Rënia e Sportklub Tiranës dhe “merkatoja e janarit”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2013 | 12:01

Rënia e Sportklub Tiranës dhe “merkatoja e janarit”

DizdariNga BESNIK DIZDARI
Kam përshtypjen se dy dhe vetëm dy “probleme” po sundojnë gjithë këto javë fatet, dukuritë, përsiatjet, “tregimet”, shqetësimet, “propagandimet” e Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë. Madje deri në mërzi. Natyrisht, rënia e skuadrës së cilës Anton Mazreku i thoshte “Sportklubi”, pra skuadrës së kryeqytetit, është e qartë si drita e diellit. Sportklub Tirana (shkurt SK Tirana) renditet e 12-ta! Federata Shqiptare e Futbollit dhe gjithë komentatorët e quajnë renditje në vend të fundit, për shkak të numrit të paktë të skuadrave pjesëmarrëse. Dhe i tillë është tash për tash, sepse vitin e ardhshëm vendi i fundit do të jetë thjesht i 10-ti.
E kjo me largësinë prej 9 pikësh me vendin shpëtimtar, që është ai i 8-të, duket se formacioni kryeqytetas e ka të vështirë të kapërcejë ylberin. Ndonëse janë edhe 17 javë, e për 17 javë çka nuk mund të ndodhë. Mund të ndodhë që “të luajnë mendsh” përnjëherë Vllaznia, Bylisi e Besa dhe të humbasin 5 herë rresht. Mund të shpërthejë Sportklub Tirana e të fitojë po 5 herë rresht. E ndoshta mund të ndodhë edhe më e logjikshmja: që FSHF-ja të ndërrojë skemën e kampionatit dhe në janarin e ftohtë 2014 të marrë përsipër ndryshimin e madh: të vendosë shtimin për stinën e ardhshme të numrit të skuadrave nga 12 në 16, natyrisht përmes ndeshjeve kualifikuese midis katërshes së fundit të kampionatit aktual me ndonjë katërshe a gjashtëshe të kampionatit të dytë. Nuk besoj se e ka këtë guxim (sidoqoftë, këte do ta përimtojmë një herë tjetër). Në të vërtetë një ndryshim kësisoji, në mes të kampionatit në rrugë e sipër, Shqipëria e ka bërë disa herë. Duket që nuk është shumë serioze kjo, po “qëllimi justifikon mjetin”. Dhe më thoni: çfarë serioziteti ka që të përjashtohet kryesisht për shkak të rregullores së flakjes tej të një të tretës së skuadrave, bie fjala, emra të tillë si SK Tirana apo Besa, e së fundi edhe Vllaznia, e cila mbas 3-0 katastrofal në Laç iu afrua edhe ajo “ferrit” të egër të rënies?
I kthehemi skuadrës tiranase. Them se duhet lënë e qetë, në punën dhe problemet e veta tejet të rënda, doemos. Nuk i shërben përmendja tash e parë e rënies, sepse kjo duket që krijon emocione të frikshme përditë. Në fund të fundit, le të lihet që ta përjetojë dramën e vet me qetësi dhe jo nën trysninë marramendëse të gjithë kësaj zhurme të pandalshme…
Çështja e dytë duket se është ajo që është emërtuar si “merkato e janarit”. E shndërruar në temën tjetër të ditës, “merkato e janarit” është shndërruar në publicistikë, në mendim, në shpëtim, në hare e gëzim. Dihet, “merkato” (në origjinal “mercato”) nuk është shqip. Eshtë italisht dhe “Zingarelli” e përkthen kësisoji: “Vend ku mblidhen shitësit me mallin e tyre, për të bërë kontrata dhe për t’u marrë vesh. Grumbullim i herëpashershëm i shitësve me mallin e tyre për me u marrë vesh për shitjen. Në ekonomi nënkupton një sistem të bazuar në konkurrimin e lirë. Vjen nga latinishtja “mercatus”, “mercaru” – “me tregtue”.
Gjakimi (pasioni) për ta përdorur pa ndalë këtë fjalë të italishtes duket se papritmas shumëkujt thuajse ia mbush mendjen se është fjala për të famshmin “mercato del calcio Italiano”. Kur në të vërtetë fjala është thjesht për “mercato del calcio Albanese”, të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë pra, që për kah niveli është poshtë vendit të 45-të të Europës së 54 kampionateve, meqë u shtua edhe Gjibraltari me 30.000 banorë. Natyrisht, edhe me votën e FSHF-së sonë, e cila kujton se jemi bindur që po lufton për pranimin në UEFA të Kosovës!…
Qysh më 1895, Patër Jak Jungu i Shoqnisë Jezu të Shkodrës, në fjalorin e tij “pionieristik” që i bën nder të pamatë linguistikës shqiptare, “mercato-s” i thotë shqip “treg”. Edhe pse ishim nën sundimin e Perandorisë Osmane që i thoshte “pazar”, ose arabisht “bazar”. Sot, gati 120 vjet mbas shqipërimeve të Jungut, kanë vërshuar fjalët e huaja, edhe në gazetarinë sportive, sidomos në TV, ngaqë kujtojnë se kjo tregon kulturë, ndonëse është kundërkulturë ose padije (injorancë) e zotërimit të gjuhës amtare, në këtë rast të gjuhës shqipe. Kështu pra: “merkato e janarit”, për mua “tregu i janarit”…
Këtu kërkohet shpëtimi i të gjitha skuadrave të Shqipërisë, ndoshta edhe i Skënderbeut të Korçës, i cili kryeson me 7 pikë ndryshim dhe që është skuadra e cila ka përdorur vetëm 18 lojtarë: më pak se asnjë tjetër. Kur SK Tirana, të cilën e rrên mendja se do ta shpëtojë “merkatoja e janarit”, ka aktivizuar plot 30 lojtarë! Vetëm në 16 ndeshje! Do ta shpëtoka “merkatoja e janarit” dhe në fund të kampionatit ajo do të vendosë rekordin e lojtarëve të aktivizuar në krejt historinë e Shqipërisë, ndoshta deri të nja 50 a 60 lojtarësh, a kushedi se sa! Ndërkaq, pyetja më interesante që të lind, është kjo tjetra: ku do t’i gjejë lojtarët për t’i blerë? Madje ku do t’i gjejnë këta lojtarë të gjitha skuadrat, sepse të gjitha po thërrasin fort: “merkato e janarit”!
