“Partizani nuk na tremb”, italiani Kolela pret kualifikimin: Kemi shanse të barabarta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2020 | 11:36

“Partizani nuk na tremb”, italiani Kolela pret kualifikimin: Kemi shanse të barabarta

Apolonia nuk i trembet aspak Partizanit, madje presioni është te “të kuqtë”. Fierakët e kanë mendjen më shumë në kampionat dhe nuk kanë se çfarë të humbasin në këtë ballafaqim.

Kolela Apolonia

“Kemi përballë një skuadër me histori, që e ka në gen trofeun, por ne do të luajmë të qetë, pa presion dhe të gatshëm për ta sfiduar Partizanin. Nuk humbasim gjë, përkundrazi, fitojmë përvojë dhe rritje nga kjo ndeshje. Do t’i vihemi përballë Partizanit, do të luajmë fort dhe bindshëm, pa asnjë kompleks dhe nuk e shohim si tabu kualifikimin për më tej. Me sa shoh, ata e kanë obsesion Kupën, ndërsa ne luajmë qetë, pa ngarkesa, ndaj gjykoj se kemi shanse të barabarta kualifikimi”, – ka deklaruar për “Panorama Sport” trajneri i Apolonisë, Xhovani Kolela, i cili në këtë ndeshje ka vendosur të luajë me pak ndryshime.

Sipas të gjitha gjasave, do të hedh në fushë këtë formacion: Harizaj në portë, Agyare, Bumbar dhe Repaj në mbrojtje, Haxhiu, Jeboh, Smaçi, Mehmeti e Mihana në mesfushë, si dhe dyshja afrikane: Ejoh-Artur, në repartin e sulmit.

KAMPIONATI U-21

Nikolin Çoçlli është jo vetëm “krahu i djathtë” i Kolelës, por edhe trajneri i “Shpresave” të Apolonisë. Në javën e parë të kampionatit U-21, Apolonia ka barazuar në transfertë me Kukësin dhe trajneri i 21- vjeçarëve fierakë, Nikolin Çoçlli, bën një vlerësim total të ndeshjes dhe të kompeticionit në tërësi. “Është një risi dhe eveniment i vlefshëm e i rëndësishëm në futbollin shqiptar, – thotë Çoçlli. – Ne e kemi vlerësuar shumë si kampionat dhe strategjia e klubit është fokusuar shumë tek U-21,sepse kemi potencial dhe organikë për çdo grup-moshë dhe kjo dihet, pasi Apolonia prej vitesh ka një strukturë dhe organizim të gatshëm për çdo kompeticion garues.

Apolonia

Tek U-21 ne kemi shumë lojtarë cilësorë, të cilët duan edhe pak kohë për të qenë të gatshëm për ekipin e parë ose që janë të gatshëm, por kanë rivalitet tek ekipi i parë, ndaj luajnë tek U-21, për të ruajtur formën e duhur, për të fituar eksperiencë, për ta marrë siguri dhe për t’u bërë gati që të japin më të mirën për ekipin e parë. Ka edhe shumë lojtarë që vjet kanë qenë titullarë në ekipin e parë, por konkurrenca tani bën punën e saj. Gjithsesi, këta lojtarë, pra krejt U-21, do të jenë e ardhmja e Apolonisë, ju siguroj, sepse kanë talent të konfirmuar”. Debatit për vlerën reale të kampionatit U-21, trajneri Çoçlli e nis me një kundërpyetje:

Coclli Apolonia

“Do të ishte më mirë të mos luanin fare lojtarët që nuk aktivizohen me ekipin e parë? Ja pse më së shumti vlen ky kampionat U-21, pasi kryen të plotë ciklin javor të çdo futbollisti, e mban të gatshëm dhe në tonus në çdo kohë për ekipin e parë. Po më thoni se mund të ketë zemëratë dhe humbje durimi nga lojtarë që luajnë gjatë në U-21… E drejtë, por nuk ka pse të ketë.

Në këtë ekip, U-21, çdo lojtar tregon vlerat e veta dhe e ka të hapur rrugën për tek ekipi i parë. Kjo gjë është esenciale, e kanë të qartë të gjithë lojtarët dhe mendoj se tek Apolonia nuk ka probleme të tilla pakënaqësie, pasi çdo gjë është qartësuar pa filluar ky kampionat”, ka përfunduar Çoçlli.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"