“Rënia barrë emocionale, por krenar që s’mora 1 dollar”, lëkundet Sinan Idrizi: Futem në garë, nëse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2021 | 18:00

“Rënia barrë emocionale, por krenar që s’mora 1 dollar”, lëkundet Sinan Idrizi: Futem në garë, nëse…

Sinan Idrizi e ka vendosur që do të largo het më 30 qershor. E megjithatë, ka vetëm një opsion që mund ta detyrojë të bëjë prapaktheu.

sinan idrizi

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, administratori paralajmëron se do të futet në garë për privatizimin e Flamurtarit, nëse do të ketë rregulla të qarta loje dhe do të bëhen hapa progresivë. Nëse gjërat janë si tani, ai do t’i thotë lamtumirë klubit. Kjo lëkundje duket se i është krijuar prej rënies së ekipit në nivelin më të ulët, ndaj pret që ta kthejë aty ku e gjeti: në elitë.

“Me këto kushte, unë nuk do të qëndroj. E kam thënë që në fund të muajit largohem. Nëse do të ketë një ligj privatizimi, patjetër që do të hyj në garë. E përsëris, vetëm nëse ka. Nëse jo, unë iki sikurse kam njoftuar publikisht. Rrëzimi i Flamurtarit në Kategorinë e Dytë është dështimi im personal. Unë marr përgjegjësitë e mia. E di që u jam bërë barrë emocionale qytetit dhe tifozëve.

U kërkoj ndjesë, por jam krenar sepse nuk i lashë qytetit dhe bashkisë asnjë barrë financiare, por kontribuova duke mos u marrë qytetarëve të Vlorës asnjë dollar nga taksat e tyre. Jam i vendosur të largohem në fund të muajit, por nëse do të hapet një procedurë konkurruese, do të futem në garë pasi dua që ta çoj Flamurtarin ku e ka vendin dhe këtë e ndiej si detyrim”, shprehet numri një i klubit.

Sinan Idrizi

BORXHET – Sinan Idrizi është në lëvizje të shlyejë borxhet që ka. Ai pretendon se pas 30 qershorit, klubi nuk do të ketë më fatura të papaguara. Numri një i klubit është ulur me stafin e tij dhe po kalon në “sitë” të gjithë listën e detyrimeve që ka ndaj palëve të ndryshme.

“Jam duke punuar këto ditë për të zeruar të gjitha detyrimet që kam. Do ta lë klubin pa borxhe, me qëllim që ai që do të vijë pas meje, të mos ketë kokëçarje dhe këto kalvare nëpër të cilat kam kaluar unë. Po dëgjoj ditët e fundit lart e poshtë, që disa thonë: ‘Të marrim ca lekë nga bashkia dhe e bëjmë ne Flamurtarin’. Por, si do ta bësh, kur në korrik bashkitë nuk japin më lekë për sportin, por vetëm privatët? Nuk e kuptoj fare këtë logjikë”, përfundon administratori.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"