Paraqitja fantastike ndaj Teutës, Dajsinani në gjurmët e Shehit dhe Koliçit: Kemi shumë potencial…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2020 | 14:23

Paraqitja fantastike ndaj Teutës, Dajsinani në gjurmët e Shehit dhe Koliçit: Kemi shumë potencial…

Skënderbeu nisi me pikë ndeshjen e parë të kampionatit, por mbi të gjitha gjeti edhe gardianin për sezonin e ri, e ndoshta edhe për të ardhmen. Nëse surprizë ishte paraqitja e korçarëve mes shumë ndryshimesh në Durrës, ajo që e la të mahnitur ishte siguria që Dajsinani i dha portës korçare.

Dajsinani

Pas largimit të Koliçit, bardhekuqtë nuk tentuan të afronin asnjë portier për të qenë titullar, kjo edhe për faktin se e kishin në ekip elementin që do t’i jepte sigurinë portës korçare. Pikërisht kështu ndodhi në ndeshjen me Teutën. Gjithsesi, Dajsinani kërkon të qëndrojë me këmbë në tokë, teksa thotë se ndodhet në Korçë për të bërë më të mirën e tij dhe të ndihmojë ekipin në objektivat sezonalë që ka pas një transformimi rrënjësor.

TRIUMFI ME TEUTËN

“Ka qenë vërtet një ndeshje me nivel dhe mund të them se kemi bërë mirë në të gjitha drejtimet. Nuk dua të marr merita personale, pasi një gjë e tillë nuk më pëlqen dhe nuk ndihem komod. Prandaj them se ne funksionuam mirë si grup dhe arritëm të merrnim 1 pikë për shkak se luajtëm të gjithë me shpirtin e garës dhe të sakrificës.

Kjo është rruga e duhur dhe duhet që të vazhdojmë kështu. Është vetëm ndeshja e parë dhe mund të them se nuk ishim në ditën më të mirë, por do ta shihni javë pas jave se çfarë është në gjendje të bëjë ky ekip. Kemi elementë cilësorë që do të tregojnë vlerat në këtë sezon.”- heksoi fillimisht Dajsinani.

GARANCIA

Pas një sezoni nën hijen e Koliçit këtë vit i është besuar roli i titullarit, por sërish portieri 21-vjeçar nuk e konsideron veten të paprekshëm te Skënderbeu. Gardiani tregon eksperiencën e fituar këto vite dhe flet për të ardhmen. “Këtë sezon te ne ka shumë konkurrencë dhe askush nuk është titullar i padiskutueshëm.

Një gjë të tillë e them me bindje, përtej modestisë. Unë kam pasur fatin që këto vite te Skënderbeu kam punuar me një profesor si Ilir Bozhiqi dhe tani me Erion Llapanjin që është shumë i angazhuar në punë. Nga ana tjetër kam mundur të mësoj shumë nga Shehi dhe Koliçi. Kjo më ka rritur e më ka bërë mjaft mirë. Te Skënderbeu jemi dy portierë dhe të dy mund të luajmë titullarë, kjo e bën më të bukur garën brenda ekipit.”- theksoi Dajsinani

VLLAZNIA

Ndeshja e radhës është në shtëpi përballë Vllaznisë dhe për portierin mbetet një tjetër ndeshje delikate. “Këtë sezon nuk e kemi luksin të nënvlerësojmë kundërshtarë pasi jemi një ekip i ri dhe normalisht që nuk e bëjmë dot një gjë të tillë. Jemi me këmbë në tokë se sezoni sapo ka filluar dhe ndeshja ndaj Teutës nuk tregoi asgjë.

Tani jemi këtu për të punuar vetëm për duelin me Vllazninë. Është një ekip që ka rritje nga një sezon më parë dhe tregoi që në fillim se nuk do të jetë një kundërshtar i thjeshtë. Për këtë përqendrimi duhet maksimal nga ana jonë.”- mbylli prononcimin e tij për gazetën, portieri i Skënderbeut Mario Dajsinani.

LLAZI SARO- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"