Partizani dhe Kukësi, shumë zhurmë për asgjë. Hasan Lika s’kënaqet: Lamë dy pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2014 | 13:01

Partizani dhe Kukësi, shumë zhurmë për asgjë. Hasan Lika s’kënaqet: Lamë dy pikë

Partizani-Kukesi 0-0PARTIZANI-KUKËSI 0-0
PARTIZANI: Hoxha, B. Krasniqi, Rrahmani, G. Krasniqi, Ibrahimi, Demiri (Musta 86’), Antanasijeviç, Hyshmeri, Mazrekaj, Dunkoviç (Sali 77’), Saçer (Pliska 58’). Trajner: Hasan Lika
KUKËSI: Halili, Shameti, Dikanoviç, Malota, Hallaçi, Musolli, Uçe (Hoxha 80’), Progni, Izuçuku, Cikalleshi (Brahja 69’), Boja (Hysa 60’). Trajner: Naxhi Shensoji
KARTONË TË VERDHË: Ibrahimi73’ / Cikalleshi 37’, Progni 77’, Shameti 78’
VËZHGUES: Sokol Jareci (Tiranë)
DELEGAT: Besnik Çela (Tiranë)
GJYQTARET: L. Jemini, E. Doda, D. Rexha (Tiranë)

MINUTAT
2’ Kukësi ka një mundësi shënimi me anë të Bojës, i cili përfiton nga gabimi i mbrojtësit Ibrahimi, hyn në zonën e Partizanit, gjuan, por topi përfundon jashtë.
7’ Renato Hyshmeri kërkon të befasojë me gjuajtjen e tij, që ishte tokas, por portieri Halili e devijon topin që përfundon jashtë.
10’ Kukësi humbet një rast të pastër shënimi me anë të Izuçukut, i cili merr një top të bukur nga Shameti. Nigeriani bën gjithçka mirë, përveç finalizimit.
13’ Goditje dënimi për Partizanin. Dunkoviç e dërgon topin në zonë, me kokë Rrahmani, por pa rrezik për portierin Halili.
14’ Nga mesfusha Dunkoviç lëshon një top të gjatë për Saçer. Pas shpinës së mbrojtjes mike, sulmuesi përfiton duelin e shpejtësisë me mbrojtësit, por gjuajtja e tij është e lehtë, pret Argen Halili.
27’ Cikalleshi gjuan bukur në drejtim të portës së Partizanit, por përcaktues del devijimi i topit nga Gëzim Krasniqi.
29’ Hyshmeri nga këndi lëshon top në zonë, Demiri me kokë, por jashtë.
32’ Nga këndi Progni lëshon top në zonë, me kokë Shameti, por pa rrezik për portierin Hoxha.
33’ Mazrekaj pason bukur për Dunkoviç, por gjuajtja përfundon jashtë.
42’ Besnik Krasniqi shërben për Dunkoviç, i cili brenda zonës e godet topin duke u rrotulluar, por jashtë kuadratit.
47’ Kroati Dunkoviç ka një mundësi të bukur për të shënuar, por portieri Halili bën mrekullinë duke e ndalur gjuajtjen e numrit 10-të të Partizanit.
53’ Antanasijeviç nga mesfusha lëshon një top në zonë dhe Demiri e godet me kokë, por gjuajtja përfundon mbi traun e portës.
59’ Besnik Krasniqi nga e djathta fut një top në zonë dhe Demiri shumë pranë portës e devijon pak topin, i cili largohet në krahun tjetër të fushës. 62’ Hyshmeri nga djathta gjuan tokas, por rrjetë e jashtme.
81’ Ylli Hoxha lëshon një top në zonën e Partizanit, me kokë Izuçuku, por jashtë.

