Pikante / Daja e feston me raki, tifozët përplasen me Gavazajn pas thirrjeve “estradë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2017 | 14:34

Pikante / Daja e feston me raki, tifozët përplasen me Gavazajn pas thirrjeve “estradë”

Takimi i djeshëm ka qenë plot surpriza dhe çudira. Mirëpo, nëse për çdokënd mund të jetë dukur një ndeshje futbolli e luftuar deri në sekondën e fundit, për vetë pjesën më të madhe të të pranishmëve në shkallët e stadiumit ka ngjarë me “estradë”. “Panorama Sport” sjell “pikantet” e ndeshjes, si dhe momente e veprime të aktorëve kryesorë që nuk janë parë në televizion.

Skenderbeu festa

Batuta, shishe e gota të thyera në zyrën e presidentit, si dhe një veprim i çuditshëm i trajnerit Daja, i cili ka pirë raki, edhe pse nuk është e preferuar për të. Gjithashtu, nëse ka pasur kontestim të fortë të tifozëve, nga ana tjetër, ka pasur edhe mbështetje të ngrohtë nga të dashurat dhe bashkëshortet e disa prej protagonistëve, të cilat kanë qenë në tribunën VIP.

KONTESTIMI I TIFOZËVE

Për gati 80 minuta tifozët e Skënderbeut kanë qenë të mrekullueshëm duke mbështetur ekipin në fushë, por dhjetë minutat e fundit shërbyen për të shumëzuar me zero të gjithë sezonin. Të pafalshme ishin ofendimet dhe sharjet e tifozërisë karshi ekipit, si dhe thirrjet “Estradë, Estradë!”. Një gjë e tillë ka revoltuar mjaft Gavazajn, i cili është përballur me ta, duke marrë si shpërblim për shpirtin e dhënë në fushë një lumë sharjesh dhe bidonë të hedhur në drejtim të tij e stolit.

Takaj-Zeqo

PRESIDENTI “ME ZEMËR”

Fundi i takimit ka qenë aq dramatik në Korçë, sa edhe në dhomën e presidentit Takaj gjeje gota dhe shishe të thyera nga mërzia. Në fund korçarët mund të marrin frymë lirisht e kjo duket edhe në fytyrën e presidentit. Në një bisedë me miqtë, Takaj tregon se ka qenë takimi më i vështirë për të dhe se nuk e ka përjetuar asnjëherë këtë emocion. Ndërsa miqtë i kërkojnë një darkë si shpërblim. “Asnjëherë nuk e kam ndjerë veten kështu, një ndeshje që më ka bërë me zemër. Për një moment mendova se gjithçka mbaroi”, ishin fjalët e Takajt. Ndërsa miqtë e tij nuk i kanë kursyer batutat: “Tani na ke borxh një litër gjak dhe një darkë pas kësaj nate të çmendur”.

DAJA

Edhe Ilir Daja duket se ka qenë tepër i emocionuar pas ndeshjes, gjë që miqësisht e ka ndarë me gazetarët e pranishëm. “Çfarë dite ishte kjo kështu. E ndjeva të nevojshme për të pirë një gotë raki menjëherë pas takimit, edhe pse nuk e preferoj. Por sot (dje) e kisha të nevojshme për të mbledhur veten”, bëri me dije Ilir Daja.

daja

UDHËZIMET

Që në fillim të takimit pritej një ndeshje e fortë dhe emocionuese kjo e djeshmja dhe një gjë e tillë dukej nga mënyra sesi të dy trajnerët e nisën sfidën. Daja nga ana e tij udhëzoi edhe një herë për herë të fundit lojtarët në prag të sfidës, duke u dhënë detyrat e tyre, në veçanti Plakut dhe Malajt. Nga ana tjetër, Cungu që në minutat e para të sfidës është marrë me mbrojtësin e majtë, të cilin e ka mbajtur për rreth 3 minuta pranë vetes, duke i dhënë porositë e rastit, pasi në krahun e tij kalonin dy pesha “të rënda”, si Gavazaj dhe Vangjeli.

VONESA

Edhe pse lojtarët kanë hyrë në fushë, kryesori Beqiri është detyruar që ta nisë sfidën me disa minuta vonesë, duke i lënë në pritje futbollistët. Fillimisht mungesa e zjarrfikëses është bërë shkak i vonesës dhe arbitri ka parë ardhjen e saj. Por sërish takimi nuk nisi për shkak se kryesori priste orarin e duhur, fiks orën 19:00, për të startuar këtë takim.

tab

TABELA ELEKTRONIKE

Vllaznia shënon golin e parë dhe në stadium pllakos heshtja. Minuta e pestë ishte kur Shehi bëri atë gabim që u shndërrua në gol nga Çinari. Por pavarësisht golit, ora në stadiumin “Skënderbeu” tregonte shifrat 0-0. Një gjë e tillë vazhdoi për tri minuta, duke u rregulluar në minutën e 8-të. Sigurisht që një gjë e tillë solli edhe zhurmë në tribunë, teksa një pjesë e tifozëve që hynë me vonesë nuk e besonin kur dëgjonin se ndeshja ishte 0-1 për miqtë.

MBËSHTETJA

Si asnjëherë tjetër tribuna VIP ka qenë e mbushur me femra ditën e djeshme. Të dashurat e futbollistëve kishin pushtuar stadiumin në Korçë. E dashura e Latifit dhe e Malajt qëndronin ngjitur me njëratjetrën. Nga ana tjetër, prezente në stadium ishte edhe bashkëshortja e Ditmar Bicajt dhe e dashura e Olsi Gocajt. Pikërisht kjo e fundit në momentin e dëmtimit të Gocajt, nuk është interesuar aspak për 11-metërshin, por ka ndjekur me sy e shqetësuar të dashurin që po i drejtohej pankinës dhe më pas dhomave të zhveshjes.

latifi

SHPËRTHIMI

Goli i shënuar në fund të takimit ka çuar peshë tifozët bardhekuq që kanë shpërthyer nga gëzimi. Madje, një pjesë e tyre janë futur edhe në fushë pa mbaruar takimi. Por një gjë e tillë është lokalizuar menjëherë, duke i nxjerrë sërish tifozët jashtë saj, për të pritur fundin e ndeshjes.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"