PESHËNGRITJE/ Kampionat spektakolar, festojnë Veli dhe Briken Calja! Përballje elektrizuese me Qerimajn

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2022 | 22:23


PESHËNGRITJE/ Kampionat spektakolar, festojnë Veli dhe Briken Calja! Përballje elektrizuese me Qerimajn

Peshëngritja shqiptare ka zhvilluar dje kampi onatin kombëtar për të rritur, një aktivitet i rëndësishëm, që vjen para garave të mëdha ndërkombëtare që e presin shtangën kuqezi.

Veli

Ashtu sikurse pritej, ky kampionat rezultoi vërtetë spektakolar, duke nisur që nga paraqitja fantastike e Evangjelia Velit, për të vijuar me duelin shumë emocionues të kampionëve Briken Calja dhe Erkand Qerimaj. Ndërsa edhe një herë tjetër Tirana vazhdon të bëjë ligjin në rang ekipor.

Briken

FEMRAT – Në radhët e vajzave ra në sy forma fantastike e Evangjelia Velit, e cila u shpall sportistja më e mirë e kampionatit. Me 91 kg në shkëputje, 110 në shtytje dhe me 201 kg në dygarësh, Veli vendosi tri rekorde të reja kombëtare në peshën 59 kg. Ajo u tregua thjesht perfekte, teksa i kaloi me sukses të gjashta provat. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Veli u shfaq shumë e kënaqur me garën:

KAMPIONET TE FEMRA

“Jam shumë e gëzuar, sepse vendosa tri rekorde kombëtare, por mbi të gjitha sepse realizova gjashtë prova të sakta, gjë që më jep shumë zemër. Gjithashtu ishte edhe një test, edhe pse Europiani është larg akoma. Ishte një test për mua për të parë formën dhe gjendjen e këmbës. Për Europianin nuk dua që të jap premtime të mëdha, por dëshiroj që patjetër të ngjitem te shkalla më e lartë”, u shpreh Veli. Në rang ekipor për vajza Tirana u shpall kampione duke lënë pas Elbasanin në vend të dytë, ndërsa vendi i tretë i takoi Partizanit.

MESHKUJT – Gara te djemtë kishte gjithçka brenda, konkurrencën, spektaklin, “fair play” dhe emocione, të cilat i dhuroi dueli ndërmjet Briken Caljes dhe Erkand Qerimajt në peshën 81 kg. Në shkëputje triumfoi shkodrani me 154 kg kundrejt 150 të Caljes Por shtërmenasi ktheu gjithçka në favor të tij në shtytje, aty ku realizoi me sukses 190 kg, ndaj 184 të Qerimajt. Kështu, me 340 kg në dygarësh titulli kampion shkoi për Briken Caljen. Pas garës të dy sportistët u shfaqën krah njëri-tjetrit për intervistat.

“Ishin prova ku tregova përmirësim në rezultatet e arritura në palestër. Synimi është i qartë për shkak të Kampionatit Europian që do të mbahet në Shqipëri dhe normalisht që ka vend për përmirësim, pasi jemi akoma në fazë përgatitore dhe është ende herët. Por nuk duhet të harrojmë që prej 7 vitesh që nga 2013-ta jam medalist në çdo Europian.

Meshkujt

Ashtu sikurse e thanë edhe presidenti apo Erkandi, e rëndësishme është që medaljet të vijnë në Shqipëri dhe të këndohet himni shqiptar”, deklaroi ndër të tjera pas garës Calja. Ndërsa edhe Qerimaj u shfaq shumë i kënaqur me rezultatet, duke përgëzuar kundërshtarin, teksa të dy dhuruan një sfidë emocionuese që i argëtoi të pranishmit. Edhe te meshkujt kampione u shpall Tirana, ndërsa Elbasani dhe Teuta u renditën në vend të dytë dhe të tretë.

ELEZ GJOZA – Për kreun e FSHP-së nuk ka asnjë dyshim, teksa tha se Europiani do të flasë shqip: “Na është dashur një punë e jashtëzakonshme, shumë e madhe, jo vetëm me këta sportistë, por edhe me ekipin e të rinjve që është shumë premtues me Kofshën dhe Ferrën, të cilët janë kandidatë për “Paris 2024′.

ELEZ GJOZA 1

Ndërsa Briken Calja dhe Erkand Qerimaj prodhuan rezultate të nivelit botëror. Të vjen keq që do të kemi vetëm Briken Caljen në Lojërat Mesdhetare, për shkak të rregullave të Federatës Botërore, pasi nga Qerimaj humbasim 3 medalje”, deklaroi Elez Gjoza.

PANORAMASPORT.AL