Partizani-Kukësi pati pritshmëri të madhe, pasi të dy ekipet kishin bërë ndërhyrje të shumta në merkaton e janarit, me qëllimin e vetëm: fitimin e titullit kampion. Interesi i kësaj sfide u justifikua deri diku edhe me praninë e konsiderueshme të tifozëve në stadium, ndonëse moti nuk ishte i favorshëm. Pavarësisht se pritej shumë nga të dy kampet, që kishin bërë nga nëntë afrime, rezultati i takimit mbeti i bardhë deri në fund. Afrimet e të dyja skuadrave ishin fokusuar në tregun e huaj, por përforcimet e tyre nuk favorizohen nga rregulli “në fushë lejohen vetëm 4 jabanxhinj”. Takimi pati dy tablo, në pjesën e parë kuksianët ishin më të qartë në veprime, ndërsa e dyta ishte nën diktatin e Partizanit. Në këtë takim u krye një volum i kënaqshëm loje, por nga të dy kampet mungonte finalizimi i aksioneve. Të dy trajnerët donin fitoren, por me sa duket fitoi frika për të mos e nisur me humbje pjesën e dytë të sezonit. Një barazim pa gola, që nuk u shkon përshtat objektivave të të dy klubeve, pasi sot diferenca me vendin e parë mund të thellohet edhe më shumë, në rast se Skënderbeu fiton përballjen me Vllazninë. Te Partizani u pa mungesa e një sulmuesi me pasaportë shqiptare, pasi prania e tij në fushë mund t’i jepte më shumë frymëmarrje mesfushës duke aktivizuar një të huaj më shumë.
Pjesa e parë – Takimi nis më mirë për Kukësin, i cili që në minutën e dytë ka një mundësi shënimi me Bojën. Partizani hyn me vonesë në ndeshje dhe në minutat e para shikohet një pasiguri në veprimet mbrojtëse. Në minutat e para Kukësi i ka më të pastra rastet për shënim, por sulmuesit e huaj, Boja e Izuçuku, gabojnë në finalizim. Në minutën e 14-të kemi një aksion kroatësh për të kuqtë, ku Dunkoviç shërben bukur për Saçer, i cili lëviz me finesë, por goditja finale është e lehtë. Në minutën e 27-të Cikalleshi ka një mundësi të bukur shënimi, por ndërhyrja e mbrojtësit Gëzim Krasniqi rezulton përcaktuese. Pas minutës së 30-të trajneri Shensoji ndërron krahët e mesfushës, ku Progni i izoluar në të djathtë shkëmbehet me Cikalleshin. Në 10 minutat e fundit të pjesës së parë Partizani e merr veten dhe ka 2-3 raste shënimi me protagonist Antun Dunkoviç. Përpos rasteve për shënim, pjesa e parë mbyllet 0-0.
Pjesa e dytë – Partizani e nis vrullshëm 45-minutëshin e dytë dhe pas 100 sekondash Dunkoviç ka mundësi të zhbllokojë rezultatin. Të kuqtë janë më këmbëngulës dhe bëjnë gjithçka për të shkuar te goli, ndërsa Kukësi në pjesën e dytë sikur bie fizikisht. Lojtarët janë më shumë të përqendruar në mesin e fushës. Në minutën e 58-të vjen zëvendësimi i parë, ku sulmuesi Saçer i lë vendin Pliskës, i cili pozicionohet në majë të sulmit. Me kalimin e minutave Partizani vijon të ushtrojë presion, duke krijuar disa raste, por duket se fillimi i ri ka nisur me problematikën e vjetër. Partizani krijon volum të madh loje, por finalizimi i aksioneve mbetet çështje e pazgjidhur për momentin. Të dy trajnerët i bëjnë të gjitha ndërrimet e mundshme, mirëpo zëvendësimet nuk arrijnë të bëjnë diferencën. Ajo që vlen të përmendet është se në pjesën e dytë Kukësi nuk realizon asnjë gjuajtje në portën e Partizanit. Pjesa e dytë është më ritmike se e para, megjithatë ndeshja mbyllet me porta të paprekura dhe të dy ekipet ndajnë nga një pikë. Kësisoj, diferenca mes tyre mbetet e njëjtë. Kështu që shpërthimet e dy skuadrave, që kanë bërë ndërhyrje të shumta në merkato, pritet të vijnë në ndeshjen e radhës, ku Partizani ka derbin me Tiranën, ndërsa Kukësi pret në shtëpi Bylisin.

MË I MIRI
Rezultati i ndeshjes bëri që asnjë të mos dallonte dukshëm nga të tjerët, gjithsesi mesfushori Mentor Mazrekaj u duk në një ditë të mirë. Përveç shpërthimit në krahun e majtë, ai shpeshherë kthehej edhe prapa duke u bërë pjesë e fazës mbrojtëse. Paraqitje të mirë bëri edhe Dunkoviç. Ndërsa te Kukësi paraqitje të mirë bëri Shameti e Musolli.

