Prezantohet Stivi Frashëri: Jam i lumtur që iu bashkova kampionëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2017 | 9:58

Prezantohet Stivi Frashëri: Jam i lumtur që iu bashkova kampionëve

Skuadra e Kukësit vazhdon të përforcohet pak javë para fillimit të sezonit të ri. Kampionët në fuqi të Superiores kanë shtuar konkurrencën në radhët e tyre, duke afruar një tjetër portier cilësor për të rivalizuar me Koliçin.

Frasheri

Pjesë e ekipit është bërë edhe 26- vjeçari Stivi Frashëri, i cili në sezonin e kaluar ishte pjesë e Flamurtarit. Portieri, i cili në të kaluarën ka luajtur në Superiore edhe me Bylisin dhe Tiranën, është gati të rivalizojë me Koliçin në këtë edicion, por sigurisht që do ta nisë edicionin si zëvendësuesi i tij.

Dje mësohet të jetë hedhur edhe firma në kontratë e portierit me skuadrën kampione në fuqi. Frashëri ka qenë në të shkuarën edhe pjesë e Kombëtares shqiptare, pasi në periudhën kur ishte gardian i bardhebluve mori ftesën e ish-trajnerit të kuqezinjve, Xhani De Biazi.

Stivi Frasheri

Në një prononcim për faqen zyrtare të klubit, portieri është shprehur i lumtur që është bashkuar me skuadrën kampione dhe premton që do të japë maksimumin saherë që do të jetë e nevojshme.

“Jam shumë i kënaqur që arrita të mbyll marrëveshjen me Kukësin dhe që nga dita e sotme jam zyrtarisht futbollist i këtij ekipi. Kënaqësia është më  e madhe kur e di se po afrohesh te një ekip që synon gjithmonë fitimin e trofeve dhe i ka objektivat e qarta. Unë do të jap maksimumin për këtë ekip dhe sa herë të më jepet mundësa do të tregoj veten time.

Koliçi? Portier shumë i mirë dhe djalë i shkëlqyer. Vitet e fundit është rritur shumë dhe ka pasur kontribut të madh te fitimi i titullit. Do të jetë mirë të punoj me të, por edhe me portierët e tjerë që ka Kukësi. E përsëris edhe njëherë që është kënaqësi e madhe që iu bashkova kampionëve”, deklaroi Frashëri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"