Skënderbeu, që i ka më të mirët, nuk besoj se do të lëshojë ndonjë, teksa është pranë barazimit të rekordit të Sportklub Tiranës (1934, 1936, 1937, 1939) dhe të Dinamos (1950, 1951, 1952, 1953) – të vetmet nga 4 herë rresht Kampione të Shqipërisë. [Si historian i këtyre punëve, unë (dhe jo vetëm unë) përfshij edhe titujt e kampionateve të Luftës, sepse skuadrat e djemtë tanë i kanë luajtur dhe fituar ato kampionate, jo Italia fashiste] Nuk besoj ndërkaq, se skuadrat e tjera të sotme kanë kaq firma të mëdha lojtarësh sa t’iu turret për t’i rrëmbyer SK Tirana. Ndoshta kjo do të gjejë lojtarë jashtë Shqipërisë, çka duket e pabesueshme kur kujton situatën e saj financiare.
Mirëpo, nuk është vetëm skuadra kryeqytetase që shpreson te “merkatoja e janarit”. Me përjashtim të Skënderbeut, skuadrat e tjera dhe trajnerët e tyre përditë nuk harrojnë të përmendin synimin për te “merkatoja e janarit”. Po si nuk e kuptojnë se duke e përmendur kaq fort këtë “merkato” (joshqip), lojtarët, që i kanë tash për tash në formacion, fillojnë e mendojnë se “mos po më largojnë mua e mbes pa punë”? Dhe, natyrisht, mundet që të mos u bëhet fort vonë për rezultatin e ndeshjeve të ditës. Eshtë një psikologji e tanë shkatërrimtare, që vjen prej sindromës “merkato e janarit”!…
Cila do të ishte zgjidhja?
Shqipëria të mos ketë “merkato të janarit”. Nuk ka çka i duhet futbollit dhe kampionatit modest të Shqipërisë. E kemi pa gjithë këto vite se si kjo “merkato” nuk ia ka shpërblyer mirëfilli thuajse asnjë skuadre. Skuadrat shqiptare, me paqëndrueshmërinë e tyre naive, kanë nevojë mû për qëndrueshmëri. Shembulli më kuptimplotë është Skënderbeu i Korçës, harmonia e të cilit është arritur edhe me mbajtjen fort mbas vetes thuajse katër vjet pa ia nda, të këtij grupi lojtarësh e titullarësh: Shkëmbi, Shehi, Fagu, Souza, Bici, Arapi, Muzaka, Radas, Dimo, Tomiç, Gvozdenoviç, Tahirllari, Pejiç, S.Lilaj, Orelesi…
Në 16 janar 2004 kam botuar “tregimin e jetuar” me titullin “Java e parë e Kampionatit 2004- 2005, duhet anuluar”. Pat ndodhur që dy lojtarë, Billa e Zëre, kishin luajtur në të njëjtën javë me dy skuadra të ndryshme (Partizan e Egnatia) mû prej idiotësisë së “merkatos” brenda, pra gjatë zhvillimit të kampionatit. Sot e kësaj dite më vjen keq që nuk kam fituar ndonjë çmim letrar me këtë “tregim”, sepse ai tregon një ngjarje që midis 209 shteteve anëtare të FIFA-s, ka ndodhur vetëm në Shqipëri.
Më mbeti në mendje ajo çka tha trajneri i SK Tiranës, Gugash Magani, deri para pak i Teutës. “I uroj suksese Teutës, – tha ai, – për deri te titulli kampion, sepse një pjesë e këtij suksesi do të më takonte edhe mua”. Kështu ngaqë po të fitojë titullin Teuta, Shqipëria do të vendoste një tjetër rekord europian: trajneri i skuadrës që mund të dalë nga kategoria, Magani i SK Tiranës, do të ishte edhe bashkëtrajner Kampion i Shqipërisë me Teutën. Nuk do të dinte se ku duhej të shkonte në ditën e fundit të kampionatit: te ceremonia e titullit të Teutës apo te joceremonia e rënies së SK Tiranës…
Do t’ia kalonte edhe rastit të Rrogozhinës 2005. E pra, e shihni që jo vetëm për lojtarët, por edhe ndërrimi i trajnerëve të skuadrave brenda një kampionati tregon po aq paqëndrueshmërinë e kampionatit të Shqipërisë. E vetvetiu, edhe ahistorinë e tij tronditëse…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"