Për çka nuk do të mund të “flasim” për Kampionatin e Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2022 | 21:52

Për çka nuk do të mund të “flasim” për Kampionatin e Shqipërisë

Nga BESNIK DIZDARI

Dizdari2

Mbi të gjitha, nuk do të mund të flasim për historinë e tij. Megjithatë, pa e zmadhuar këtë, nuk do të mund të flasim për pjesën më të madhe të historisë së tij. Kësisoj, ngaqë ky kampionat, 2022-2023, do të ketë jashtë tij pjesën më të madhe të historisë tërësore të tij.

Kështu, nuk do të mund të flasim për 18 titujt e kampionit të Shqipërisë që quhet Dinamo, ngaqë ajo nuk është pjesë e këtij kampionati. Madje, në 11 kampionatet e fundit ajo ka qenë jashtë tij në plot 10 prej tyre. E kur kjo Dinamo nuk është, atëherë të duket krejt e pamundur të lidhesh me një mënyrë të natyrshme me historitë ndër më të bukurat e futbollit të Shqipërisë.

Në këtë rast me ato histori që kanë të bëjnë me Voglin, Vilën e Shaqirin, me Gjinalin e Jarecin, me Kavajën e Begenë, me Bushatin, Hallunin, Lubonjën e Vorfin, e deri me Ramën, Çeçon, Zërin, Pernaskën, Ballgjinin, Sejdinin, R.Ibërshimin, Demollarin, Targajn, Strakoshën, Markon e paksa madje, edhe me Zhegën e Pilikën. Po kështu ne nuk do të mund të përsiatim mendimin futbollistik as përmes historive të paharrueshme të Flamurtarit të Vlorës të Posellit, Dr.Samimit, Ibrahimit, M.Haxhiut, K.Çipit, Ferkos, Arapit, Kushtës, Gjondedës, U.Xhafës, Xhahos, Zijajt, Tahos, Petro e Vasil Rucit. Në të njëjtën kohë, nuk do të mund të flasim as për Skënderbeun e Samsurit, Marjanit, Plluskës, Koçës, Laros, Pilikës, Tuxharit, Vasos, Dinellës, Kaçit e Xhambazit.

 

Do ta kemi tejet të vështirë të përmendim edhe Besën e Kavajës të Telitit, Karriqit, Rrakllit, Bajazitit; e ndihmo o zot që të mbërrijmë sado pak te Merhorët e famshëm e te Gavardari, Gërmani, Sh.Topi e te dyshja Daiu-Lilamani. Vështirë vërtet, sepse skuadra jonë dikur aq tërheqëse e Kavajës futbollistike, ka 9 kampionate që nuk bën pjesë në Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë.

Ndërkohë që sa vështirë do të jetë lidhja me kujtesën e Tomorit të Beratit të Hodos, Zahos, Kovaçit, Kokalarit, Bozgos, Arbërit, Miles, ngaqë në 21 kampionatet e fundit, ai vetëm dy herë ka qenë pjesë e tij. Do ta kemi krejt të vështirë që ta përmendim qoftë dhe një herë të vetme Luftëtarin e Gjirokastrës të Brahos, Kallucit, Gurmës, Millos, Xhumbës apo Haxhit, sepse tashmë ai jo vetëm që mungon në kampionatin kombëtar të Shqipërisë, por mungon edhe në kampionatin e dytë të Shqipërisë.

Është në të tretin! E po kaq e vështirë do të jetë mandej që të përmendim skuadrën e stadiumit modern, atë të Elbasanit të profesor Bizhutës – të cilit ia zhdukën me plot arrogancë emrin e stadiumit – të Peqinit, Jorgaqit, E.Ibërshimit, Gjikës, Rudit, Duçkës, Lleshit e Gogunjës me shokë, ngaqë ky Elbasan jo vetëm që ka 8 edicione që nuk është pjesë e Kampionatit të Shqipërisë, por ka bukur nja dy vjet që është atje poshtë, i harruar, edhe ai në të tretin kampionat! Pse jo, nuk harrojmë as mungesën e një Apolonie të Fierit e të një Lushnje, deri dhe të një Kuçove – dikur Naftëtari i Qytetit Stalin – apo të një Besëlidhje të Lezhës – skuadra qytetare edhe këto, të cilat kanë dhënë aq fort për futbollin e qyteteve të tyre, e jo pak edhe për Shqipërinë.

