Raklli: Jam përkthyesi më fatkeq, po sakrifikoj familjen për Turbinën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2016 | 12:40

Raklli: Jam përkthyesi më fatkeq, po sakrifikoj familjen për Turbinën

Në vazhdimin e rrëfimit të tij për “Panorama Sport” në lidhje me dënimin që mori në Austri, Altin Rraklli tregon se si u njoh me shqiptarët që ishin të përfshirë në trukime. Ai gjithashtu zbulon sakrificat e mëdha që po bën në familje për të qënë trajner i Turbinës në Kategorinë e Parë të Shqipërisë.

altin rraklli

Më lind pyetja, pse e përktheve?

Ne jetojmë në Shqipëri dhe mbase e kuptojmë më mirë njëritjetrin. Unë kisha të bëja me bashkatdhetarë dhe biseda rrodhi aq natyrshëm, sa e kisha të pamundur të çohesha nga tavolina, apo të mos i përktheja. Fundja, ishte një biznes i tyre, që nuk më përkiste aspak mua dhe nuk kisha pse të kisha frikë.

Gjatë karrierës si futbollist më ka rënë për pjesë që të takoj tifozë, që mund të kenë kryer vepra penale. Por, i kam respektuar sepse kanë shprehur vlerësim për mua dhe thjesht sportdashës. Edhe në rastin konkret, unë mendoja se kisha të bëja me profesionistë në fushën e menaxhimit të lojtarëve.

Si jeni njohur me shqiptarët e përfshirë?

Siç e thashë edhe më parë, ka qenë për shkak të transferimeve që ata kishin kryer në disa klube austriake. Më kishin kërkuar që mund t’i ndihmoja për të zbuluar futbollistë të denjë për kampionatin austriak, por më kishin premtuar edhe mundësinë për të qenë trajner në klube. Duke qenë se nuk kisha kohë që i kisha dhënë fund karrierës si futbollist, e shikoja si mundësi të mirë për të qenë trajner apo menaxher. Aq më tepër që ishin edhe shqiptarë.

Në dijeninë time, këta persona janë dënuar me disa vite burg, para disa kohësh. Pse gjyqi juaj u krye tani?

Shumë e vërtetë. Ka ndodhur, sepse fletëthirrjet për në gjykatë, mua m’i nisnin në Shqipëri, por jetoja në Gjermani. Sapo e mësova faktin që më kishin kërkuar, jam paraqitur vetë. Nëse do të më shikonin si një kriminel, do më kishin gjetur brenda 24 orëve, pasi kam lëvizur lirshëm midis shteteve. Këtë e them, për të sqaruar të gjithë opinionin që nuk pasur asnjë gisht në trukimet e ndeshjeve. Unë mund ta cilësoj veten përkthyesi më fatkeq në këtë botë.

Ju jeni dënuar me 10 muaj burg me kusht. Ju vjen keq për këtë gjë?

Kjo është ajo që më rëndon më tepër. Sepse nuk dua që njerëzit të më gjykojnë, duke dëgjuar këtë dënim. Dua që të dinë të vërtetën dhe ta marrin parasysh vetë situatën. Më nxirrni një shqiptar, që po të ishte në vendin tim, do të kishte vepruar. Duke theksuar që e kam ndërgjegjen shumë të pastër.

Ju tashmë jeni trajner në kampionatin shqiptar me skuadrën e Turbinës. Sa ndikon ky dënim për ju, te fakti që drejtoni një skuadër?

Kjo më jep dyfish më tepër energji, për të treguar që di të jem një trajner i suksesshëm, edhe në kushte të vështira. Dua t’u tregoj të gjithëve që Altin Rraklli mbahet mend në futboll, jo vetëm si sulmues që shënonte gol, por si një njeri që ka dashur futbollin e pastër. Nuk ka ndodhur kurrë në karrierën time që të dyshoj apo të mendoj se skuadra ku luaja unë mund të ishin të përfshira në paracaktim rezultatesh.

Keni një karrierë shumë të suksesshme. Pse pikërisht një ekip i Kategorisë së Parë?

(qesh) Sepse kam pasur nevojë të merrem me futboll. E kam të pamundur të mendoj për diçka tjetër. Sigurisht që është e vështirë që eksperiencën nga klubet e Bundesligës ta tregosh në kushtet e Kategorisë së Parë. Por, kjo nuk më pengon që të mundohem t’u tregoj lojtarëve se me punë arrihet gjithçka.

Dua të falënderoj edhe presidentin e Turbinës, Gentian Gjoka, sepse më dha mundësinë të jem pjesë direkte e futbollit atëherë kur kisha më tepër nevojë në aspektin psikologjik dhe për eksperiencë. Është më e lehtë ta nisësh nga Kategoria e Parë dhe të jesh i përgatitur për një ekip të Superiores, se sa ta nisësh nga maja dhe të dështosh. Madje, për të qenë trajner i Turbinës, po sakrifikoj vërtet shumë.

Pse?

Sepse familjen e kam në Gjermani. Ju garantoj që mund të isha trajner në kategoritë inferiore në Gjermani dhe të qëndroja pranë familjes. Por, e nisa eksperiencën në Shqipëri, pasi besoj që këtu mund ta shijoj më tepër këtë sport. Në çdo vend, futbolli ka problemet e veta, por unë sapo kam nisur një karrierë, që nuk dua të mbyllet herët. Për këtë arsye, edhe bashkëshortja ime e ka mirëkuptuar këtë zgjedhje. Më mirë të drejtoj një ekip futbolli në Shqipëri, se sa të mërzis bashkëshorten duke folur gjithë ditën për futboll (qesh).

Pas 16 vitesh karrierë si futbollist, si e përkufizon veten?

Si Altin, ndihem njeri më i lumtur në botë, sepse kam dy fëmijë. Si futbollist, jam krenar për atë që kam realizuar, pasi kam luajtur në nivele të larta, në kushte shumë më të vështira se tani. Kam edhe kujtime shumë të bukura nga kombëtarja. Si trajner, më jepni edhe pak vite kohë…

FATION SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"