Pikantet e ndeshjes Kukësi-Karabak/ Cungu fiksohet me këmishën, Nexhipi “zbut” Agollin me lule

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2018 | 22:42

Pikantet e ndeshjes Kukësi-Karabak/ Cungu fiksohet me këmishën, Nexhipi “zbut” Agollin me lule

Ndeshja mes Kukësit dhe Karabak, e vlefshme për raundin e dytë eliminator të Ligës së Kampioneve, nuk ka kaluar pa disa momente pikante në stadiumin “Loro Boriçi”. Pak tifozë, britma nga trajnerët, ngacmime për Agollin, Duka në tribunë, por jo vetëm. “Panorama Sport” sjell për lexuesin momentet më të veçanta nga ndeshja e djeshme.

kukesi3

* Fillimisht, kur dy ekipet zbresin në fushën e lojës nën himnin e Ligës së Kampioneve, Ansi Agolli, lojtari shqiptar i Karabak, përshëndetet normalisht me futbollistët e Kukësit pa ndonjë afeksion të shtuar. Para se të nisë loja, për kapitenin e kombëtares shqiptare ka një surprizë. Ai merr një tufë me lule, e cila i dorëzohet nga zyrtari i Kukësit Nexhipi, shoqëruar nga një vajzë e vogël. Kjo tufë me lule është simbolike dhe si shenjë falënderimi për kontributin e tij në kombëtaren kuqezi. Më pas, Agolli përshëndetet edhe me tifozët e pranishëm, të cilët e duartrokasin.

* Ndryshe nga ndeshja me La Valetan, në përballjen me Karabak ka një numër më të vogël tifozësh që mbështetën Kukësin në stadiumin “Loro Boriçi”, rreth 550 vetë në total. Edhe tifo-grupi “Mërgata”, këtë radhë janë më të pakët në numër se në sfidën ndaj maltezëve. Topin e parë në sfidën me kampionët e Azerbajxhanit e luajnë kuksianët. Karabaku nuk ka asnjë tifoz në stadiumin “Loro Boriçi”, kjo për faktin e largësisë nga Azerbajxhani në Shqipëri, por ndoshta edhe për një nënvleftësim të azerbajxhanasve.

* Trajneri i Kukësit, shkodrani Armando Cungu, i qëndron besnik këmishës së tij të bardhë, e cila në disa ndeshje i ka rezultuar me fat. Kujtojmë ndeshjen e fundit të Superiores të një sezoni më parë mes Vllaznisë dhe Tiranës, kur Cungu drejtonte Vllazninë dhe pas qëndrimit në Superiore atë sezon që u zgjidh në përballjen e fundit me bardheblutë, shkodrani festonte bashkë me këmishën e bardhë. Në minutat e para, trajneri i Karabakut qëndron i ulur në pankinë ndryshe nga Cungu, i cili është në këmbë gjatë gjithë kohës, duke udhëzuar të tijtë.

* Ansi Agolli e prek topin e parë pas rreth 5 minutash lojë. Në minutën e 25-të, tifozët e Kukësit fishkëllejnë kundërshtarin pas mbajtjes së topit për pak minuta në mesfushë. Tifozët e Kukësit nisin të brohorasin për ekipin e tyre në minutën e 35-të, pas një goditjeje dënimi të humbur nga Karabaku, por e rrezikshme.

* Në stadiumin e Shkodrës i pranishëm është edhe presidenti i FSHF-së, Armando Duka, i cili para takimit takon Agollin, duke bërë edhe një fotografi së bashku. Qartazi duket se është një takim miqësor mes tyre.

* Në minutën e 60-të, trajneri Cungu nervozohet për një faull të padhënë në mbrojtjen e azerbajxhanasve, por gjyqtari vijon lojën.

* Është minuta e 68-të, kuksianët fitojnë një goditje dënimi dhe gjejnë menjëherë mbështetjen e tifozëve, të cilët brohorasin për të dytën herë për ekipin e tyre.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"