“Pogradeci im, në 5-shen e parë”, rrëfehet trajneri i ri i liqenorëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 30, 2019 | 18:59

“Pogradeci im, në 5-shen e parë”, rrëfehet trajneri i ri i liqenorëve

Stafi teknik i Pogradecit u ndryshua i gjithi ditën e mërkurë. Vendin e Fetollarit e ka marrë Ardian Abazaj, i cili ka qenë edhe më parë disa herë në stolin e ekipit liqenor. E njeh shumë mirë grupin e futbollistëve, sepse Pogradeci ka në gjirin e vet shumë vendës, të cilët i ka drejtuar edhe kur ka qenë trajner i të rinjve pogradecarë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i ri ka shpallur objektivin e sezonit të ri, ku ekipin që drejton e mendon mes 5 më të mirëve të grupit.

pogradeci

Abazaj, pse vendosët t’i thoni “po” rikthimit te Pogradeci dhe çfarë të veçante ka ky rikthim për ju në stolin e këtij eki pi?

Është një ndjesi që e kam provuar edhe herë të tjera, pasi nuk është hera e parë që e drejtoj këtë ekip. E veçanta është se këtë herë kam një përgjegjësi edhe më të madhe. Kur reflekton mbi punën e bërë më parë, natyrisht që kërkon të bësh edhe më mirë. Mund të them se ky është një riprovim për mua dhe çdo trajner ka edhe egon e tij personale në çdo moment, me çdo ekip dhe në çfarëdo misioni që merr përsipër.

Sa e njihni ekipin aktual, që sezonet e fundit ka pasur një tjetër trajner?

Kam njohje të plotë. Pothuajse me të gjithë kam punuar më parë, jo vetëm te të rriturit, por edhe te të rinjtë. I njoh aq mirë sa i kam të qarta idetë e mia se ku ata japin më shumë, por dua të bëj një vlerësim për ta. Janë lojtarë me një karakter shumë luftarak dhe kërkojnë gjithnjë nga vetja të marrin maksimumin. Së bashku për këtë do të luftojmë fort sezonin e ri.

Ardian Abazaj

Ju, me çfarë objektivi e keni marrë drejtimin e Pogradecit, i cili ka kohë që i ka nisur përgatitjet?

Pogradeci është një ekip i respektuar nga çdo kundërshtar në Kategorinë e Parë për atë që jep në fushën e lojës. Në këtë moment jemi pak të vonuar në organizimin e ekipit dhe do të na duhet kohë, por deklaroj se ekipi ka si objektiv minimal një vend në 5-shen e parë. Sigurisht, do të kërkojmë me të gjitha mundësitë të ngjitemi sa më lart.

Po për merkaton, çfarë do të thoni? Është e mbyllur apo do të vazhdojë dhe kur do të nënshkruhen kontratat?

Normalisht, ne kemi një grup, por do të vështroj me shumë kujdes dhe imtësi çdo futbollist. Më pas do të jap një opinion të plotë për sa i përket merkatos. Ajo që mund të them është se na duhet një portier cilësor patjetër. Kontratat do të nënshkruhen javën e ardhshme, ndërkohë që disa futbollistë janë nën kontratë nga sezoni i kaluar. Është një çështje që do të zgjidhet shpejt dhe nuk na shqetëson aspak, pasi jemi në kohë.

Cila është fryma që mendoni të përçoni në ekip dhe nga kush e prisni suksesin?

Do të këmbëngul fort te disiplina, sepse e shikoj si një pikë që të bën të ndihesh i përgjegjshëm për punën që bën. Por, rëndësi ka komunikimi dhe njëkohësisht edhe kolektiviteti. Te grupi i bashkuar e shikoj rrugën më të mirë për sukses. Personalisht, do të kërkoj sakrificë nga djemtë, sepse kështu do të shpërblehet djersa që lojtarët derdhin në stërvitje dhe në ndeshje.

ROMEO XINXIFI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"