Pogradeci “zbërthen” Kastriotin pretendent, dopietë e Jahajt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2019 | 14:54

Pogradeci “zbërthen” Kastriotin pretendent, dopietë e Jahajt

Pogradeci ka bërë një paraqitje mjaft dinji toze përballë Kastriotit në miqësore, duke fituar thellë, 3-0, në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”. Edhe pse ishte një ndeshje miqësore, në momente të caktuara loja nuk i ka shpëtuar nervozizmit mes lojtarëve. Liqenorët, nën drejtimin e trajnerit të ri, Ardian Abazaj, i cili kishte vetëm 4 ditë në stol, dhanë maksimumin, edhe pse kishin disa mungesa lojtarësh me peshë.

pogradeci

Kastrioti po kryen fazën përgatitore në Ohër, në Maqedoninë e Veriut, dhe përfitoi nga afërsia për të luajtur këtë ndeshje, ku hasi vështirësi të mëdha, duke treguar se nuk është gati për kampionatin që nis pas disa ditësh. Krutanët patën më shumë probleme, sidomos në sulm dhe në portë. Pogradecarët shënuan shumë shpejt, që në minutën e 11-të, kur Jahaj, mjeshtëri i goditjeve standarde, mposhti Stojanofskin, portierin që duket se po provohet te Kastrioti. Krutanët reaguan më pas, por qëndronin larg portës së pogradecarëve.

pogradeci

Daci, Mehmeti dhe Bardhi kishin disa mundësi, më shumë nga goditjet standarde, por pa mundur të shënonin. Pjesa e dytë nisi pa zëvendësime, edhe pse veçanërisht Pogradeci kishte shumë lojtarë në stol. Në minutën e 48-të, vendësit fituan një penallti me Liçkollarin, i cili u pengua në mënyrë të parregullt në zonë. Jahaj u tregua i saktë edhe nga pika e bardhë dhe rezultati shkoi 2-0. Pas këtij momenti kanë filluar edhe zëvendësimet e shumta te liqenorët, që e ulën disi ritmin e takimit. Në minutën e 85-të, Laçka do të shënonte edhe golin e tretë të ndeshjes me një goditje të saktë nga jashtë zonës. Një ndeshje e mirë për Pogradecin, kurse Kastrioti, me atë që tregoi në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”, do ta ketë të vështirë ta synojë elitën.

ROMEO XINXIFI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"