Psikologu i kombëtares sjell shpresë te gjermanët: Skuadra di të përballojë presionin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2018 | 18:32

Psikologu i kombëtares sjell shpresë te gjermanët: Skuadra di të përballojë presionin

Miroslav Klose dha para dy ditësh një detaj shumë të rëndësishëm në lidhje me presionin që mund të ketë skuadra e trajnerit Lëv para ndeshjes me Suedinë. Humbja në takimin e parë ka rritur dukshëm trysninë te lojtarët dhe te stafi teknik. Klose mendon se skuadra është më e karikuar kur luan nën efektin këtij presioni. “Kujtoj në ndeshjet ‘play-off’ të vitit 2001, kur luanim ndeshjet me Ukrainën, barazuam në ndeshjen e parë në Kiev dhe skuadra ishte shumë nën presion.

gjermanua

Duhet të fitonim ose të barazonim 0-0 për të shmangur një tragjedi duke mos u kualifikuar në Botërorin në Kore dhe Japoni. Por në Dortmund ne luajtëm dhe fituam 4-1″, tha Klose. I të njëjtit mendim me Klosen është edhe psikologu i skuadrës përfaqësuese, Diter Herman. Ai mendon që skuadra është e aftë ta përballojë këtë formë të presioni, pasi ka në përbërje lojtarë që kanë qenë edhe më përpara në situata të tilla. Herman gjithashtu mendon se mbledhja e zhvilluar para nisjes për në Soçi nuk ishte rastësore. “Mbledhja nuk ishte një rrufe në qiell të hapur për ne. Këtë e kemi bërë edhe në të shkuarën. Mendoj që është diçka e mirë të ulesh dhe të flasësh hapur me shokët e skuadrës për gjërat që nuk shkojnë siç duhet. Në jetën e përditshme një bisedë me një koleg dhe të afërm mund të ndihmojë shumë.

Gjëja më e mirë që ndodhi në atë takim ishte se në fund lojtarët mund të shihnin në sy njëritjetrin”. Tani, pas humbjes me Meksikën, Herman mendon që trysnia mund të ndihet te lojtari, por kjo deri në momentin që del nga tuneli për në fushën e lojës. “Presioni është aty pas asaj humbjeje ku askush nuk e priste. Por besoj se kjo do të zgjasë deri në momentin që lojtarët do të lënë tunelin para se të hyjnë në fushë. Të luash nën presion dhe të zhvillosh një paraqitje të mirë do të thotë që ke shumë vetëbesim dhe kjo është forcë”, u shpreh psikologu që ndodhet me skuadrën gjermane në Soçi të Rusisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"