Reagon Gjoza: Veli s’është përjashtuar, të vijë në grumbullim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 10, 2021 | 18:16

Reagon Gjoza: Veli s’është përjashtuar, të vijë në grumbullim

Pas dorëheqjes së Evangjelia Velit nga Kombëtarja shqiptare e peshëngritjes si dhe akuzave të saj në drejtim të presidentit të FSHP-së Elez Gjoza, për të cilin thoshte se e ka përjashtuar nga Europiani, ka ardhur edhe reagimi i kreut të shtangës.

VELI VS GJOZA

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Gjoza mohon që sportistja të jetë përjashtuar nga Europiani, por thekson se i gjithë kontigjenti i kombëtares para garave ndërkombëtare duhet patjetër të marrë pjesë në grumbullim: “Nuk është aspak e vërtetë që federata e ka përjashtuar nga Europiani. Unë kam kërkuar që kjo sportiste të jetë pjesë e Kombëtares dhe të grumbullohet me peshëngritësit e tjerë më datë 15 shkurt në Durrës, kur do të nisin edhe përgatitjet. Evangjelia është ftuar në kombëtare bashkë me 4 peshëngritës të tjerë si Briken Calja, Erkand Qerimaj, Daniel Godelli dhe Krenar Shoraj, të cilët do të stërviten nën drejtimin e trajnerëve Kreshnik Leka dhe Artur Lagja.

Interesi i federatës është që Veli të marrë pjesë në Kampionatin Europian, duke shpresuar që mbase mund të na fitojë ndonjë medalje”, shprehet Gjoza, i cili më tej bën të ditur se në FSHP do të ketë rregulla strikte: “Unë që në fillim kam deklaruar që në Kombëtare do të jenë parësore disiplina dhe rregullat, e nëse sportistja nuk do të jetë pjesë e grumbullimit, atëherë automatikisht e humbet të drejtën për të marrë pjesë në Europian. Kur grumbullohet ekipi i futbollit, lojtarët nuk qëndrojnë 2 në Lushnjë dhe 2 të tjerë në Tropojë, por qëndrojnë në një vend bashkë me trajnerët. Pra siç e thashë për të marrë pjesë në aktivitet është kusht që të vijë në grumbullim. Ky nuk është qëndrimi im personal, por është i të gjithë kryesisë drejtuese të FSHP-së.

Nuk do të ketë më asnjë sportist që të stërvitet jashtë shtetit dhe të përfaqësojë Kombëtaren pa marrë pjesë në grumbullime, që të mos na dalin më sportistë me doping siç ka ndodhur në të shkuarën. Unë kam ardhur me qëllimin e qartë për ta futur federatën në binarë”, deklaron presidenti i FSHP-së. Ndërkohë për sa i përket kërkesës së Velit për të marrë shkëputjen nga Kombëtarja, Gjoza shprehet kështu: “Evangjeli Veli ka sjellë te sekretari i federatës kërkesën për t’u tërhequr nga sporti dhe ka kërkuar një vërtetim që ka qenë pjesë e kombëtares në vitet 2016-2017. Në këtë kuadër nuk e merr vendimin as sekretari dhe as presidenti, pasi duhet të mblidhet kryesia drejtuese, e cila do të vendosë nëse do ta pranojë apo jo dorëheqjen e sportistes”, përfundon kreu i FSHP-së.

ARTIN LLESHAJ

LEXO EDHE:

Peshëngritje/ “Kombëtarja shqiptare s’më vlerësoi kurrë”, Evangjelia Veli letër presidentit Gjoza: Ndihem e tradhëtuar nga Federata!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"