“Renditemi në vendet e para”, Musta: Short “ferri” në start, provojmë gjithçka ndaj Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2022 | 22:35

“Renditemi në vendet e para”, Musta: Short “ferri” në start, provojmë gjithçka ndaj Tiranës

Egnatia e vlerësoi maksimalisht ndeshjen ndaj Partizanit, por pavarësisht lojës së mirë dhe rasteve të krijuara, pikët nuk shkuan në anën e rrogozhinasve. Në lidhje me betejën e shkuar dhe atë të ardhshme ndaj Tiranës, ekskluzivisht për “Panorama Sport” ka folur një nga liderët e skuadrës rrogozhinas, Emiljano Musta.

Musta Egnatia

Të shtunën e shkuar mbrojtësi luajti ndeshjen numër 330 si profesionist në elitën e futbollit tonë, çka dëshmon qartë eksperiencën e madhe në futbollin tonë. Autori i 29 golave në Kategorinë Superiore, shprehet se Egnatia tregoi se ishte një skuadër dinjitoze ndaj Partizanit, teksa shton se shumë shpejt rrogozhinasit do të vijnë në formë optimale.

ANALIZA – “Stafi e ka analizuar mënyrën se si na iku nga duart një rezultat pozitiv ndaj Partizanit. Kemi nxjerrë gabimet dhe duam t’i minimizojmë ato për ndeshjen e radhës ndaj Tiranës. E dimë që dhe kundërshtari i radhës ka emër e potencial, pasi luajmë me skuadrën kampione. Ne e vlerësojmë shumë përballjen e kësaj të diele me Tiranën dhe shpresojmë të marrim një rezultat pozitiv”, tha fillimisht Musta.

PËRVOJA – “Jemi një skuadër thuajse e bërë rishtas, por për fat të mirë kemi disa futbollistë me përvojë, që po shpalosin aftësitë e tyre dhe po ndikojnë edhe te të rinjtë. Po përmirësohemi përditë e më shumë si grup dhe po përpiqemi të stabilizojmë sa më mirë që të jetë e mundur nivelin e paraqitjeve tona. Për t’u theksuar është fakti që ne shqiptarët dhe të huajt merremi shumë mirë vesh në stërvitje dhe jemi si familje e madhe”.

OPTIMIZMI – Koha në vijim, sipas Mustës, ndeshje pas ndeshjeje do ta tregojë më së miri harmoninë që ka skuadra. “Kam qenë pjesë e disa skuadrave në Shqipëri, por falë përkushtimit dhe korrektësisë së presidentit Agim Demrozi them se Egnatia ka kushte ideale për përmbushur objektivat e saj, duke qenë mes grupit të skuadrave të kreut të renditjes. Presidenti është më shumë se një mik e shok me çdo futbollist dhe kjo mënyrë komunikimi e tij ka rritur dukshëm optimizmin brenda e jashtë fushës”, vijoi Musta.

KALENDARI – “Egnatia duhet pranuar se u gjend në start para një kalendari ‘ferri’. Të luash në dy ndeshjet e para me dy prej skuadrave më të mira që ka futbolli shqiptar, plot emër, traditë e histori si Partizani dhe Tirana, nuk është aq e lehtë. Gjithsesi, është çështje fati. Shpresojmë që të rikuperojmë si duhet ndaj Tiranës të dielën”, tha në mbyllje Emiljano Musta.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"