Rrëfehet Latif Amadu: Teuta për Europë, Hakaj si Marselo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2018 | 20:22

Rrëfehet Latif Amadu: Teuta për Europë, Hakaj si Marselo

Latif Amadu ishte heroi i Teutës në fitoren kundër Kamzës, pasi rrjeta e tij u dha tri pikët e para bregdetarëve në kampionat. Në tërësi ekipi durrsak bëri një performancë të mirë, por qershia mbi tortë ishte goli i 25- vjeçarit, i cili shfrytëzoi asistin e shkëlqyer të mbrojtësit Esin Hakaj. Latif shfaqet i lumtur për golin e parë, por theksoi se fitorja ishte me e rëndësishme. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ai zbulon përse e festoi golin me Rizvanin.

latif

Një gol shumë i rëndësishëm që i dha skuadrës fitoren e parë. E prisnit të shënonit?

Në çdo gjë që bëj, unë falënderoj trajnerët, kolegët dhe tifozët. Pa ata nuk do të kishte qenë e mundur. Unë dua t’i falënderoj të gjithë për mbështetjen që më japin. Dua t’ia dedikoj golin familjes së madhe të Teutës dhe dua t’ju siguroj që, siç e përmenda në intervistën e fundit, ne synojmë Ligën e Europës. Isha i bindur se do ta fillonim rrugën tonë me fitore ndaj Kamzës për të mos u ndalur më.

A ishte nën presion skuadra?

Nuk kishim aspak presion, pasi kishim bërë dy ndeshje të mira dhe fitorja do të vinte patjetër. E kishim përgatitur me kujdes ndeshjen dhe unë kisha shumë besim se do të fitonim. Ne fituam, por duhet ta harrojmë këtë fitore edhe të përqendrohemi te ndeshja e radhës me Kukësin. Do të punojmë fort dhe unë e di që do të marrim një fitore tjetër, pasi e theksoj se Teuta do të jetë një ekip që do të kualifikohet për në Europë. Jam i bindur për këtë gjë.

Një gol mjaft i bukur, por edhe Hakaj dha një krosim të shkëlqyer. Çfarë i thatë pas golit?

Sigurisht, Hakaj është një lojtar shumë i mirë. Unë personalisht e quaj Marselo. E di që kur ai e ka topin në vijë, do krosojë, prandaj mundohem të jem brenda zonës. Ndonjëherë goli vjen dhe ndonjëherë jo, por unë nuk heq dorë. Unë do vazhdoj të bëj maksimumin, sepse Teuta është skuadra e zemrës, është ekipi që dua më shumë.

Mund të themi se pas këtij goli jeni zhbllokuar?

Unë ju thash në intervistën e fundit se futbolli është një proces, pasi shënon një gol vazhdojnë vijë të tjerët. Do të vazhdoj të përpiqem, por edhe nëse nuk shënoj, do të jap maksimumin dhe sado të mundohen të më ndalojnë, do vazhdoj të mundohem të shënoj.

A ju solli fat mjekra?

Mendoj se fatin e sjell Zoti. Unë i lutem të më japë mundësinë që të bëj atë që di ta bëj më mirë dhe inshallah gola të tjerë do të vijnë pas këtij.

Ju folët më Rizvanin pas golit dhe festuat edhe me atë. Cila ishte arsyeja?

Ai erdhi tek unë pak para ndeshjes dhe më tha se kishte vënë bast me dikë te Kamza që unë do të shënoja, kështu që kur shënova, shkova për të mbajtur premtimin. Normalisht, qëllimi i një sulmuesi duhet të jetë të shënojë gol, por për mua më e mira është që fillimisht të fitojë Teuta, e pastaj unë të shënoj gola.

Drilon Xhepollari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"