harta logo

E shihni se sa poshtë ka rënë Kampionati i Shqipërisë? Përveç të tjerave, edhe sepse deri në këtë ditë të fillimit të tij, disi me vështirësi po arrijmë të mësojmë se ku e si do ta shohim, në cilin TV, në cilin ekran, në cilën “adresë”, në cilin abonim. Kjo ngaqë këtë të drejtë e paska fituar për një “çmim të lartë” një televizion ende pak i njohur. Bukur vërtet, sepse duhet edhe gara televizive. Por mjerë Shqipëria e futbollit nëse e quan të lartë atë çmim – edhe pse vërtetësisht qenka më i lartë se i kaluari- që nuk mund të krahasohet assesi thuajse me asnjë çmim të një kampionati tjetër në Europë. Dhe po guxoj të them se Kampionati i Shqipërisë – nën heshtjen olimpike të televizionit publik shqiptar (“RTSH”)- me nivelin që ka, ia vlen të transmetohet pa pagesë. “Ata” kujtojnë se shqiptarët janë kaq naivë sa t’u mbushet mendja se kampionati 2022-2023 do të jetë një risi e tërë. Mirëpo, ja që dihet se edhe risitë më brutale nuk mund të bëjnë pa historinë, pa bazën historike, pa përvojën e traditën historike – sferë jetese të gjitha këto në shpirtin e një kombi. Çka në këtë rast ajo është pjesë po shpirtërore edhe e kampionatit shtetëror të një kombi.

Kampionati i Shqipërisë nuk do të na mundësojë që të flasim për plot 7 skuadra të qyteteve prej 14 skuadrave, të cilat deri më sot janë ngjitur në podiumin e 3 vendeve të para të tij në plot 93 vjet jetë të themelimit. Është një kampionat që në dhjetëshen e tij “mikroskopike” pjesëmarrëse të sotme, do t’i mungojnë edhe plot 7 skuadra themeluese të tij, çka për fat të mirë nuk e kanë zvogëluar popullsinë e qyteteve të tyre, por që e kanë shtuar disa herë.

Çka do të thotë që kanë fëmijë e të rinj njëqind herë më shumë se dikur dhe se kjo popullsi kaq e re ka edhe kandidatë për t’u marrë po njëqind herë më shumë se dikur edhe me sport e futboll. Kësisoj, sot, në këtë dhjetëshe të mpakur të tij, Kampionati i Shqipërisë ka vetëm 3 skuadra të qyteteve themeluese të tij: Shkodër, Tiranë, Durrës! Ky është varfërimi i tejskajshëm i Kampionatit shtetëror të Republikës së Shqipërisë, të cilin organizimet e një horizonti fort të ngushtuar në ide e praktikë, e kanë përgjysmuar deri aty sa nuk na e kishte marrë kurrë mendja. E mandej këtë politikë a gjeopolitikë tejet të varfër të një kampionati kombëtar, po kërkojnë ta quajnë një risi. Në të “vërtetë” risi qenka. Është risi që ka përjashtuar nga pjesëmarrja në kampionat krejt Shqipërinë e Jugut.

Natyrisht nëse nuk kemi arritur deri aty sa që të mos quajmë Shqipëri të Jugut Berat-Korçë-VlorëGjirokastër… Mirëfilli risi është ndërkaq edhe dukuria tjetër që na thotë se për herë të parë në histori mungojnë së bashku në Kampionatin e Shqipërisë, pra njëkohësisht, Kavaja e Elbasani, Vlora e Korça, Gjirokastra e Berati. E dini se çdo të thotë kjo? Kjo do të thotë sikur në Kampionatin e Italisë – meqë e kanë shumë për qejf – të mungojnë njëkohësisht, Roma, Napoli, Torino, Bolonja, Firence, Verona, Gjenova… Dhe me sa duket, qenka “risi” edhe ky lajm më i fundit: që skuadrat mund të kenë 7 lojtarë të huaj, ku 5 prej tyre mund të luajnë në 11-shen e parë! Paçka se deri më sot asnjë lojtar i dëgjuar i futbollit europian nuk ka denjuar të vijë e të marrë pjesë në Kampionatin e Shqipërisë. Dhe kështu, rrejshëm, flitet për risi të aktivizimit të të rinjve, të cilët deri tani assesi nuk kanë shpëtuar prej kërcënimit të pranisë së lojtarëve të huaj, krejt mesatarë. Pa harruar mandej, se kampionatin që shkoi pati skuadra pa asnjë lojtar të qytetit që ajo përfaqëson.

