Përgatitjet për miqësoren me Leçen, Lushnja stërvitet mes pluhurit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2017 | 13:46

Përgatitjet për miqësoren me Leçen, Lushnja stërvitet mes pluhurit

Lushnja ka nisur prej një muaji përgatitjet për sezonin e ri futbollistik 2017-2018. Gjatë gjithë korrikut ata i kanë kryer seancat stërvitore në fushën e stadiumit. Por, përtej të nxehtit afrikan, pengesë janë bërë edhe kushtet e vështira të terrenit. Nisja e punimeve në “Roza Haxhiu”, për t’iu përgjigjur kërkesave të sektorit të licencimeve, ka startuar me fushën, duke futur në hall ekipin e drejtuar nga Bano.

Lushnja 1

Ka filluar puna për ndërrimin e tapetit, ndërsa është hequr diçka më pak se gjysma e saj. Por, duke qenë se Lushnja nuk ka fushë tjetër për t’u përgatitur, është detyruar që të kryejë seanca në pjesën e paprekur. Në prag të miqësores së luksit me Leçen, një nga skuadrat më me emër në krahinën e Pulias, lushnjarët përgatiten në mundësi shumë të kufizuara.

Punimet kanë ecur ngadalë edhe pikërisht prej mungesës së një terreni të mirëfilltë. Me largimin e skuadrës drejt Italisë dhe më pas me zhvendosjen në Pogradec (ku do të kryhet edhe faza), mendohet që punimet e fushës do të ecin me ritme më të shpejta. Gjithsesi, problemi i pazgjidhur prej shumë vitesh do të jetë një ngërç për verdhejeshilët. Në Kategorinë e Parë situata e vështirë kalohej me terrenin aktual, ndërsa në Superiore një gjë e tillë duket e pamundur.

Miqësorja – Lushnja do të udhëtojë sot drejt Pulias, për të zhvilluar një miqësore luksi me skuadrën e Leçes. Ndeshja është në program edhe pse skuadra verdhekuqe vetëm pas dy ditësh do të luajë për Kupën e Italisë me Pro Verçelin. Për lushnjarët, ky do të jetë testi i dytë në kuadrin e përgatitjeve për sezonin e ri.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"