Përveç Kosovës, Teuta “pazar” edhe te Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2018 | 17:12

Përveç Kosovës, Teuta “pazar” edhe te Vllaznia

Mesfushori kosovar, Florent Avdyli, ka gjetur akordin me Teutën dhe zyrtarisht mund të konsiderohet një futbollist i bregdetarëve, edhe pse akoma nuk është prezantuar nga klubi. Ndërkohë, edhe mesfushori tjetër kosovar, Roni Gashi, është shumë afër marrëveshjes dhe nëse bisedimet shkojnë sipas planit, mund të konsiderohet një lojtari i Teutës.

Trajneri i ri i durrsakëve, Bledi Shkëmbi, i njeh mjaft mirë lojtarët, pasi i ka drejtuar të dy te Liria e Prizrenit. Bisedimet janë në një fazë të avancuar dhe mesfushorët nga Kosova pritet të jenë dy afrimet e radhës për bregdetarët, që tashmë i kanë synimet e qarta, pasi duan të ndërtojnë një skuadër kompetitive për sezonin e ardhshëm.

mocka-teuta-470x353

PLANI

Teuta kërkon të përforcohet me patjetër në mesfushë dhe burime pranë klubit bëjnë me dije se në fokus është edhe një lojtar i kampionatit shqiptar. Më konkretisht bëhet fjalë për një futbollist të Vllaznisë, i cili ka shfaqur një nivel të lartë gjatë këtij sezoni, ndërsa ka eksperiencë të mjaftueshme. Bisedimet janë në fazë fillestare dhe ndaj ende nuk bëhet i ditur emri i tij. Dëshira e presidentit Edmond Hasanbelliu ishte të afronte në merkato lojtarë shqiptarë dhe deri në këtë pikë duket se po i qëndron dëshirës së tij. Baza e skuadrës do të jetë me futbollistë vendës dhe që e njohin mirë Kategorinë Superiore. Gjithashtu, në sulm pritet një “bomber”, por deri tani nuk ka pasur asnjë gjë konkrete. Mundësitë më të mëdha janë që sulmi të jetë i huaj dhe kryesisht nga Afrika, por gjithsesi ka disa mundësi.

STAFI

Sa i përket stafit teknik, pritet të ketë përforcime të tjera, pasi deri tani janë zyrtarizuar vetëm trajneri dhe përgatitësi atletik, Iris Selimi. Mësohet se edhe zv.trajneri dhe trajneri i portierëve do të jenë ekskluzivitet i trajnerit Shkëmbi, i cili kërkon të afrojë në skuadër dy emra të njohur të futbollit të luajtur. Bisedimet janë në fazë përfundimtare dhe gjithçka mund të zgjidhet në 24 orët e ardhshme. Si zv.trajner është përfolur ish-mbrojtësi Erbim Fagu, i cili në dy vitet e fundit punon në Akademinë e Futbollit. Gjithsesi, në ditët e ardhshme do të konkretizohen të gjitha lëvizjet, në një kohë që puna me skuadrën pritet të startojë në muajin tjetër.

Drilon Xhepollari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"