MË PAK AKTIVI
Sulmuesit e Kukësit i patën të pastra shanset për shënim, por ata u nxituan, duke humbur gola të sigurt. Izuçuku dhe Boja patën rastin t’i jepnin Kukësit fitoren e parë për 2014-ën, por nuk arritën ta bënin dallimin. Shtatlarti Boja e nisi mirë ndeshjen dhe dha përshtypje për një sulmues potent, por ra shpejt fizikisht.

Hasan LikaLika s’kënaqet: Lamë dy pikë
Trajneri Hasan Lika ka mbetur i kënaqur nga loja që zhvilloi ekipi, kryesisht në pjesën e dytë, por jo nga rezultati, dhe për këtë fakt e ndien se të kuqtë dje kanë humbur dy pikë. Partizani kërkonte ta niste me fitore pjesën e dytë të sezonit, por barazimi është start jo i mirë, pasi mund të thellohet distanca me Skënderbeun. Sidoqoftë, trajneri ka besim në rikuperimin e pikëve me kreun, pasi kampionati është i gjatë. “Kemi humbur dy pikë mjaft të vlefshme, duke parë se si shkoi ndeshja. Mendoj se në tërësinë e 90 minutave, kemi qenë më superiorë se kundërshtari. Në pjesën e parë edhe mund të ishim ndëshkuar për shkak të gabimeve tona. Megjithatë skuadra, gjatë gjithë ecurisë së lojës, ka reaguar pozitivisht duke zhvilluar një ndeshje të mirë. Në pjesën e dytë kemi ushtruar një presion të vazhdueshëm, duke qenë edhe të kujdesshëm, pasi kundërshtari mund të na ndëshkonte me anë të kundërsulmit. Si ndeshje e parë që ka qenë, mund të them se kanë bërë një paraqitje pozitive. Megjithatë ata duan kohën e tyre që të përshtaten me ekipin, duke parë edhe problematikën që paraqesin ndeshje të tilla. Besoj se në të ardhmen do të shërbejnë edhe më shumë për skuadrën”, – u shpreh trajneri Hasan Lika.
Memelli – “Pa dyshim që ndikoi, pasi është një futbollist me vlera dhe që e njeh mirë portën kundërshtare. Gjithashtu është një lojtar që godet dhe merr përsipër. Dëmtimi i Memellit na sjell vështirësi, por shpresojmë që të riaftësohet dhe të jetë sa më shpejt në fushë”.
Objektivi i Partizanit – “Mbetet po ai që ka qenë gjatë gjithë historisë së kësaj skuadre. Ne do të kërkojmë të marrim maksimumin në kampionat, edhe pse tashmë do të jetë e vështirë, pasi skuadrat e dinë se kush është Partizani. Ndaj Kukësit kemi bërë një nisje të mirë me lojë, por jo me rezultat. Ishte një ndeshje nga e cila mund të kishim dalë me pikë të plota, por në disa raste prej gabimeve dhe në disa të tjera për meritë të portierit kundërshtar nuk ia dolëm. Sidoqoftë, kampionati është i gjatë dhe ne do të kërkojmë të marrim dhe të japim maksimumin”, – përfundoi Lika dje për mediat pas ndeshjes me Kukësin.

