Plani i Bajernit të Mynihut për stolin, Joakim Lëv në 2019-ën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2017 | 12:33

Plani i Bajernit të Mynihut për stolin, Joakim Lëv në 2019-ën

Skuadra e kampionëve gjermanë ka arritur të rikthejë formën e saj të mëparshme falë rikthimit të legjendës gjermane, Jup Hejnkes, në krye të pankinës. Hejnkes u rikthye për herën e katërt në drejtimin e klubit bavarez pas largimit të italianit Karlo Ançeloti pas humbjes 3-0 në përballjen me skuadrën e PSG-së në fazën e grupeve të Champions-it.

hejnkes

Mirëpo, që prej rikthimit të Hejnkesit është bërë e qartë se ai do të qëndrojë deri në fundin e këtij sezoni, por skuadra bavareze pretendoi se ai do të rinovonte pas përfundimit të kontratës, gjë e cila u mohua nga trajneri ditën e shtunë. Për këtë arsye, e përditshmja gjermane, “TZ”, ka zbuluar se favoriti kryesor në garën për të zëvendësuar legjendën Jup Hejnkes është pikërisht trajneri i kombëtares gjermane, Joakim Lëv.

joakim lev

Vetë trajneri Lëv ka deklaruar disa kohë më parë teksa është pyetur nëse do të rikthehej në pankinën e klubeve se ai do të kishte dëshirë të shërbente për një nga klubet e mëdha gjermane, ndaj thuhet se ai do të jetë pasuesi i Jup Hejnkes në klubin e Bajernit. Gjithashtu, mediat gjermane kanë zbuluar se Joakim Lëv do të mbyllë detyrën e tij në kombëtaren gjermane pas përfundimit të Kupës së Botës në 2018-ën.

Nga ana tjetër, ekziston edhe një opsion tjetër për skuadrën e kampionëve gjermanë, i cili është rinovimi me Hejnkesin deri në vitin 2019 dhe më pas emërimi i trajnerit të kombëtares, Joakim Lëv. Disfata e skuadrës bavareze nën drejtimin e Jup Hejnkesit përballë Gladbahut ka vërtetuar se ka ende probleme, të cilat duhen zgjidhur si pasojë e periudhës së Karlo Ançelotit.

jupp-heynckes-joachim-loew-514

Këto probleme kanë të bëjnë edhe si pasojë e gjeneratës së re në skuadrën e kampionëve gjermanë, ku sipas gjermanes “TZ” thuhet se zgjidhja e vetme do të ishte një gjeneratë e re edhe në pankinën drejtuese të kësaj skuadre. Por ka mbetur ende e paqartë pas rikthimit të legjendës Jup Hejnkes se cili do të ishte trajneri më i përshtatshëm për skuadrën e Bajernit. Dy prej emrave të përmendur më parë si favoritë për drejtimin e skuadrës bavareze ishin edhe Tomas Tuhel me Julian Naglesman.

Tuhel mund të jetë një trajner tepër i mirë, por pritshmëritë për të dështuar në krye të skuadrës bavareze janë të barabarta me problemet që e ndoqën edhe në Dortmund. Nga ana tjetër, edhe trajneri i skuadrës së Hofenhaimit, Julian Naglesman, i cili u përfol si përfaqësues i epokës së re në skuadrën bavareze, dështoi në Europa League në sfidën e tij të parë ndërkombëtare.

Për këtë arsye, ai nuk do të ishte ende i duhuri për të zëvendësuar legjendën Hejnkes si pasojë e përvojës së pakët që ka, sidomos në një nga klubet më të mira në Europë sikurse është Bajerni.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"