Presidenti Noka garanton për Superioren: Besëlidhja rikthehet në elitë, por duam edhe Kupën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2019 | 12:45

Presidenti Noka garanton për Superioren: Besëlidhja rikthehet në elitë, por duam edhe Kupën

Tri javë para nisjes së kampionatit të Kategorisë së Parë ka folur për “Panorama Sport” presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka.

gjok noka

Ai komenton gjendjen e skuadrës, merkaton dhe objektivat, duke deklaruar me bindje se skuadra e tij do të luajë në elitë sezonin tjetër. Noka tregon së pari pse u mjaftua vetëm me 6 blerje këtë verë.

“Janë mbushur më shumë se pesë javë që Besëlidhja është grumbulluar. Në dakordësi me trajnerin Elvis Plori, kemi formatuar skuadrën që është e gatshme për nisjen e sezonit të ri. Objektivat tanë janë të qartë për ta ngjitur skuadrën në Superiore, ndaj thirra trajnerin Elvis Plori. Ai e ka eksperiencën e duhur për një ndërmarrje të tillë, pasi ka dhënë prova konkrete.

Duke qenë se ekipi i sezonit që lamë pas ishte mjaft i konsoliduar, vendosëm që në merkato të forconim vetëm ato pozicione që na shfaqën defekte. Jemi mjaftuar vetëm me 6 prurje cilësore. Janë të gjithë lojtarë me nivel, Gjorgjeviç dhe Çokiç vijnë nga kampionati serb që është mjaft cilësorë dhe nuk na kanë zhgënjyer. Dy të tjerë kanë eksperiencë të gjatë në Superiore, e kam fjalën për Shetën dhe Hajdarin. Po ashtu, edhe Bushi e Koleci e kanë eksperiencën e duhur dhe janë brenda pritshmërive. Në të gjitha miqësoret që kemi luajtur deri tani, skuadra dhe stafi teknik më ka kënaqur, por duhet ende punë për të konsoliduar formën e futbollistëve si individë dhe të skuadrës në përgjithësi. Koha deri në startin e kampionatit është më se e mjaftueshme për të riparuar defektet që u konstatuan gjatë miqësoreve të fundit. Për të mërkurën kemi planifikuar një ndeshje miqësore në Lezhë ndaj Besës”, është shprehur presidenti i lezhjanëve.

OBJEKTIVAT – “Përveç objektivit të ngjitjes në Superiore, që është i panegociueshëm, ne edhe në Kupë do të luftojmë realisht me objektiv të qartë, pasi para dy sezonesh ia kemi dalë të shkojmë deri në gjysmëfinale, duke lënë pas skuadra me zë të Superiores. Ashtu siç e theksova edhe më lart, merkatoja është mbyllur, pasi jo vetëm për formacionin kemi marrë lojtarë me kualitet, por kemi edhe stol cilësor. Kjo është shumë e rëndësishme për një ekip pretendent për t’u ngjitur në elitë. Tani po u jepet dora e fundit përgatitjeve dhe në start do t’i kemi ‘motorët’ në kapacitetin maksimal. Besëlidhja do të ngjitet në Superiore, për këtë i garantoj të gjithë”, ka shtuar presidenti Noka.

STRUKTURA – “Për strukturën dhe rregulloren e Kategorisë së Parë në përgjithësi jam dakord, por kur të ndërtohet kampionati me një grup pas dy sezonesh, skuadrat do të kenë vështirësi për largësinë. Po flas në përgjithësi, pasi jam i bindur se Besëlidhja në fund të këtij sezoni do t’i japë lamtumirën Kategorisë së Parë, duke e parë nga lart atë”, përfundon numri 1 i klubit lezhjan, Gjok Noka.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"