Qendërmbrojtësi i Kastrioti drejt “divorcit”, nuk dëshiron që të luajë në Kategorinë e Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2019 | 15:18

Qendërmbrojtësi i Kastrioti drejt “divorcit”, nuk dëshiron që të luajë në Kategorinë e Parë

Edi Nikolas Bojom erdhi me shumë “bujë” në merkaton e janarit te krutanët. Në një kohë të shkurtër, kamerunasi arriti të përshtatej me skuadrën dhe të siguronte vendin e titullarit, duke u bërë një pjesë e rëndësishme në formacion.

Bojom

Kontrata e qendërmbrojtësit përfundon në verën e ardhshme, por gjasat janë që mes tij dhe klubit të kemi një mbyllje të parakohshme të marrëveshjes. Por, nuk përjashtohet as opsioni i rishikimit të saj, pasi në një nga klauzolat ishte e parashtruar qartë se do të ndryshonin termat nëse ekipi nuk do të binte nga kategoria. Janë disa pika që Kastrioti kërkon t’i ndryshojë pas rënies në Kategorinë e Parë, ndërsa vetë 30-vjeçari ka shprehur dëshirën për shkëputje të kontratës me mirëkuptim.

Kjo, pasi preferon që të mos luajë në inferiore. Nëse e lënë të lirë, Kastrioti nuk është se humbet shumë, përkundrazi kursen parà. Vlen të kujtojmë se Bojom paguhej realisht shumë dhe me atë shifër, klubi fare mirë mund të mbulojë dy-tre elementë cilësorë që do t’i shërbenin në Kategorinë e Parë. Megjithatë, mbetet të shihet sesi do të veprohet.

Duke qenë se është nën marrëveshje, nuk përjashtohet mundësia që të mbetet në fuqi e njëjta kontratë dhe rrjedhimisht lojtari të jetë pjesë e organikës edhe sezonin e ri. Por, kur dihet që në planet e klubit është reduktimi i numrit të të huajve, mund të kthehet në një “bonus” edhe për Bojom, i cili po pret të mbyllë me konsensus marrëveshjen me klubin.

STRATEGJIA – Edhe pse nën kontratë me Kastriotin, shumë prej lojtarëve janë vënë në “lupën” e klubeve shqiptare e të huaja. Paraqitja e mirë që bënë në dy faza ka rritur ndjeshëm “pjacën”. Të luajnë në Kategorinë e Parë do të ishte një hap pas për ta, edhe pse marrëveshja që kanë me klubin e bën të pamundur largimin, të paktën nëse drejtuesit nuk japin “viston”.

Këta të fundit nga ana e tyre janë në pritje të ofertave më të mira dhe nuk kanë ndërmend që të lënë lojtarët të lirë pa përfituar financiarisht. Për çdo futbollist do të paguhet vlera e kartonit.

BUJAR BALLIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"