“Pandemia na rrënoi, ecnim në fushë pas 30 minutave”, Malota: Pa frikë me Besëlidhjen, shënojmë shpejt dhe shpëtojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 31, 2020 | 22:12

“Pandemia na rrënoi, ecnim në fushë pas 30 minutave”, Malota: Pa frikë me Besëlidhjen, shënojmë shpejt dhe shpëtojmë

Me mbylljen e se zonit, edhe Renato Malota ezauroi pezullimin. Mbrojtësi do të jetë në fushë në këtë ndeshje “play out”-i ndaj Besëlidhjes, duke dhënë më shumë garanci në prapavijë. E gjithë Shkodra i ka sytë te kjo finale dhe as që duan ta mendojnë, që fundi do të jetë i njëjtë si ai i dy viteve më parë. Për të larguar hijet e së shkuarës mendon pikërisht një lezhjan. Shtatlarti, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, thekson se pandemia i rrënoi, e megjithatë ata do ta fitojnë dhe do të shpëtojnë.renato malota

Pas 4 javësh pezullim, jeni gati të riktheheni për “play out”-in?

Normalisht që do të jem. Nuk mund ta humbas. Jam stërvitur rregullisht edhe në këtë periudhë që isha i dënuar. Unë do jem i gatshëm për të dhënë maksimumin ketë ndeshje.

A e mendonit që këtë vit do të diskutonit rënien në një ndeshje shtesë?

Të jem i sinqertë, nuk e mendoja kurrë që me këto kualitete dhe me atë ecuri të shkonim në “play out”. Periudha e pandemisë na kushtoi shumë dhe na penalizoi. Nëse thuajse të gjitha ekipet stërviteshin rregullisht, ne rrinim në shtëpi. Kjo ka qenë arsyeja se përse ne jemi në “play out” e jo në Kupat e Europës, aty ku duhet ta kishim vendin.

Vetëm mungesa e stërvitjes ju çoi në këtë pikë?

Jemi kthyer në stërvitje më 20 maj dhe kishim vetëm 2 javë kohë për t’u bërë gati për pjesën e mbetur të kampionatit. Ne nuk ishim gati, çka e treguam edhe në fushën e lojës. Në të gjitha ndeshjet pas minutës së 30-të ne ecnim në fushë dhe kjo nuk ishte për fajin tonë.Malota

Përballë do keni Besëlidhjen këtë të diel, ekipin e qytetit tuaj…

Nuk e mendoja kurrë që në fund të kampionatit të përfundonim këtu. Tani duhet të shohim realitetin, jemi në një finale të tillë dhe na duhet patjetër që të dalim me sukses dhe ta zgjidhim sa më shpejt ndeshjen.

Sa e vështirë do të jetë kjo përballje, ku gabimet praktikisht janë të ndaluara?

Për mua është një ndeshje si gjithë të tjerat. Normale që ka siklete, por jemi të kujdesshëm në të dyja fazat e lojës, në fund të jemi fitimtarë. Duke parë ekipin tonë, nuk mendoj që do ketë pjesë për frikë. Kemi ekip me kualitete dhe lojtarë me eksperiencë, kështu që frika s’do të ekzistojë te ne.

A i trembeni ndonjë surprize nga skuadra e Besëlidhjes?

Jo, aspak. Besëlidhja është ekip për t’u respektuar, pasi vitet e fundit ka bërë mirë në Kategorinë e Parë, por nga ana tjetër jemi një Vllazni që po rritet dita-ditës dhe me lëvizjet e fundit që po bëhen në klub, mendoj se shumë shpejt do kthehet edhe te trofetë.

Çfarë vlerësoni tek ajo skuadër?

Nuk është se i njoh shumë si ekip. Përderisa ato janë në finalen e ‘play out’-it janë ekip i mirë dhe duhen marrë seriozisht.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"