Prisnin milionat nga Anglia, te Elbasani mbeten pas derës për rrogat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2016 | 9:40

Prisnin milionat nga Anglia, te Elbasani mbeten pas derës për rrogat

Vazhdon bojkoti në Elbasan. Edhe ditën e djeshme lojtarët e kësaj skuadre nuk kanë pranuar që të dalin në stërvitje, pasi presin të marrin të paktën një rrogë nga tri të tilla të prapambetura. Edhe pse u paraqitën rreth orës 14:00 për të vijuar stërvitjen, futbollistët nuk janë zhveshur për të nisur seancën stërvitore.

elbasani rrogat1

Dita e djeshme ishte afati i fundit që lojtarët u lanë drejtuesve për çështjen e pagave, pasi më parë bojkotuan dy ditë me radhë, por që bënë një përjashtim dhe dolën në fushë ndaj Dinamos ditën e shtunë. Me sa duket, nuk ka më kthim prapa dhe pa “ngrohur” xhepat, nuk do dalin të stërviten.

Bisedimet

Lojtarët kanë pritur që pranë kompleksit sportiv “Shefqet Lamçja”, ku bëjnë stërvitje, të paraqitej një drejtues dhe t’u jepte lajmin e mirë. Mirëpo, kjo gjë nuk ka ndodhur, as për të dhënë lajmin pozitiv, as për t’u thënë diçka tjetër. Megjithatë, gjatë këtyre momenteve ka pasur telefonata me drejtuesit, ku u është thënë që do të kishin një takim në orën 16:00 dhe se paratë do të gjendeshin.

Ndaj, lojtarët duhet të vijonin normalisht përgatitjet dhe të qëndronin në pritje. Por, pas bisedimesh midis tyre, ata kanë refuzuar sërish të dalin në stërvitje dhe kanë preferuar që të presin orën 16:00 për të parë nëse do vinte dikush dhe t’u jepte lajmin e mirë. Për këtë çështje futbollistët kanë qenë të gjithë në një mendje, ndaj ka qenë e pamundur që të përfundonte bojkoti në këtë mënyrë, sepse i druheshin se nuk do mbahej premtimi.

elbasani rrogat

Pritja

Megjithëse shpresat pothuajse ishin shuar, lojtarët pritën deri në orën 16:00 me shpresën se do vinte dikush dhe t’u thoshte për pagat. Mirëpo, përpos pritjes për afro dy orë, nuk pati asnjë zhvillim dhe futbollistët u larguan nga ambientet e kompleksit sportiv.

Sipas tyre, nëse sërish nuk do marrë zgjidhje kjo çështje, ata do të refuzojnë të dalin në stërvitje. Nuk dihet se si do të vijojë kjo telenovelë pagash, por ai që dëmtohet është ekipi i Elbasanit, pasi janë edhe dy ndeshje për t’u luajtur këtë vit. Nëse lojtarët nuk bëjnë stërvitje, atëherë me shumë gjasa nuk do të dalin as në ndeshje zyrtare.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"