Rikthehet kapiteni Agolli: Të shijojmë sa më shumë ndeshjet me Spanjën dhe Italinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2017 | 18:01

Rikthehet kapiteni Agolli: Të shijojmë sa më shumë ndeshjet me Spanjën dhe Italinë

Ansi Agolli ka lënë pas dëmtimin që pësoi në ndeshjen ndaj Maqedonisë dhe mbrëmë është kthyer përsëri në fushën e lojës, pas tre javëve pushime të detyruara. Futbollisti u kthye në kohë për të luajtur një ndeshje të veçantë për të, debutimin e tij në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, ku Karabak u vu përballë Romës.

Agolli Karabak

“Ishte ndeshja ime e parë në grupet e Ligës së Kampioneve. Është një emocion mjaft i madh të luash në këtë kompeticion të rëndësishëm të Kupave të Europës. Ndjehem mjaft mirë, dhashë maksimumin tim që të ndihmoja skuadrën”, u shpreh Agolli për “SuperSport”, pas një ndeshje ku pavarësisht humbjes 2-1 përballë italianëve, ai u vlerësua shumë pozitivisht për lojën e tij.

“Ishte një ndjenjë mjaft e mirë pasi të luash në grupet e Champions ka qenë një ëndërr e hershme e imja, mundohem të jap më të mirën, nga ndeshja në ndeshje, të luaj çdo ndeshje si finale. Të ndihmoj skuadrën sepse kështu mund të japësh më të mirën”, tha Agolli i cili pranon se nuk është ende në maksimumin e tij.

Agolli

“Besoj se e kam kaluar dëmtimin dhe dalëngadalë do marr edhe formën më të mirë. Ishte vetëm ndeshja e parë pas dëmtimit, të dielën kemi një duel për kampionat shumë të rëndësishëm për skuadrën. Pastaj do të mendoj për dy sfidat me kombëtaren, ndaj dy ekipeve mjaft të mira.

Agolli

Janë dy ndeshje mjaft të vështira, siç e dini të gjithë kemi përballë skuadra mjaft të forta. Duhet të zbresim në fushë dhe japim më të mirën tonë, nuk kemi çfarë të humbim nga këto dy përballje. Duhet të fitojmë sa më shumë eksperiencë, të luajmë sa më të bashkuar me njëri-tjetrin dhe t’i shijojmë këto dy sfida, pavarësisht se përballë do të kemi dy skuadra mjaft të forta”, tha kapiteni i përfaqësueses shqiptare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"