“Përvojën do ta doja në ekip, por presidenti uli shpenzimet”, Dorëzohet Bubeqi: Nuk pres më përforcime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2022 | 11:06

“Përvojën do ta doja në ekip, por presidenti uli shpenzimet”, Dorëzohet Bubeqi: Nuk pres më përforcime

Besa mbyll merkaton. Pasi huazuan Arbër Deliun dhe Henri Sulovarin nga Laçi, kanë afruar edhe një të ri nga Kosova. Bëhet fjalë për mesfushorin 19-vjeçari nga Prishtina, Gentrit Talla. Me këta 3 lojtarë mbyllet “odiseja” e përforcimeve për kavajasit. Këtë e konfirmon vetë trajneri Dorjan Bubeqi, gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”. Edhe pse iu premtuan prurje cilësore, trajneri tashmë është dorëzuar.

Bubeqi

“Kam pritur deri më tani futbollistë për të plotësuar grupin pas largimeve të shumta. Deri në këto momente që flasim, çmoj si afrime vetëm 23 lojtarë, ata që kam në organikë. Janë të rinj ama, qoftë jabanxhinj apo kavajas.

Si përforcime çmoj huazimet nga Laçi, Deliun e Sulovarin dhe kosovarin Talla, të cilin duhet ta testoj ende për të parë se çfarë vlerash ka. Me sa duket, dalja nga objektivat ka bërë që edhe presidenti të ndryshojë strategji, duke mos kërkuar të shpenzojë miliona me lojtarë përvoje. Ne i patëm ata në ekip dhe nuk është se arritëm vendin e parë apo të dytin…

Shto këtu dhe vështirësitë reale që ka merkatoja e janarit. Lojtarin e mirë askush nuk e lëshon në këtë periudhë”, tha fillimisht tekniku. E thënë troç, verdhezinjtë do ta përballojnë sezonin me këtë kontingjent. Për Bubeqin jo çdo gjë duhet parë me pesimizëm, pasi me këta djem.

Besa arriti të fitonte në Cërrik. “Do të isha naiv, nëse do të thosha ‘nuk më bëjnë punë lojtarët me përvojë’. Çdo trajner do i donte. Po siç citova më lart, jam u detyruar të ‘gatuaj bukën’ me brumin që kam. Personalisht besoj te grupi që kam, por kuptohet që objektivin nuk kemi më 2 vendet e para. As që e mendoj me këta lojtarë të kap dhe parakaloj Bylisin dhe Erzenin.

Ashtu siç gjykoj se përtej largimeve apo afrimeve të pakta, ky grup mund dhe do t’ia dalë. Tani e gjithë vëmendja ime është përqendruar te ballafaqimi i radhës me Pogradecin.

Liqenorët kanë një grup që luajnë prej vitesh bashkë dhe pas anulimit të ndeshjes së parë, do kërkojnë pikë në Kavajë. Do të jetë ballafaqim i vështirë, por do të kërkojmë fitoren. Do të ishte një trepikësh që do të na bënte shumë punë”, përfundon trajneri.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"