Pogradeci mund Elbasanin, lumë golash në miqësore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2019 | 15:53

Pogradeci mund Elbasanin, lumë golash në miqësore

Pogradecarët vazhdojnë me rezultate pozitive në takimet miqësore, çka tregon se ata janë në formë të mirë në prag të kampionatit të ri. Disa ditë më parë ata mundën thellë Kastriotin, kurse dje përballë tyre ishte Elbasani, që duket se është ende shumë larg emrit që mban, edhe pse në këtë ndeshje ka treguar dëshirë dhe grintë. Lojtarët e Pogradecit ishin më këmbëngulës dhe më luftarakë për topin e parë.

Pogradeci555

Rezultati? Festival golash në Pogradec, plot 8, 5 nga të cilët për vendësit. Ishin elbasanasit ata që hapën serinë e golave që në minutën e 6-të, kur Balla, pas një kombinimi në hyrje të zonës, depërtoi brenda saj dhe afër pikës së penalltisë gjuajti saktë tokazi dhe mposhti portierin Berberi. Menjëherë reagoi Pogradeci, duke shënuar tre gola brenda pjesës së parë. Në minutën e 15-të dhe 25-të, sulmuesi Topllari e kaloi Pogradecin në avantazh me dy gola. Në rastin e parë ai shënoi me kokë, kurse në të dytin shfrytëzoi topin e futur në zonë nga e majta e sulmit nga ana e Shkullakut. Më pas u shfaq edhe Alillari, i cili me një inkursion vetjak shmangu dy mbrojtës kundërshtarë dhe goditi fort, duke mposhtur portierin Moli.

NDESHJA

Me rezultatin 3-1 u mbyll pjesa e parë, që kishte ritëm dhe luftë të fortë sportive. Pjesa e dytë ishte në fillim të saj totalisht e miqve nga Elbasani, të cilët duket se e kishin vlerësuar shumë këtë miqësore. Pogradecarët lëshuan terren dhe Elbasani shënoi dy gola, duke e barazuar rezultatin në 3-3. Peposhi në minutën e 53-të shkurtoi diferencën e golave dhe më pas, në të 65-ën, Bushi barazoi përkohësisht. Sërish Pogradeci reagoi mirë, duke kaluar në avantazh me anë të Topllarit, i cili mori një pasim të saktë nga Alillari në minutën e 72-të.

Pas dy minutash, vetë Alillari shënoi edhe golin e 5-të dhe të fundit të ndeshjes, por edhe të dytin personal. Pogradeci duket mirë në prag të kampionatit, megjithëse edhe në këtë ndeshje kishte mungesa. Stafin e tij teknik vazhdon ta shqetësojë mungesa e një portieri me përvojë.

ROMEO XINXIFI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"