Rekordmenia e atletikës, Luiza Gega rrëfen Olimpiadën: Synoj kualifikimin në finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2021 | 19:59

Rekordmenia e atletikës, Luiza Gega rrëfen Olimpiadën: Synoj kualifikimin në finale

Në orët e para të mëngjesit të 1 gushtit, radhën për të garuar në Lojërat Olimpike do ta ketë Luiza Gega që do të konkurrojë në kualifikueset e 3000 metrave me pengesa. Kampionia dhe rekordmenia absolute e atletikës shqiptare, me suksese të njëpasnjëshme në arenën ndërkombëtare do të kërkojë përsëri ta nderojë flamurin kuqezi të cilin e valëviti në qiellin e kryeqytetit japonez gjatë ceremonisë së hapjes së “Tokio 2020”.

luiza gegaa

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Luiza Gega tregon ditët e saj në Fshatin Olimpik. 32- vjeçarja rrëfen emocionet e përjetuara në inaugurimin e Olimpiadës, teksa thekson se mungesa e tifozëve e bëri shumë të vakët atmosferën. Kampionia komenton edhe vështirësitë me ndryshimin e orarit dhe klimën e Tokios, por konfirmon objektivin që është kualifikimi në finale, i cili do të ishte historik për Shqipëria.

Si po i përjeton Luiza Gega Lojërat Olimpike “Tokio 2020”?

Këto Lojëra priteshin që do të ishin ndryshe, ashtu sikurse ka qenë i gjithë viti, të paktën për mua, duke parë mënyrën e stërvitjes. Këtë vit ndryshe nga zakonisht për shkak të kufizimeve nuk pata mundësinë të bëjë stërvitjen time jashtë, por u stërvita në Shqipëri. Gjithashtu, edhe aktivitetet kanë qenë më të reduktuara dhe me shumë kufizime. Kështu që normalisht pritej që edhe Olimpiada do të ishte me shumë kufizime, ashtu siç edhe po bëhet. Gjithsesi, unë e kam thënë që ajo çka duhet të vlerësojmë më shumë është që këto Lojëra po zhvillohen, sepse sportistët përgatiten për vite më radhë për një event të tillë.

Së bashku me Briken Caljen, ishit flamurmbajtësit e Shqipërisë në ceremoninë hapëse të Olimpiadës. Na tregoni diçka më shumë për emocionet e asaj dite?

Olimpiada mbetet olimpiadë dhe emocionet janë më të mëdha se në aktivitetet e tjera, gjithashtu edhe presioni në një farë forme është më i madh. Emocione në fakt përjetova vetëm në pjesën kur veshëm kostumin kuqezi apo kur mbanim flamujt në duar, ndërsa pjesa tjetër ishte shumë ndryshe nga ajo që kam përjetuar në “Rio 2016”. Besoj që emocionet janë njerëzit dhe ai stadium pa spektatorë ishte diçka shumë e vakët. Sigurisht që mbajtja e flamurit dhe arsyeja pse je aty është shumë emocionuese, por pjesa tjetër këtë herë nuk pati emocion. Madje, sa mbaroi ceremonia unë u largova, ndryshe nga vitet e tjera kur flamurmbajtësit duhej të qëndronin gjatë ku rrinim me figurat më të mëdha të sportit botëror si Roxher Federer apo yje të tjerë. Këtë herë duhej të dorëzonim flamurin në fund dhe të largoheshim, pasi edhe situata ishte e tillë.

luiza gega

Sa e vështirë është për një sportist zhvillimi i Olimpiadës nën masa të rrepta sigurie dhe me rregulla shtrënguese?

Pjesa që duhet të bëjmë çdo ditë disa gjëra të detyrueshme është pak stresuese, sepse secili duhet të llogarisë kur i ka më mbarë stërvitjet, ndërkohë që duhet të jemi për tamponët në kohë të caktuar apo për mbledhje të ndryshme. Gjithashtu, mund të them që është pak stresuese edhe mbajtja e maskës gjatë gjithë kohës, duke qenë se është edhe shumë vapë. Madje, edhe kur stërvitesh duhet ta mbash në vende të caktuara dhe duket sikur të zë frymën, por kjo është një situatë për të gjithë dhe në njëfarë forme edhe mësohesh. Pak stresuese është edhe pjesa që duhet të kesh shumë kujdes, sepse asnjëherë nuk i dihet dhe mund të rezultosh pozitive me COVID, e për rrjedhojë çdo gjë mund të shkatërrohet. Të shkatërrohet arsyeja pse ti je këtu dhe nuk mund të marrësh pjesë në garë.

A po përshtateni me ndryshimin e orarit dhe klimën e Tokios?

Për sa i përket përshtatjes me ndryshimin e orarit, në fakt jam natyrë që e kam shumë të vështirë, por duke qenë se kam ardhur shumë ditë më përpara, çdo ditë jam më mirë dhe mendoj që gradualisht do të përshtatem deri në fund. Problem mbeten edhe temperaturat, që janë shumë të larta, ashtu sikurse lagështia. Unë po mundohem që të stërvitem në orarin e garës dhe të gjithë këto faktorë e bëjnë pak të vështirë situatën, duke qenë se unë duhet të stërvitem jashtë dhe jo në palestër apo në ambiente të mbyllura siç janë shumica e sporteve. Në ditët e para pak penalizim mund të them që kam pasur nga vendi i stërvitjes, duke qenë se stadiumi për atletikën është hapur vetëm më datë 25 korrik. Gjatë këtyre ditëve jam detyruar të stërvitem në Fshatin Olimpik vetëm në asfalt dhe kjo më ka penalizuar disi, për faktin që asfalti është i fortë dhe ti dëmton më shumë muskujt. Gjithsesi, jam munduar në maksimum bashkë me trajnerin që ta realizojmë përgatitjen.

luiza gega

Vini në Olimpiadë pas një cikli olimpik të jashtëzakonshëm, me rekorde dhe rezultate fantastike në arenën ndërkombëtare. Cili është objektivi i Luiza Gegës në Tokio?

Objektivin tim e kam të qartë dhe e kam shprehur edhe më parë. Synimi im kryesor është kualifikimi në finale dhe për këtë po luftoj fort. Atletika është një sport me konkurrencë të jashtëzakonshme, por rezultatet e mia e tregojnë që futja në finale është e arritshme. Tani t’ia lëmë garës, ndërsa më duhet që të jap maksimumin. Dua të qëndroj me këmbë në tokë dhe uroj që çdo gjë të shkojë siç unë e kam planifikuar. Nëse do të arrij finale më tej do të luftoj për një pozicionim sa më të mirë. Gara është garë dhe asnjëherë nuk i dihet, pasi kemi parë sportistë pretendentë të dështojnë apo të tjerë që nuk kanë qenë pretendentë dhe fati ka qenë më ta dhe kanë dalë më mirë se pritej. Ajo që mund të them me bindje është se do të jem me këmbë në tokë dhe do të luftoj fort për t’i arritur objektivat që për t’u paraqitur në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne jemi shtet i vogël dhe ndoshta shumë presin nga ne. Shumë njerëz i shikojnë gjërat ndoshta vetëm sipërfaqësore, duke parë vetëm u morën apo jo medalje. Gjithsesi, unë në Tokio kam ardhur për objektivat e mi dhe do të luftoj shumë që t’i arrij ato.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"