Pesë lëvizje për të ndryshuar fatin e skuadrës, ja si Hallaçi e bëri Kukësin të frikshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2023 | 17:46

Pesë lëvizje për të ndryshuar fatin e skuadrës, ja si Hallaçi e bëri Kukësin të frikshëm

Eliminimi nga Kupa i hoqi mundësinë Kukësit të arrinte një nga objektivat sezonalë për fitimin e një trofeu, njëkohësisht edhe pjesëmarrjen në Kupat e Europës sezonin e ardhshëm. Mirëpo, edhe pse u eliminua, Kukësi tregoi se ka potencial dhe me rezultatet që ka treguar javët e fundit dhe lojërat e zhvilluara, arritja e këtij synimi nëpërmjet kampionatit nuk është më një utopi.

Hallaci Kukesi

Kura “Rraman Hallaçi” ka dhënë efektin e saj, në një kohë që verilindorët janë vetëm tri pikë larg vendit të tretë, pozicioni i fundit që i dërgon në Europë. Me ecurinë në javët e fundit dhe duke parë klasifikimin, Kukësi ka gjithë të drejtën të pretendojë këtë pozicion, edhe pse deri para pak javësh nuk largohej dot nga zona e ftohtë. “Panorama Sport” analizon pesë lëvizjet e teknikut që dhanë efekt të menjëhershëm në skuadër.

RIKTHIMI I KAPITENIT – Gjelbrim Taipi është lojtari më me eksperiencë dhe ylli i kësaj skuadre, por deri para uljes së Hallaçit në stol nuk po dilte në lojën e tij. Me hapësirat dhe besimin që tekniku i ka dhënë kapitenit, ai është kthyer në ditët e tij më të mira. Shënon, asiston dhe merr më shumë përgjegjësi mbi supe, ajo që i kërkohet një kapiteni dhe lideri të bëjë në një ndeshje futbolli.

GOLEADORI – Kukësi ka vuajtur jo pak këtë sezon për të gjetur një lojtar goli dhe duket se më në fund zgjidhja ka ardhur. Bëhet fjalë për Atdhe Rashitin, i cili prej tri ndeshjesh radhazi shënon gol, duke përfshirë edhe Kupën. 23-vjeçari ka fituar edhe duelin në majën e sulmit me brazilianin Barbosa dhe i ofron një siguri skuadrës në repartin e avancuar, me Kukësin që tani ndihet më komod në majën e sulmit.

MBROJTJA – Gjëja e parë që bëri kur mori drejtimin e skuadrës, edhe për shkak të eksperiencës si lojtar, Hallaçi rregulloi mbrojtjen. Lëvizje që dhanë menjëherë efekt, sepse në 12 takimet nën drejtimin e tij, Kukësi në gjashtë sfida nuk ka pësuar gol, duke marrë pikët e rëndësishme për renditjen. Dhe, nuk duhet harruar se mori drejtimin e një skuadre që kishte si objektiv primar mbijetesën deri në ato momente.

TIFOZËT – Thuajse në çdo deklaratë publike Hallaçi e vinte theksin te mbështetja e tifozërisë kuksiane, e cila këtë kampionat e kishte braktisur skuadrën. Situata ndryshoi, teksa në “Kukës Arena” tribunat nuk janë më të boshatisura dhe mbështetja është rritur. Jo më kot, në shtëpi Kukësi vjen pas katër fitoresh radhazi në kampionat, ndërkohë që më herët shtëpia ishte kthyer në një makth.

HARMONIA – Mund të kesh yje në skuadër, por pa harmoni vështirë se mund të marrësh rezultat. Kukësit nuk i kanë munguar lojtarët cilësorë, por i mungonin pikët dhe loja. Tani, në skuadër duket se është kthyer harmonia në grup dhe jo më kot kanë ardhur edhe rezultatet. Lëvizjet që u bënë në merkato nga ana tjetër e kompozuan grupin ashtu si duhet, ndaj në Kukës vazhdojnë të besojnë tek Europa.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"