Pezulloi për 24 orë yllin e kombëtares së basketbollit, Konstantinides: S’del njeri mbi ekipin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2017 | 15:59

Pezulloi për 24 orë yllin e kombëtares së basketbollit, Konstantinides: S’del njeri mbi ekipin

Një debat mes trajnerit të Kombëtares shqiptare, Antonis Konstantinides dhe titullarit Franko Bushatit mbrëmjen e së martës në seancën e radhës stërvitore, i kushtoi fanellën vetëm për 24 orë legjionarit kuqezi.

kombetarja basketboll

“Shko vishu!”. Ishte urdhri i prerë i qipriotit ndaj Bushatit, teksa ky i fundit mësohet i kishte kthyer fjalën, me të cilën nuk ishte pajtuar eprori. Nga ai çast, Bushati lë parketin. Por, jo më larg se dje, basketbollisti është parë në parket sërish me kombëtaren, por kësaj here jo me grupin e titullarëve, por atë të rezervave.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri i kuqezinjve Konstantinides, ndërsa pranoi zgjidhjen e kësaj përplasjeje, u shpreh qartë se askush nuk mund të dalë mbi kombëtaren. Gjithashtu, trajneri foli edhe për refuzimin që iu bë për t’u stërvitur në Parkun Olimpik.

“Sa i përket çështjes së Parkut Olimpik nuk është një problem i trajnerit, por është çështje organizative. Por që do të ishte shumë më mirë për skuadrën të stërvitej në këtë sallë. Ndërsa për rastin me Bushatin mund të them se këto mund të ndodhin në çdo familje, në çdo skuadër. Megjithatë është një problem që gjeti zgjidhje dhe që duhen ta dinë të gjithë që skuadra është më lart nga gjithsecili prej nesh.

basketboll kombetarja

Falje? Nuk ka qenë e nevojshme për të kërkuar falje, por e vë theksin se unë si trajner nuk e shoh me syrin se ku luajnë lojtarët. E përsëris, skuadra është mbi të gjithë ne, mbi mua si trajner dhe lojtarët. Unë i respektoj të gjithë lojtarët që janë në skuadër, por njëherësh për të mirën e skuadrës edhe ata duhet të përgjigjen për objektivat e ekipit”, ishte sqarimi i Konstantinides rreth përjashtimit të përkohshëm të basketbollistit Franko Bushati.

STËRVITJET

Kombëtarja vijon përgatitjet në prag të paraeliminatoreve të Botërorit 2019, ku është në Grupin B me Austrinë dhe Holandën. “Përgatitja e deritanishme ka shkuar shumë mirë. Vë re që lojtarët kanë shumë energji gjatë seancave stërvitore. Patëm 2-3 probleme me dëmtime të disa lojtarëve si Muça dhe Taflaj, por gradualisht ata janë drejt rikuperimit të plotë për të qenë në dispozicion të skuadrës”.

MIQËSORET

Prova e parë e teknikut Konstantinides për të parë gjendjen e skuadrës do të jenë miqësoret e fundjavës me Kosovën për të vijuar javën e ardhshme në Armeni. “Këto ndeshje do të jenë shumë të rëndësishme, duke qenë se jemi një skuadër e re. Këto do të na vlejnë për t’u lidhur më tepër si grup dhe për t’u njohur me të mirat e të metat që kemi e të përmirësohemi përpara ndeshjeve zyrtare”.

konstandinidis

DEBUTIMI

Kuqezinjtë e koshit e nisin aventurën botërore më 2 gusht ndaj Austrisë në Parkun Olimpik dhe ku pretendimet e numrit një të Shqipërisë janë, përse jo, për fitore. “Duhet të pranojmë që do të jenë ndeshje shumë të forta, pasi përballë kemi kundërshtarë shumë të mirë. Por këtë vit do të jetë ndryshe nga edicioni i kaluar, pasi rivalët që kemi në grup nuk janë në një nivel sikurse Mali i Zi dhe Gjeorgji.

Më e rëndësishme do të jetë ndeshja e parë për ne, duke qenë se luajmë në fushën tonë, ndaj dhe duhet të fitojmë për të pretenduar më pas për t’u kualifikuar për në eliminatoret në Botëror”, e mbylli prononcimin e tij për gazetën trajneri i kombëtares, Antonis Konstantinides.

OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"