Radas sfidon Dajën: Do ta mundim, e dimë çfarë loje bën ai. Ja pse refuzova Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2018 | 21:38

Radas sfidon Dajën: Do ta mundim, e dimë çfarë loje bën ai. Ja pse refuzova Flamurtarin

Barazimi me Laçin në ndeshjen e fundit të luajtur në Superiore për Skënderbeun, nuk bëhet dramë. E vetmja gjë negative për korçarët është rezultati, sepse në kampin e bardhekuqve mendojnë se grinta e treguar dhe loja e mirë japin shpresa për të ardhmen. Në këtë linjë qëndron edhe kapiteni i skuadrës, Marko Radas, i cili në një intervistë për “Panorama Sport” thekson se Skënderbeu është një ekip i ri me elementë cilësorë, të cilët duan kohë për të treguar më të mirën e tyre. Ai gjithashtu sfidon ish-trajnerin e tij Ilir Daja dhe thotë se do ta mundë në këtë përballje.

radas daja

Ndeshja e radhës me Flamurtarin. Si e shikoni këtë takim?

Është një ndeshje radhe siç e thatë edhe ju dhe për këtë besoj se do të jetë veçse një takim i tillë. Rivaliteti është i madh, por do të shkojmë atje për të bërë më të mirën e mundshme e më pas të shohim çfarë do të marrim si rezultat.

Skënderbeu përballë Ilir Dajës, kush e fiton këtë përballje?

Them se Skënderbeu është më i avantazhuar dhe se e njeh më mirë tipin e lojës që bën Ilir Daja. Luajmë në fushën e tyre dhe normalisht që do të kenë ata një armë plus, ndërsa ne jemi të qetë nga ana tjetër. E them këtë sepse jemi kampionët në fuqi dhe nuk kemi presion, por presioni është i gjithi mbi kundërshtarin. Ne do ta mundim.

Daja iu ka dashur në Vlorë, përse zgjodhët të qëndronit?

Akoma nuk e keni kuptuar arsyen pse? Unë jam i lidhur me këtë ekip, me këtë ambient, me këtë qytet dhe me këta njerëz në Korçë. U bënë kaq vite që jetoj këtu dhe mund të them se është e pamundur që të largohem. Nga ana tjetër, Shehi më dha një privilegj të madh duke më graduar kapiten. Tani është e qartë arsyeja e qëndrimit.

Marko, barazimi me Laçin ju sjell keqardhje kur e mendoni me qetësi?

Nga njëra anë po, pasi kishim mundësinë më të mirë për të fituar takimin me rastet që krijuam edhe kur ishim me lojtarë më pak në fushë. Megjithatë, jemi të kënaqur me atë çka dhamë në fushë, pasi bëmë gjithçka edhe në inferioritet numerik për të kërkuar fitoren. Pikët janë të rëndësishme, por ky Skënderbe premton. Sigurisht, është ajo që trajneri na kërkon çdo ndeshje. Të japim gjithçka kemi dhe të bëjmë në fund llogaritë për ndeshjen. Ne një gjë të tillë e kemi bërë dhe e përsëris, kemi luajtur me grintë dhe shpirt gare në çdo takim.

Si mund të jeni kaq i bindur kur ky ekip ka ndryshuar shumë?

Patjetër që jam pasi jemi një grup i ri tashmë, me shumë lojtarë të rinj që kanë kohën e vet për t’u përshtatur dhe të hyjnë në organizmat e plota të funksionimit të këtij ekipi. Por e shoh që kanë grintë dhe dëshirë për të bërë mirë, pavarësisht talentit që nuk u mungon. Prandaj kjo na bën të jemi besimplotë se do të ndryshojnë shumë gjëra. Pastaj, mos harrojmë se jemi 7 pikë në vendin e parë, një ecuri e mirë deri tani.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"