Shensoji“Partizani meriton vendin e parë, por me këtë gjykim”
Trajneri i Kukësit, Naxhi Shensoji, është i kënaqur me pikën ndaj Partizanit. Ai thotë se ekipi do të rritet shpejt dhe, sipas tij, gjykimi i djeshëm meriton bonus. Ja çfarë tha Shensoji pas ndeshjes: “Në këtë takim prisja fitoren, por morëm një pikë, megjithatë janë gjëra të pranueshme në ndeshjet e para, kjo edhe për faktin se po ndërtojmë një Kukës tjetër. Loja jonë në pjesën e parë u bë monotone, pasi kundërshtarët e kuptuan atë, me Popoviç e të tjerë. Në pjesën e parë ishim më mirë se kundërshtari; patëm raste shënimi me Izuçukun, Bojën dhe Cikalleshin, por nuk shënuam. Në pjesën e dytë Partizani ishte më mirë se ne. Loja nuk ishte e bukur, pasi qe më shumë taktike, sepse si unë dhe trajneri Lika e kishim ndërtuar me kujdes strategjinë. Për mendimin tim, lojtari më i mirë i ndeshjes Partizani- Kukësi ishte gjyqtari Lorenc Jemini me ndihmësit e tij. Futbolli shqiptar ka nevojë për gjykime të tilla, prandaj federata duhet t’u japë bonus gjyqtarëve të takimit. Pra, duhet t’i thyejmë paragjykimet për gjykimin shqiptar. Nëse nuk mundesh me marrë tri pikët, logjikisht kënaqesh edhe me barazimin, sepse edhe Partizani ka bërë investime të mëdha në merkato. Si për ne, edhe për të kuqtë do vijë koha që të harmonizojmë grupin, pasi të ardhurit kërkojnë kohën e tyre për t’u përshtatur. Kam besim se Izuçuku do t’i japë Kukësit një forcë tjetër dhe filozofi ndryshe nga më parë. Ndryshimet në organikë kanë ndodhur për faktin se kemi dashur ta dinamizojmë ekipin dhe lojën”.
Partizani – Partizani nuk meriton vendin e dytë, por të parin, me disa parakushte. Nëse Partizani merr vendin e parë me këtë lloj gjykimi si sot (dje), pa dyshim i jap dorën. Kam 5 milionë argumente që Partizani ka qenë i favorizuar nga gjykimi në pjesën e parë të kampionatit. Ndaj nesh Partizani nuk u favorizua, por kjo gjë që ndodhi sot, ka logjikën e vet se është ndeshje e parë”.

Ibrahimi humb Tiranën për herë të dytë
Kukësi po bëhet makth për mbrojtësin e Partizanit, Labinot Ibrahimi, pasi kartonët e verdhë të marrë si në fazën e parë, por edhe dje nuk e kanë lejuar të shijojë derbin. Ibrahimi u mundua shumë që ta shmangte dje ndëshkimin me karton të verdhë, që do të ishte i treti, pasi nuk donte ta humbiste sërish derbin me Tiranën. Por në minutën e 73-të kosovari e humbet durimin ndaj anësorit Doda, që i kërkoi të spostohej në gjuajtjen e një rivënie anësore. Ashtu si më 12 tetor, edhe më 7 shkurt Labinot Ibrahimi do ta shijojë derbin nga tribuna. Shkaku mbetet i njëjtë, plotësimi i numrit tre të kartonëve të verdhë.

Kërkesa e tifozëve të kuq: Fitoni në derbi!
Mbi 3 mijë tifozë të Partizanit ishin të pranishëm dje në “Qemal Stafa” për të parë takimin me Kukësin. Ndonëse dëshironin të shijonin fitoren e parë për 2014, mendja e ultrasve të kuq mbetet te derbi i 7 shkurtit me Tiranën. Gjatë ditëve të fundit, tifozët e Partizanit kanë shprehur shqetësimin e tyre, që e kanë bërë publik edhe në rrjetet sociale, pasi aludohet sikur “demat” do të tolerojnë në derbi, në mënyrë që të kontribuojnë në shpëtimin e Tiranës. Duke ditur këto fjalë të përhapura, nga filli deri në fund të ndeshjes së djeshme “Guerrilsat” kanë kërkuar që ekipi të fitojë në derbi, madje nuk kanë munguar edhe parullat e zakonshme ndaj rivalëve bardheblu. Pra, nga sa u pa dje, tifozët e kuq më shumë mendonin derbin se Kukësin.

Të kuqtë, nxemje me 4 trajnerë në fushë
Pragndeshja në stadiumin “Qemal Stafa” ka sjellë një risi te Partizani, por mbase edhe në futbollin tonë. Kur ekipi po bënte nxemjen në fushë, përveç futbollistëve të formacionit bazë, ndodheshin edhe katër trajnerë: Perlat Musta punonte me portierët, ndërsa përgatitësi atletik, Marcio Sampaio, dhe dy zv.trajnerët Klevis Dalipi e Gabriele Konsorti me të tjerët. Të katër trajnerët ishin të impenjuar me futbollistët, por më shumë punë kishte portugezi Sampaio. Përgatitësi atletik ishte gjithmonë i pranishëm me lojtarët që bënin nxemjen edhe në kohën kur ata po bëheshin gati të hynin si zëvendësues. Partizani në merkaton e janarit, përveç përforcimit të organikës me 9 futbollistë, ndërhyrje bëri edhe në stafin teknik duke afruar përgatitësin atletik Sampaio dhe zv.trajnerin italian Gabriele Sampaio.
ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"