HARTA E KATEGORISE SUPERIORE 2022/2023

Dhe guxojnë e flasin për akademi të futbollit që paskan shpërthyer anembanë klubeve futbollistike të Shqipërisë Demokratike!… Ky do të jetë kampionati që do të na pengojë të tregojmë, të përshkruajmë e t’u kthehemi historive të bukura, duke na penguar madje qoftë edhe të metaforizojmë, të krahasojmë apo të epitetizojmë sado pak – figura stilistike këto, prej të cilave nuk mund të ndahet gazetaria moderne, natyrisht jo ajo e lagjes së servilizmit “federalist”. E kemi fjalën për gazetarinë e “kurajës së ideve”, të “thellësisë së kritikës”, të “pasionit të etikës” e të “lirisë së mendimit”, siç përcaktoi këto ditë një gazetë perëndimore. Për fat, nuk do të mund të përçojmë fort ide të përparimit e të historisë, ngaqë do të na mungojnë plot skuadra tradicionale të qyteteve. Asisoj, edhe sepse, siç kemi shkruar me kohë, me këto mungesa, kemi kampionatin, që në cilësi po synon vendin e 50-të në Europën e vetëm 55 shteteve.

Dhe rikujtojmë se kemi tash e 9 vjet një kampionat me vetëm 10 skuadra, 70 për qind prej të cilave, thuajse janë të vetëm dy qarqeve të Shqipërisë. Kemi Qarkun e Durrësit, i cili ka 3 skuadra: Teutën e Durrësit, Kastriotin e Krujës, Erzenin e Shijakut. E po 3 edhe Qarku i Tiranës: SK Tiranën, Partizanin dhe Egnatian e Rrogozhinës. Çka do të thotë se na janë privuar pa mëshirë nga historia – e po aq edhe nga zhvillimet aktuale – skuadra të qyteteve tradicionale të Shqipërisë: Korçë, Vlorë, Kavajë, Elbasan, Berat, Fier, Lushnjë, Gjirokastër, Dinamo… Duke mbërritur deri aty saqë kemi jo pak skuadra pra, të cilat jetojnë e stërviten në Tiranë, duke u dukur vetëm një herë në dy javë në qytetin e tyre, për të kryer “detyrën” protokollare të një vetëm 90-minutëshi futboll. Dhe duke mos ndikuar aspak për përhapjen e përditshme të futbollit te fëmijët e të rinjtë e qytetit që përfaqësojnë. Çka do të thotë se ende nuk dimë nëse tash, në këtë kampionat, do të kemi risinë “e madhe” që çdo skuadër të jetojë, të stërvitet e të luajë në qytetin e vet.

Kur këto tri kërkesa që t’i detyron edhe FIFA, edhe UEFA, edhe vetë shpikja e futbollit apo ndoshta edhe International Boardi, na trembin se mos ndodh që nga 10 skuadra të këtij kampionati, nja dy a tri prej tyre nuk do të luajnë në qytetin e tyre. Megjithatë, ky kampionat apo sezon e ka një risi të madhe: risinë e risive, atë të zhdukjes pa mëshirë edhe të gjurmëve më të vogla – për fat ato qenë gjurmë fort të brishta – të Ligës profesioniste kombëtare të futbollit! Sepse vetëm kështu të gjithë mund t’i nënshtrohen pa bëza sundimit të papranueshëm të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Dhe sepse vetëm kështu pengohen shqiptarët të unifikojnë një histori, të mbështeten në një histori, të marrin forcë prej një historie, dhe të mos harrojnë mirëfilli po historinë. Harresë që, asisoj, dihet se sa fort ajo e pengon vetë zhvillimin. Tash meditoni mbi hartën bashkangjitur, autor i së cilës është autori i këtij shkrimi. Duke shpresuar se “Panorama Sport” do ta botojë dukshëm në faqen e parë të saj, për të kuptuar me një shikim të rrufeshëm edhe ata që nuk lexojnë shkrime, varfërinë penguese të kampionatit shtetëror (kombëtar) të Republikës së Shqipërisë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"