Pazaret e trukimeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2016 | 13:59

Pazaret e trukimeve

FATION SHEHU

 

Skënderbeu është një klub që ka hyrë në historinë e futbollit shqiptar për shumë “arritje”. Është klubi i parë që fitoi pesë tituj kampion radhazi, është klubi i parë që mori pjesë në fazën e grupeve të Ligës së Europës dhe është klubi i parë që është dënuar për trukim nga UEFA.

Të marrësh një thes me akuza dhe kritika dhe t’ia hedhësh klubit dhe drejtuesve korçarë është shumë e thjeshtë. Plotësisht e merituar, por është rruga më e shkurtër, që në fakt duket se nuk jep as zgjidhje dhe as shërim të “sëmundjes” së trukimit. Si fillim, akuzat në drejtim të Skënderbeut bien në vesh të shurdhër dhe mbi të gjitha në një “derë” që nuk të hapet, por, edhe po u hap, nuk di të përgjigjet.

Mjaftohet të shikohet reagimi i fundit që kanë bërë, pas kritikave të ish-kapitenit të Kombëtares, Rudi Vata, për të kuptuar nivelin e kundër-reagimit. E quajtën prostitutë. Edhe pse janë të dënuar për trukim, që është poshtërsia më e madhe që mund të bësh në një sport, pasi nuk shet vetëm ndershmërinë sportive për të fituar para, por shet edhe fanellën e një qyteti të tërë.

skenderbeu trofeu shulku

Gjithsesi, për të kaluar te thelbi i problemit, duhet zgjeruar rrezja e mikroskopit. Duhet gjetur se kush janë sponsorizuesit e vërtetë të trukimeve, për të ditur më pas nëse ia vlen të kërkosh llogari vetëm te klubi korçar. Skënderbeu nuk do ta kishte nisur serinë e titujve kampion radhazi nëse federata do ta inkurajonte duke heshtur dhe mbyllur sytë, kur fitonin ndeshjet në mënyrë teatrale, me ose pa dhunë. Skënderbeu nuk do kishte guxuar të vazhdonte në çdo sezon me ndeshje “simbol” sa i përket tolerimit apo paracaktimit nëse federata nuk do t’i duartrokiste në fund të edicionit dhe t’i përqafonte me lot gëzimi gjatë dhënies së trofeut kampion, sikur të nënkuptonte që “ia dolëm”.

Skënderbeu nuk do kishte guxuar të trukonte nëse Komisioni i Etikës nuk do kishte dënuar vetëm disa futbollistë fatkeq si: Vilson Lila (Tërbuni), Klodian Sulollari (Tërbuni), Kushtrim Mushica (Bylis), Elton Basriu (Bylis), Mariglen Shoshi (Bylis), Ahmet Haliti (Bylis), Arben Muskaj (Partizani), Ilion Lika (Flamurtari), Ganiol Kaçuli (Elbasani), Alfred Osmani (Teuta), Arian Pisha (Elbasani) për mosimpenjim në fushën e lojës. A thua sikur një ndeshje mund ta trukojë një futbollist i vetëm. Dhe, mbi të gjitha, a gjendet ndonjë prej lojtarëve të Skënderbeut në listën e të dënuarve? Kanë qenë të gjithë të pastër apo federata e ka inkurajuar që të vazhdojë manipulimet me mosndëshkimin e saj?!

jashanica skenderbeu

Me sa duket, nuk janë të gjitha rastësi, për të ngritur arsyeshëm një dyshim për një favorizim të hapur apo qoftë edhe një lidhje mes institucionit drejtues dhe klubit kampion. Ka pasur edhe nga ata dyshues që në kafenetë e ambienteve sportive kanë përfolur për një lidhje interesi direkte, por do preferoja të mos e besoja pa pasur fakte konkrete. Gjithsesi, një tjetër mbrojtje jashtë kufijve të normales, por e bërë pa diskutim për arsye të forta personale lidhet me dënimin e UEFA-s. Skënderbeu nuk do kishte trukuar as në Europë nëse nuk do ishte ndier kaq i paprekur në kampionat.

