Rastësia/ Partizani mund të zbehë makthin e tifozëve me titullin kampion, 14 vite më parë binte nga Kategoria (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2023 | 13:07

Rastësia/ Partizani mund të zbehë makthin e tifozëve me titullin kampion, 14 vite më parë binte nga Kategoria (VIDEO)

Dita e sotme me shumë mundësi do të jetë një festë për tifozët dhe klubin e Partizanit, por fiks 14 vite më parë, të kuqtë shënonin një nga datat më të zeza të historisë së tyre. Më 29 maj të vitit 2009 Partizani binte nga “Kategoria Superiore” pas një humbjeje me shifrat 0-1 ndaj Kastriotit në stadiumin “Niko Dovana”.

partizani

Kjo ndeshje mbahet mend si një moment i errët në historinë e klubit, por edhe për vendimin e konsideruar të padrejtë të gjyqtarit anësor, Arjan Mali, i cili në atë sfidë ka anuluar për pozicion jashtë loje një gol të shënuar nga Marjus Ngjela, pasi Arbër Prelaj kishte shënuar për Kastriotin në minutën e 41- të me një goditje dënimi. Ajo ndeshje rezultoi fatale për të kuqtë, që ranë në Kategorinë e Parë. Ai vendim i Arjan Malit, i cili tashmë është pjesë e FSHF-së si vëzhgues arbitrash, provokoi një sërë reagimesh të dhunshme të tifozëve dhe pjesëtarëve të Partizanit, ku Mali u godit nga tifozët, ndërsa ishpresidenti i të kuqve, Albert Xhani hyri në fushë dhe u bë pjesë e revoltës. Pas asaj sfide kishte disa vendime të rënda nga Komisioni i Disiplinës.

ISH-ët – Zëvendëstrajneri aktual i Partizanit, Fatjon Tafaj, në atë përballje ka qenë në fushë i veshur me fanellën e kuqe, për të cilën tashmë kontribuon nga pankina. Për ironi të fatit, Orges Shehi dhe Artan Karapici, respektivisht trajneri dhe zëvendëstrajneri i rivalëve të mëdhenj të Tiranës, atë ditë kanë qenë në fushë duke mbrojtur pikërisht ngjyrat e Partizanit. Ndërkohë, në radhët e Kastriotit luante Reinaldo Kalari, trajneri i Partizani U-19.

Partizani-Kastrioti 0-1
GOLI: Prelaj 41′

PARTIZANI: Shehi, Malota, Pinari, Tafaj, Bakalli, Karapici, Babamusta, Karabeci, Gjondedaj, Bega, Ngjela;
(U aktivizuan: Çekaj, Mërtiri, Maho);
Trajner: Shpëtim Duro;

KASTRIOTI: Mustafa, Caca,Shala, Prelaj, Teqja, R.Hoxha,Goçaj, Braho, Roshi, Miçiç, Ziambo;
(U aktivizuan: Osusi, Lila, Kalari);
Trajner: Ramadan Ndreu

KARTONË TË VERDHË: Bakalli/ Mustafa, Shala, Miçiç,Kalari

STADIUMI: “Niko Dovana”

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"