Përfundojnë pushimet e gjata, Besëlidhja zbarkon në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2021 | 17:53

Përfundojnë pushimet e gjata, Besëlidhja zbarkon në fushë

Merr fund pritja dhe pushimet e stërzgjatura. Sot pasdite në stadiumin “Besëlidhja” do të grumbullohet ekipi lezhjan për të filluar fazën përgatitore. Ndryshe nga tradita e dekadës së fundit, skuadra do të drejtohet nga Alban Bruka, i njëjti trajner që mbylli edhe sezonin e shkuar.

Beselidhja goli

Nuk pritet ndonjë prurje me peshë nga jashtë qytetit, por një gjë është e sigurt, do t’i mëshohet përsëri të vetmit objektiv: ngjitjes në Superiore. Kujtojmë se Besëlidhja do të nisë sezonin e 14-të radhazi në nivelin inferior të futbollit shqiptar. Gjatë 91 viteve që marrin pjesë në të gjitha kompeticionet zyrtare, 25 prej tyre i ka zhvilluar në nivelin elitar. Me qëndrimin kaq shumë vite me radhë në inferioritet, Besëlidhja e ka thyer një rekord “të zi” në historinë e saj gati shekullore.

Merkatoja e kësaj vere do të jetë me pikatore, pasi shumica e futbollistëve do të jenë vendës. Deri tani nga ekipi ka pasur vetëm largime, konkretisht shkodranët Kledi Dibra dhe Samet Hepaj, lezhjani Florian Përgjoni dhe kavajasi Edmond Hoxha, ndërkohë që pozita e shkodranit Samet Ruqi është ende e paqartë. Gjatë fazës përgatitore do të bëhet i mundur kompletimi i ekipit, por nuk përjashtohet edhe ndonjë prurje jashtë Lezhës, kjo gjithmonë nëse ekipi nuk shihet i kompletuar.

PRENG GJIKOLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"