Probleme fizike për Edgar Çanin, dëmtimi i vjetër shndërrohet në frikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2017 | 10:20

Probleme fizike për Edgar Çanin, dëmtimi i vjetër shndërrohet në frikë

Edgar Çani, pa dyshim, është goditja e merkatos së verës në futbollin shqiptar. Partizani ka bërë një sforco të paparë në terma financiarë për ta bërë pjesë të ekipit sulmuesin e Kombëtares shqiptare, pasi lojtari përfiton një rrogë afërsisht 20 mijë euro në muaj. Presidenti Demi dhe përgjegjësi i Partizanit të sezonit të ri, Luçiano Moxhi, nuk janë kursyer këtë verë, në mënyrë që të ndërtojnë një ekip për kampion.

Iuliano dhe Cani

Por, investimi për Edgar Çanin është vënë në dyshim për momentin, pasi flitet se sulmuesi nuk gëzon gjendje të mirë fizike. Situata aktuale e 28-vjeçarit ka bërë që të rritet niveli i shqetësimit te tifozët e kuq, pasi dihet që Çani ka një problem kronik me gjurin, dëmtim, i cili shpeshherë e ka kufizuar lojtarin në karrierën e tij.

Momentalisht, lojtari nuk po merr ngarkesën e duhur me ekipin, por, sipas zyrtarëve të klubit, situata e lojtarit nuk është shqetësuese, pasi bëhet fjalë thjesht për një kontraktim, i cili ka ardhur si rezultat i ngarkesave të larta në stërvitje.

“Edgar Çani është përgatitur normalisht me ekipin dhe nuk bëhet fjalë që ai të ketë ndonjë dëmtim të rëndë, siç flitet nëpër media. Në seancat e fundit ka pasur thjesht një kontraktim nga ngarkesat në stërvitje, kështu që nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”, u shpreh për “Panorama Sport” zëdhënësi për shtyp i Partizanit, Olsi Ranxhi. Referuar kësaj situate, gjasat janë që Edgar Çani të mos aktivizohet në miqësoren e sotme ndaj Vastezes, në orën 20:30, pasi stafi kërkon të mos e rrezikojë.

DYSHIMI

Edgar Çani ka një të shkuar problematike për sa u përket dëmtimeve, kryesisht në gju, problem i cili ka bërë që rendimenti i tij të jetë i ulët. Madje, në sezonin e fundit ai ka sakrifikuar shumë në radhët e skuadrës së Pizës, pasi ka luajtur me injeksione. Trajneri i Pizës, Xhenaro Gatuzo, në mars të këtij viti e quante hero Çanin. Ndonëse luante me kortizonë, ai mundohej të jepte më të mirën për ekipin.

Herë pas here, gjuri i sulmuesit mbledh ujë, por 28-vjeçari nuk e ka kryer ndërhyrjen e duhur për të shpëtuar nga ky problem, i cili i është kthyer kronik. Dëmtimi që mori te Piza nuk konsiderohet i riaftësuar plotësisht. Ndaj, duke iu referuar të shkuarës shtohen dyshimet për problemin aktual të Edgar Canit në radhët e Partizanit. Nëse kemi të bëjmë për një rikthim të dëmtimit të vjetër, i bie që “demat” të mos kenë 100% shërbimet e Edgar Canit të vërtetë.

MUNGESA

Për drejtuesit e klubit kryeqytetas, situata nuk është problematike dhe ata janë të sigurt se lojtari do të jetë gati për ekipin për startin e sezonit të ri. Pasqyrimet e djeshme mediatike kanë bërë që të shtohet dyshimi për gatishmërinë e sulmuesit. Nëse rezulton lajm i vërtetë, Edgar Çanit i duhet rreth dy muaj kohë që të rikuperohet plotësisht, ose lojtari mund të përsërisë aktivizimin e fundit te Piza, duke luajtur me gjilpëra.

Nëse luan me injeksione, rendimenti i tij nuk do të jetë ai për të cilin Partizani ka sakrifikuar financiarisht në merkaton e verës. Nga ana e stafit mjekësor të klubit të kuq nuk ka asnjë reagim në lidhje me alarmin e përhapur për Çanin.

 

I DIFERENCUAR

Të kuqtë e kryeqytetit kanë vijuar edhe dje programin stërvitor me dy seanca në ditë. Paradite u përgatitën në orën 10:00, kurse pasdite në orën 17:00. Nën drejtimin e trajnerit Iuliano, grupi i lojtarëve ka aplikuar përgjatë ditës së djeshme stërvitje të karakterit taktik, e cila pritet të gjejë sot zbatimin e parë në miqësoren me Vastezen.

partizani

Edgar Çani nuk është stërvitur dje me grupin, por ka vijuar programin e rikuperimit i diferencuar nga grupi. Sulmuesi ka pësuar një kontraktim dhe për disa ditë do të ndjekë një program special për t’u riaftësuar. Sot ekipi do të përgatitet paradite, ndërsa në darkë do të luajnë miqësoren e parë ndaj Vastezes.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"