Pogradeci i zymtë, s’dihet çfarë do të bëhet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2012 | 10:52

Pogradeci i zymtë, s’dihet çfarë do të bëhet

Para një viti liqenorët e Pogradecit gëzuan titullin kampion të Kategorisë së Parë, madje për t’i uruar ata presidenti i FSHFsë, Armand Duka, ka qenë dy herë i pranishëm në “Gjorgji Kyçyku”. Mirëpo këtë sezon ndodhi që pikërisht në ndeshjen e fundit të zbresin një kategori më poshtë, duke mos mundur t’i rezistojnë ngarkesës së kampionatit. 20 vite iu deshën pogradecarëve që të hynin në Superiore, pak si shumë për një qytet që mbetet sportiv dhe me një traditë të hershme. Por nuk mbijetuam më shumë se një sezon. Dje, qyteti liqenor u gdhi i zymtë, e jo vetëm për rënien nga kategoria, e cila u shoqërua dhe më një furtunë reshjesh menjëherë mbas takimit me Skënderbeun. Ajo që i preokupon më tepër tifozët është se çfarë do të bëhet me ekipin, pasi presidenti aktual dhe njëherësh kryetari i bashkisë dha dorëheqjen pikërisht në pragun e takimit me Skënderbeun. Por, megjithatë, stafi vazhdoi stërvitjen duke i grumbulluar futbollistët dy ditë para ndeshjes dhe njëkohësisht duke i izoluar nga telefonat dhe shtypi sportiv. Ky grumbullim solli reflektim në ndeshje nga lojtarët, të cilët bënë një paraqitje të mirë, gjë që e shprehën edhe të pranishmit në stadium. E ndërsa tani u duhet të militojnë një kategori më poshtë, dilemat janë të mëdha se kush do të vërë dorë në skuadër. Duke filluar nga e hëna lojtarët kanë nevojë për përkrahje. Ndoshta mund të kthehen dhe futbollistët e larguar që për mendime të ndryshme u endën nëpër ekipe të Kategorisë së Parë. Tifozëria kërkon vazhdimësinë ose ringritjen e ekipit aktual. Analiza më e thellë mund të nxjerrë shkaqet e rënies nga kategoria, por kjo do të bëhet në ditët në vazhdim.
Pëllumb Starova

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"