Dhe pikërisht qeveria e futbollit europian, falë fakteve të grumbulluara nga ajo vetë, vendosi ta ndëshkojë. Federata nuk mbajti asnjë qëndrim për këtë turp të madh mbi futbollin tonë. As të distancohet dhe as të inkurajojë të gjithë ata që kanë prova për trukim që t’i paraqisin apo t’i bëjnë publike. Edhe një herë tjetër dha mesazhin që pavarësisht ndëshkimit nga UEFA, në Shqipëri do ekzistojë pandëshkueshmëria. Por, sasia e mbrojtjes kaloi të gjithë kufijtë e të logjikshmes me deklaratën e sekretarit të përgjithshëm Ilir Shulku. “Unë mendoj se dënimi i UEFA-s ka qenë absurd, pasi janë marrë argumente nga ‘Facebook’-u”, tha ai.

Lojtaret-e-ekipit-te-Skenderbeut-duke-festuar-marrjen-e-kupes-se-Kampionatit-658x431

Nëse është kjo e vërtetë, si ka mundësi që federata nuk nxori asnjëherë vendimin e UEFA-s mbi Skënderbeun? Pse nuk u publikua prej tyre asnjëherë argumentimi i vendimit, për të mësuar të gjithë procesin e bërë dhe provat e paraqitura? Pse nuk i treguan të gjithë opinionit se klubi kampion është paragjykuar dhe dënuar pa fakte konkrete? Mos vallë ka pasur edhe lidhje të federatës mes provave të paraqitura? Janë dyshime që vështirë të faktohen, për aq kohë sa midis Skënderbeut dhe FSHF-së ka një kod “omerta” për të heshtur, si familjet mafioze italiane në vitet ’20.

Gjithsesi, edhe kur KAS la në fuqi vendimin e UEFA-s, sërish federata guxoi ta cilësojë si një vendim absurd, pavarësisht se e gjykoi pikërisht institucioni që dha drejtësi për Shqipërinë. Ai institucion që na bëri të besojmë se ka edhe drejtësi. Ai institucion që me vendimin e tij bëri që në zyrat e federatës të hapet shampanja e fitores. Vetëm disa muaj më vonë, ai u shndërrua në një gjykatë që merr vendime absurde. Një vlerësim kontradiktor dhe kjo është vërtet absurde…

Një kronologji argumentesh që të bën të besosh së Skënderbeu nuk është fajtori i vetëm. Se klubi dhe drejtuesit korçarë nuk do ishin katandisur duke u dënuar dhe përbaltur nga kushdo që i sheh përballë, nëse “prindi” i tyre në këtë sport do t’u tregonte se janë duke ndjekur rrugën e gabuar. Se do t’i mësonte se me “vjedhje” ka edhe ndëshkim. Se do t’u tregonte që fëmijët nuk duhet të rriten me shembujt e lojtarëve që paguhen shumë sepse dëgjojnë “urdhrat” e shefave dhe bëhen aktorë. Por, këto nuk i ka bërë sepse “prindit” i ka pëlqyer “fëmija”. Ai që rriti vetë që në hapat e parë dhe deri kur bëri të gjithë vendin të krenohej. E bëri nga dashuria apo interesi ky është një mister që me shumë gjasa do qëndrojë gjithnjë si i tillë. Por, Skënderbeu nuk është vetëm. Skënderbeu ka “tutor”.

asambleja e pergjithshme e FSHF

Nga ata “tutorë” që e mbrojtën atëherë kur gaboi rëndë dhe ende vazhdojnë ta bëjnë. Nga ata “tutorë” që prostitucionin e shikojnë si rrugë joshëse për përfitime. Nga ata “tutorë” që mendojnë se “çudia më e madhe zgjat 3 ditë” dhe gjithçka do harrohet. Nga ata “tutorë” që nuk guxojnë të flasin. Nga ata “tutorë” që, falë sistemit “skllavërues” të mirëpagimit të atyre pak intelektualëve të mbetur në një vend të varfër, bëjnë të heshtin edhe ata që duhet të flasin. Dhe kur dikush flet kundër rrymës së “tutorëve”, quhet prostitutë…

Kjo e bën më të rëndë realitetin e hidhur të sportit. Dhe, për ta përmirësuar apo rikthyer buzëqeshjen e fëmijëve që duan të ndjekin shembuj të pastër sportivë, nuk është Skënderbeu përgjegjësi i vetëm. Por edhe “tutori” i tij. Ai tutor që të quan kampion edhe nëse trukon…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"