Pogradeci pranë akordit me bomberin e së Parës, pritet edhe portieri i Tërbunit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2019 | 23:41

Pogradeci pranë akordit me bomberin e së Parës, pritet edhe portieri i Tërbunit

Pogradeci nuk di të përmbahet në këtë merkato. Pasi afruan Albi Çekiçin dhe Ildian Shtyin, liqenorët janë shumë pranë akordit me kryegolashënuesin e Kategorisë së Parë. Bëhet fjalë për Klejdis Branicën, autorin e 14 golave me fanellën e Egnatias. Drejtuesit kanë nisur prej kohësh kontaktet me sulmuesin dhe duket se e kanë bindur.

pogradeci-750x430

Parimisht mund të thuhet që ka një akord dhe nëse gjithçka shkon sipas planeve, do të vijë edhe firma mbi kontratë. Kujtojmë që peqinasi e mbylli kampionatin e fundit pikërisht në Rrogozhinë, por derisa marrëveshja ka qenë sezonale, zyrtarisht ka dalë i lirë në treg dhe te Pogradeci po nxitojnë që ta “rrëmbejnë”.

Madje është vetë Arjan Tërolli, shefi i klubit të liqenorëve, që konfirmon për “Panorama Sport” se lojtari në fjalë ka rënë dakord që me fillimin e fazës përgatitore të mbyllin edhe procedurat kontraktuale. Por, nuk janë të vetmit. Kjo verë pritet realisht e nxehtë për pogradecarët. Ata po bëjnë çmos që ta kenë grupin gati deri në rifillimin e stërvitjes për sezonin 2019- 2020. Në të njëjtën situatë si me Branicën janë edhe me dy futbollistë të tjerë.

Branica

Kujtojmë që ka qenë vetë Festim Fetollari, që e ka thënë dhe stërthënë se priste një portier dhe një mesfushor për këtë “dritare” transferimesh. Dhe më në fund janë zbuluar edhe emrat prej gazetës. Bëhet fjalë për 21-vjeçarin Mateo Boçi, pogradecarin që sezonin e fundit e ka mbyllur te Tërbuni, dhe Alton Shkëmbin.

Ky i fundit vjen nga Greqia, ndërsa sipas të dhënave rezulton se është mesfushor 24- vjeçar, që sezonin e fundit ka luajtur për Patrën. Ashtu si sulmuesi, edhe dy të tjerët priten në Pogradec kur të nisin përgatitjet.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"