Përforcohet Tirana, afron Hamatin dhe rinovon Hysa/ Bardheblutë vijojnë konsolidimin e skuadrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2021 | 10:32

Përforcohet Tirana, afron Hamatin dhe rinovon Hysa/ Bardheblutë vijojnë konsolidimin e skuadrës

Tirana në basketboll për meshkuj vijon konsolidimin e skuadrës për sezonin 2021- 2021. Pas rikthimit të Endrit Hysenagollit dhe rinovimit të Redi Voglit, bardheblutë kanë finalizuar me sukses edhe dy operacione të tjera shumë të rëndësishme në merkato.

Tirana basket

Në edicionin e ri 20 herë kampionët e Shqipërisë do të kenë në dispozicion shërbimet e Julian Hamatit, lojtar të cilin bardheblutë e kanë zyrtarizuar ditën e djeshme. Një afrim shumë i rëndësishëm për Tiranën, pasi bëhet fjalë për një basketbollit me eksperiencë dhe pjesë e skuadrës kombëtare. 28-vjeçari në sezonin e kaluar fillimisht iu bashkua Vllaznisë për të kaluar më pas në Kosovë te Bashkimi i Prizrenit, ndërsa në kampionatin shqiptar ka veshur gjithashtu edhe fanellat e Teutës, Kamzës apo Partizanit.

Ndërkohë një tjetër lëvizje shumë e rëndësishme për skuadrën kryeqytetase është rinovimi i kontratës me Eldi Hysën. 21-vjeçari ishte në lojtarët më të mirë të Superligës gjatë sezonit të kaluar, duke fituar me meritë të plotë një vend edhe në skuadrën kombëtare. Afrimin e Hamatit dhe rinovimin me Hysën, Tirana i ka njoftuar me anë të një postimi në faqen e saj zyrtare të klubit shumësportësh, në të cilin shkruan:

“Vazhdojmë të përforcohemi me djem fantastikë dhe ambiciozë. Nën projektin e lojtarëve vendorë, kemi arritur të mbyllim marrëveshjet me Julian Hamatin dhe Eldi Hysën. Skuadra jonë e meshkujve tanimë po merr formën e dëshiruar dhe është gati të marshojë drejt objektivave si dikur.

Hamiti

Me afrimin e Julit dhe konfirmimin e Eldit, merkatoja e klubit është drejt përfundimit. Drejtuesit së bashku me trajnerin po punojnë për të definuar dhe detajet e fundit, për të bërë ekipin ashtu siç i takon dhe ka hije. Mirëserdhët çuna!” Kështu thuhet në publikimin e skuadrës bardheblu që shoqërohet me prezantimin e dy lojtarëve nga drejtoresha e klubit, Deborah Keçi. Me këto lëvizje Tirana mendohet të jetë një skuadër pretendente për trofe.

Ndonëse gjatë 2-3 sezoneve të fundit kryeqytetasit kanë pasur vështirësi të shumta në aspektin financiar, skuadra ka treguar që mund të përballet denjësisht me ekipet që kanë investuar dhe janë tejmbushur me lojtarë të huaj, duke dhuruar lojëra shumë të bukura. Ndërsa në sezonin e ri, bardheblutë do të kenë një ekip më të kompletuar dhe trajneri Erkand Karaji do të ketë më shumë zgjedhje edhe për sa i përket stolit, që ka një qenë një prej problemeve më të mëdha që ka pasur në këto sezone.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"