Realizoi super gol ndaj Kukësit, Ejoh me mendjen te derbi: Dua t’i shënoj Lushnjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 14, 2020 | 10:13

Realizoi super gol ndaj Kukësit, Ejoh me mendjen te derbi: Dua t’i shënoj Lushnjes

Apolonia u rikthye të enjten në fushë pas ndërprerjes së gjatë. Luajti ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë kundër Kukësit, një prej ekipeve më të mira të Superiores. Fierakët, edhe pse u mundën 1-2, kanë bërë një prezantim të mirë e dinjitoz, duke pasur parasysh diferencat mes ekipeve dhe faktit që verilindorët janë më të avancuar në formën e tyre sportive, pasi Superiorja ka nisur më herët. Apolonia e meriton vlerësimin pozitiv, pavarësisht humbjes 1 sekondë para mbylljes së kohës shtesë. Fierakët pësojnë kështu humbjen e parë në 2020-ën, pas gati 6 muajsh nga humbja 1-2 me Lushnjën në “Roza Haxhiu”, më 14 dhjetor 2019.
Ejoh5

“MBROJTËSI” EJOH Kundër Kukësit luajti në një pozicion të pazakontë. Trajneri Artan Mërgjyshi i caktoi detyra mbrojtëse në linjën e majtë dhe sulmuesi Ejoh spikati me lojën e tij, madje shënoi një gol të bukur, pas një inkursioni personal. Për nigerianin është i pari gol me fanellën bardhejeshile. I kënaqur dhe i çliruar tanimë, Ejoh ndihet i motivuar për vazhdimësi. “Më ka dhënë një shije të veçantë ky gol, duke pasur parasysh që luanim ndaj një prej ekipeve më të mira shqiptare, – thotë sulmuesi i Apolonisë. – Skuadra jonë luajti mirë dhe nuk e meritonim humbjen, por ky
është futbolli. Pozicioni i ri në fushë? Për mua nuk ka asnjë problem, jam i gatshëm të përshtatem ku ka nevojë skuadra”.

lushnjaaaa
DERBI –
Sulmuesi nigerian është optimist për derbin e së hënës me Lushnjën, ku shpreson shumë të shënojë.

“Pas humbjes së penalltisëme Devollin, jam ndier jo pak pesimist, por goli me Kukësin më ka bërë mirë, më ka rikthyer besimin në vetvete. Të hënën luajmë kundër Lushnjës, një sprovë e vështirë që duhet ta fitojmë patjetër. Pavarësisht rolit dhe kohës që mund të kem në dispozicion, e dëshiroj golin
kundër Lushnjës, pasi, siç thoni ju: ‘Oreksi vjen duke ngrënë’ (qesh). Megjithatë, e rëndësishme është të fitojmë, pasi vetëm 3 pikët na shërbejnë për objektivin e sezonit”, ka përfunduar Ejoh prononcimin për gazetën.

Fierakët luajnë në fillim të javës derbin e parë në fushën e tyre këtë sezon.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"