Përplaset me Salihamixhiç, Flik kërcënon me largim: Nuk dorëzohemi, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2021 | 23:21

Përplaset me Salihamixhiç, Flik kërcënon me largim: Nuk dorëzohemi, por…

Situatë jo e mirë në shtëpinë e kampionëve të Gjermanisë dhe Europës. Kjo, edhe pas humbjes 3-2 në shtëpi ndaj Parisit ku skuadra gjermane nuk arriti të merrte qoftë një barazim në fushën e saj për të shpresuar për ndeshjen e kthimit e cila do të luhet më 13 prill. Sipas të përditshmes gjermane “Bild”, Hansi Flik u ka komunikuar bosëve të Bajernit se ai nuk është i kënaqur me situatën aktuale dhe po dyshon për të ardhmen e tij në Mynih pas përfundimit të sezonit.

flik

Situatën e kanë përkeqësuar, sipas mediave gjermane, mosmarrëveshjet mes trajnerit dhe drejtorit teknik, Hasan Salihamixhiç. Kjo, për çështjet rreth planifikimit dhe transferimeve të skuadrës. Trajneri dëshiron të marrë një vendim përfundimtar pas përfundimit të sezonit. Ndërkohë, një nga anëtarët e bordit drejtues në skuadrën gjermane, ish-portieri dhe kapiteni Oliver Kahn, është ai i cili ka fjalën më të rëndësishme këtu, ndërsa Rumenige do të largohet së shpejti, nuk ka ndërhyrë ende, por në të njëjtën kohë, ai nuk dëshiron të bëjë premtime që nuk dëshiron t’i mbajë, të tilla si, sigurimi i publikut që Flik do të qëndrojë përtej verës. Vetë Rumenige në fjalët e tij tha se trajneri 56-vjeçar do të qëndrojë në Mynih dhe nuk ka asnjë mundësi që ai t’i bashkohet kombëtares gjermane.

Flik apo Salihamixhiç? Dikush duhet të largohet për të sjellë paqen në klubin më të titulluar gjerman. Një situatë aspak e këndshme tani që skuadra është në muajin më të rëndësishëm të sezonit.

Flik Salihamixhic

BESIMI TE KTHESA

Ndërkohë, për t’u rikthyer te ndeshja me francezët, shpresa e trajnerit Hansi Flik ka bërë optimist shumë tifozë të Bajernit të cilët ashtu si trajneri nuk janë dorëzuar ende për një kalim në gjysmëfinale.

“Bëmë një ndeshje të madhe, krijuam shumë, edhe pse pësuam disa në pak raste që u goditëm nga kundërshtari. Kjo është për të ardhur keq, por nuk mund të fajësoj asnjë nga lojtarët për atë çfarë dhanë në fushën e lojës”, tha Flik që shtoi: “Parisi është një nga pretendentët për ta fituar këtë kompeticion, edhe ne e dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë. Nejmar dhe Mbape janë shumë të shpejtë dhe të vështirë për t’u markuar në aksionet një kundër një. Leva? Nuk e di nëse do të jetë gati për ndeshjen e kthimit, për këtë duhet të pyesni mjekët të cilët janë duke ndjekur riaftësimin e tij. Tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse të mendojmë për ndeshjen e kampionatit dhe më pas për sfidën e kthimit në Paris. Unë besoj se kështu duhet të bëjnë edhe lojtarët. Në Paris do të shkojmë për t’u kualifikuar dhe për t’u kthyer si gjysëmfinalistë”, përfundoi trajneri i kampionëve të Europës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"