Plane për të shitur Ethemin dhe Limajn, te Kukësi duan të përsërisin rastin “Guri”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2019 | 9:26

Plane për të shitur Ethemin dhe Limajn, te Kukësi duan të përsërisin rastin “Guri”

Kukësi e nisi mjaft mirë kampionatin duke mundur Partizanin që në start. Nënkampionët morën 7 pikë në tri javët e para, por në vijim skuadra pati ulje-ngritje dhe tashmë pas 12 ndeshjesh, ata kanë grumbulluar 18 pikë nga 36 të mundshmet. Drejtuesit e Kukësit vepruan në mënyrë të shpejtë e thuajse efikase në merkato, por pa dyshim ata i kanë dhënë prioritet të madh dyshes Vesel Limaj e Valon Ethemi.

Limaj-Ethemi

Me largimin e shumë senatorëve, vëmendja tashmë ka kaluar te disa lojtarë si Ethemi e Limaj që më parë konsideroheshin si në zhvillim e sipër e të vegjël. Tashmë janë pikërisht këta lojtarë, por dhe të tjerë që kanë marrë vëmendjen e drejtuesve, të cilët u kanë dhënë pamasë hapësira dy mesfushorëve, duke pasur idenë e qartë se çfarë kërkojnë prej lojtarëve e çfarë strategjie kanë ata vetë. Plani i drejtuesve të Kukësit pas afrimit të lojtarëve, është rritja, promovimi e pastaj shitja e lojtarëve.

E këtë strategji pritet që drejtori Nexhipi, por dhe stafi teknik ta zbatojnë. Ethemi është kthyer në titullar fiks e është rritur shumë profesionalisht, e Limaj gjithashtu. Drejtuesit kërkojnë që pse jo t’i ingranojnë dhe me Kombëtaren lojtarët në fjalë, pasi besojnë tek aftësia e tyre.

DREJTORI NEXHIPI

Shpeshherë në intervistat e dhëna për “Panorama Sport”, drejtori i Kukësit ka theksuar se klubi po punon për të arkëtuar të ardhura në verë, e këto mendohet të vijnë jo vetëm nëpërmjet Kupave të Europës, por sidomos nga shitjet.

Nexhipi 2

Pra, Kukësi jo vetëm po punon për të promovuar lojtarë, por dhe për të shitur e përfituar të ardhura prej këtyre lëvizjeve. Rasti Guri është shembulli më i pastër se si një klub mund dhe pse jo të pasurohet prej shitjeve. Kur drejtori Nexhipi u pyet në datën 4 shtator të këtij viti për plane për shitje, ai tha se klubi pret gjithçka.

“Si çdo klub, shpresojmë te ndonjë lojtar që mund ta shesim. E thashë se kemi lojtarë të rinj, me kualitet, të cilët mund t’i shesim që në janar. Ata e kanë në dorë që ta tregojnë veten sa më shumë në fushë. Ekipin po e ndjekin skautë të ndryshëm e nëse paraqiten mirë, e kanë vetë në dorë. Gjatë verës kemi pasur disa oferta, por jo zyrtare. Pas Kupave të Europës pati bisedime, por nuk u konkretizua diçka.

Kemi bërë një ekip që do të konkurrojë për titullin në Shqipëri dhe lojtarët nëse japin maksimumin, çdo gjë do të shkojë mbarë, pasi këtë gjë e kam provuar vetë edhe si lojtar. Ofertat nuk do të mungojnë. Nga ana jonë si drejtues do të punohet maksimalisht. Te Kukësi shembujt janë konkretë dhe të freskët. Rasti “Guri” është shembulli më i mirë se si lojtarët duhet të punojnë për të arritur larg”, përfundoi drejtori sportiv i Kukësit. Emrat që po punohet për shitje janë pikërisht Ethemi e Limaj.

 Skerdilaid Sulozeq – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"