“Për të qenë në elitë ti duhet të hedhësh para”, Guardiola: Edhe Bajerni me Milanin shpenzojnë për të fituar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2021 | 10:36

“Për të qenë në elitë ti duhet të hedhësh para”, Guardiola: Edhe Bajerni me Milanin shpenzojnë për të fituar

Pep Guardiola duket i shqetësuar për vonesën e rinovimit të Kevin De Bryjnes. Kontrata aktuale e mesfushorit belg skadon më 30 qershor 2023, por një prej lojtarëve më të rëndësishëm në “Etihad” ka vendosur që të marrë kohë deri në verën e ardhshme, ndonëse pak muaj më parë gjërat duket se po shkonin drejt një marrëveshjeje.

Guardiola

Dhe Guardiola tha në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me Uest Hemin: “Nuk e di pse duhet kaq shumë për të firmosur një kontratë të re, por unë nuk jam i përfshirë në bisedime dhe ai ka ende dy apo tri vite kontratë përpara se të skadojë kjo aktualja”. Pas fitores kundër Gladbahut, trajneri katalanas ironizoi duke thënë se sekreti i formës së skuadrës së tij që ka arritur 19 fitore radhazi është se ka shansin të ketë shumë para.

Por, dje ai u ndal ta analizonte më gjatë deklaratën e tij, duke këmbëngulur se kritikat ndaj klubit të “Qytetarëve” për mbështetjen financiare të sheikëve do të vazhdojnë për sa kohë ata të jenë të suksesshëm dhe shton se ka qenë gjithnjë e njëjta histori me të gjitha klubet që kanë dominuar: “Ne kemi këtë histori pas nesh. Do të jetë gjithnjë. Nuk pyet vetëm një gazetar, por të gjithë thonë se shpenzimet janë arsyeja përse ne fitojmë dhe ne duhet ta pranojmë. Duhet të jetojmë me këtë. Barcelona, Bajerni, Junajtidi, Milani, Rejnxhërsat, Sëlltiku fitojnë tituj sepse kanë më shumë para.

Për të qenë atje në majë ti duhet të shpenzosh. Kur Junajtidi fitoi, e bëri sepse ata shpenzuan më shumë para. E njëjta gjë me Barcelonën dhe Realin e Madridit. Unë nuk mendoj se ne ndryshojmë shumë nga klubet elitare. Për të fituar trofe, duhet të kesh lojtarët më të mirë. Nuk është sarkazëm, është e vërteta”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"