘kopetenti’ i federatës, përgjegjësi i garave, Besnik Çela.

Besnik cela
                                                             Besnik Çela 
Pjesa e parë përfundon 0-0 me një penallti të pamerituar, por të parealizuar nga Tirana. Në pjesën e dytë, në mimnuten e 47-të, Fortuzi shënon për Tiranën. Vlonjatët reagojnë dhe goli barazimit dukej se po afrohej. Në minutën e 82-të, sulmuesi Perloshi pengohet në zonë dhe Flamurtari kërkon penallti. Vlonjatët rrethojnë gjyqtarin duke protesutuar. Stadiumi përkrah skuadrën vlonjate. Hidhen shashka, tymuese dhe sende të forta në fushë. Flamurtari braktis fushën e lojës, sepse skenari fuksionojë më së miri, duke ia hequr Flamurtarit të drejtën për të fituar titullin kampion.

Tani kur kanë kaluar afro 24 vjet nga ajo ndeshje po dalin në shesh edhe mëkatet, ku vetë ‘kopententi’ Çela e ka pranuar se goli barazimit të Tiranës në finalen e Kupës më 15 maj 1996, mund të jetë i shënuar me dor. Mirëpo, Çela nuk dha një përgjigje të saktë për penalltinë që nuk ju është akorduar vlonjatëve në ndeshjen e 12 gushtit 1997 për kampionat dhe përse u ndryshua gjyqtari pak minuta përpara fillimit… Dhe këto ‘mëkate’, por edhe të tjera si këto që kanë ndodhur jo pak në këto dekadat dhe vitet e fundit në futbollin shqiptar, siç duket në këto ditë të ”ngujimit popullor” ka ardhur koha të rrëfehen ashtu siç kanë ndodhur, për të qenë të ‘pastërt’ përpara se virusi Covid-19 të infektojë mendjet”, mbyll rrëfimin Dalipi.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"