“Pazar” në Shkodër, Flamurtari në bisedime me futbollistin e Vllaznisë/ Ja plani i vlonjatëve për merkaton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2022 | 21:30

“Pazar” në Shkodër, Flamurtari në bisedime me futbollistin e Vllaznisë/ Ja plani i vlonjatëve për merkaton

Flamurtari e ka marrë më shumë se seri ozisht merkaton. Ende pa u mbyllur kampionati, ata nisën me negociatat dhe tani e kanë një listë të gjatë dëshirash. Plani i Sinan Idrizit është ngjitja direkte në elitë, ndaj nuk ka në plan që të kursehet për të ndërtuar një ekip me “yje” për Kategorinë e Parë.

Fangaj

Gazeta “Panorama Sport” zbulon lojtarin e radhës që vlonjatët kanë në plane. Këtë herë kanë menduar të “peshkojnë” te Vllaznia dhe bëhet fjalë për Abdurraman Fangajn. Vlonjatët kanë hyrë në kontakte me 24- vjeçarin. Shkodrani shihet si një element i rëndësishëm për mbrojtjen. Gjasat janë që akordi mes Fangajt dhe Flamurtarit të arrihet shumë shpejt, me t’u mbyllur kampionati i Superiores.

MERKATO – Më herët gazeta zbuloi se dëshirojnë Mentor Mazrekajn, që luan te Laçi. E megjithatë, ende nuk mund të flitet për akord. Në plane është edhe Hose Denison Silva dos Santos, sulmuesi i krahut i Dinamos. Mesfushori është aktivizuar edhe te Drenica para se të vinte në Shqipëri.

“Sytë” janë hedhur edhe në Kosovë dhe pikërisht tek ish-ekipi i brazilianit të bluve. Vlonjatët janë të interesuar edhe për Kreshnik Ukën, golashënuesi më i mirë i ligës. Më parë ai ka qenë edhe te Prishtina. Mbetet për t’u parë nëse këta lojtarë do të pranojnë të afrohen në Vlorë, ndërsa burimet bëjnë me dije se Sinan Idrizi do ta bëjë një sforco financiare.

KONFIRMIMET – Burime pranë klubit thanë për “Panorama Sport” se shumë shpejt nisin rinovimet. Të parët me të cilët do të ulet administratori janë shkodranët Olsi Gocaj, Behar Ramadani dhe Denis Pjeshka. Po ashtu në Vlorë do të qëndrojnë edhe Ditmar Bicaj, Alked Çelhaka dhe Andi Ribaj. Edhe në Kategorinë e Parë, porta pritet që të mbrohet nga Shpëtim Moçka.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"