Partizani tentoi të përfitonte 400 mijë euro nga shitja e lojtarit, të kuqtë rrezikojnë të mbeten thatë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Shtator 19, 2020 | 23:25


Partizani tentoi të përfitonte 400 mijë euro nga shitja e lojtarit, të kuqtë rrezikojnë të mbeten thatë

Me merkaton të bllokuar, rikthimi i të huazuarve dhe rinovimi i kontratave me ata që ishin në skadencë shikohet si e vetmja frymëmarrje për Partizanin e trajnerit Ilir Daja. Drejtuesit e klubit fituan betejën me mesfushorin Esat Mala, ku evituan largimin me parametër zero të 21-vjeçarit. Pas manovrash dhe bisedash të vazhdueshme, Mala ka rinovuar me parametra të kënaqshëm, si për vete dhe klubin, ku i është bërë parapritë largimit jashtë vendit. Por nëse e kanë fjetur mendjen me mesfushorin, në kampin e kuq po lind një tjetër rast i ngjashëm. Partizani tani rrezikon të humbasë me parametër zero Jasir Asanin, të cilit i mbaron kontrata në janar.
Jasir Asani5
25-vjeçari iu bashkua të kuqve në shtator të 2017- ës, ku në kontratë ka pasur edhe një klauzolë për largimin e parakohshëm, që kapte shifrën 400 mijë euro. Këtë shumë Partizani synoi që ta përfitonte nga shitja tek AIK Stokholmi. Lojtari u huazua në janar për 6 muaj, me 10 mijë euro përfitim në muaj nga të kuqtë, me të drejtë blerjeje në qershor nga klubi suedez. Por pandemia “COVID19” i prishi të gjitha planet, ndonëse Partizani e la falas edhe për dy muaj tek AIK, i cili nuk e ushtroi të drejtën e blerjes për shkak të vështirësive financiare që po kalon. Asani është rikthyer te Partizani dhe konsiderohet pjesë e skuadrës së Dajës për sezonin e ri, por sipas kontratës i bie deri në janar, në rast se palët nuk rishikojnë marrëveshjen.
jasir asani 1
Së fundmi është folur për një kalim të mundshëm të Asanit në Turqi, ku janë përmendur edhe emra klubesh, por asgjë nuk ka hyrë në rrugë zyrtare. Që Partizani të mos e humbë 25- vjeçarin pa asnjë përfitim financiar, i bie që duhet ta shesë në këtë periudhë të mbetur të merkatos së verës, ose palët të gjejnë gjuhën e përbashkët për një rinovim kontrate.

Burime të gazetës pranë të kuqve bëjnë me dije se gojarisht lojtari ia ka dhënë fjalën Partizanit për rishikim të kontratës, por kur kanë mbetur edhe 3-4 muaj nga skadenca, zyrtarisht nuk ka gjë të nënshkruar, vetëm akord në parim mes palëve.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com