Qetëson portieri Hoxha, formacioni i Partizanit ndryshon sërish

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2017 | 10:35

Qetëson portieri Hoxha, formacioni i Partizanit ndryshon sërish

Të kuqtë e kryeqytetit kanë marrë lajme pozitive nga seanca e djeshme stërvitore, pasi dy nga lojtarët që nuk u përgatitën me grupin një ditë më parë, të premten janë stërvitur me skuadrën. Të enjten u hodhën dyshime mbi gatishmërinë e portierit Alban Hoxha për transfertën e Shkodrës, pasi ai ka dëmtuar dy gishta në dorën e majtë.

partizan

Por dje situata është qetësuar, sepse “gardiani” është përgatitur me grupin, por duke qenë i kujdesshëm, ndaj për këtë arsye nuk u përfshi në pjesën e përgatitjeve tekniko-taktike, por u stërvit me trajnerin Flori Ristani. Gjithashtu, dje me ekipin është përgatitur edhe Renato Malota, i cili pësoi një lëndim të lehtë ndaj Luftëtarit. Gjithsesi, stafi do t’i monitorojë deri në fund gjendjen e dy lojtarëve, Hoxha e Malota dhe, më pas, do të vendosë për aktivizimin e tyre.

NDRYSHIMET

Partizani po e përgatit transfertën e Shkodrës me disa probleme, pasi trajneri Mark Iuliano nuk i ka në dispozicion të gjithë lojtarët. Edgar Cani dhe Arbnor Fejzullahu njihen si mungesa prej kohësh dhe askush nuk e di me saktësi se kur do të rikthehen. Xhevahir Sukaj u dëmtua ndaj Luftëtarit dhe, sipas njoftimit më të fundit të klubit, ai do të mungojë 10 ditë, kështu që humbet përballjen me skuadrën e vendlindjes.

partizani

Gëzim Krasniqi mungon nga kartoni i kuq, por rikthehet nga pezullimi Xhovani La Kamera. Në këto kushte, trajneri Iuliano është i detyruar të ndryshojë sërish formacionin. Ndryshimet priten në të gjithë repartet, por për momentin dilemat janë disa. Basrak, Bardhi dhe Xhixhiua janë në balotazh për të zëvendësuar Sukajn. Gjithashtu dilema ka edhe për qendrën e mbrojtjes, por sot pritet që stafi të krijojë një ide më të qartë për formacionin anti-Vllazni.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"