Panajot Pano i Europës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2014 | 22:16

Panajot Pano i Europës

Pano PanajotNga BESNIK DIZDARI
PANAJOT PANO I 17 NËNTORIT NË KUPËN E KAMPIONEVE TË EUROPËS
Në stinën 1965-’66 Shqipëria para qitet për herë të parë në Kupën e Kampioneve me 17 Nëntorin e Tiranës (SK Tirana) – kampionia e re që ndërroi rrjedhën epokale të PartizanDinamos në kreun e kampionatit shqiptar. Do ta ndajë vetëm 1 gol nga Kilmarnock e Skocisë: 0-0 në Tiranë dhe 0-1 në Kilmarnock, dy ndeshje të forta, por pa shkëlqimin e atyre të Partizanit.
Sidoqoftë, 8 shtatori 1965 i “Qemal Stafa”-s fikson ditën e shfaqjes për herë të parë në arenën e Europës të 17 Nëntorit të Tiranës, por dhe të vetë Myslym Allës. Ishin Mikel Janku, Fatmir Frashëri, Skender Halili, Gëzim Kasmi, Ali Mema, Nuri Bylyku, Niko Xhaçka, Pavllo Bukoviku, Luigj Bytyçi, Skender Hyka, Bahri Ishka, kur dihet se portieri Janku ishte i marrë hua nga Partizani!
Gjithçka në mjediset “kundërtiranase” të kryeqytetit shqiptar u kalua, si të thuash, me një lloj nënvleftësimi për këtë premierë të qetë të Sportklubit të vjetër; aq më tepër kur kujtohej mandej se skuadra skoceze ishte një kampione aksidentale në kampionatin e britanikëve (sot e kësaj dite ajo ka vetëm këtë titull të 1965-ës), ku dihej se Rangers dhe Celtic bënin ligjin.
17 Nëntori do t’i rikthehet Kupës së Kampioneve në stinën 1969-70 përballë kampiones së Belgjikës, me një skuadër mbretërore belge Standard i Liezhit me emrin kuptimplotë origjinal “Royal Standard Club Liegeois” dhe 1-1 i stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” – një përfundim më se i pranueshëm, kur mendon se në 11-shin belg kishte firma të mëdha si Piot, Thissen, apo dhe dy kombëtarasit e mirënjohur të Jugosllavisë, Galic dhe Takac. Dhe është një barazim, që shoqërohet me kritika të mëdha të shtypit dhe të administratës komuniste shqiptare, sidomos kur ke parasysh se humbja në Liezh kishte qenë e rëndë, 0-3! Kritika që nuk kanë aspak sens, por ndaj 17 Nëntorit që kishte ndalë sundimin e PartizanDinamos gjithmonë ato ishin çuditërisht të pamëshirshme. Ndonëse në ndeshjen e Liezhit, kampionia e Shqipërisë ka në njëmbëdhjetësh dy partizanas, Mikel Jankun dhe Panajot Panon, i cili në mënyrën më enigmatike nuk “lejohet” të luajë në ndeshjen e dytë në “Qemal Stafa”!
Ky është “rikthimi” i fundit i Panos te 17 Nëntori i tij i dikurshëm, një “rikthim” që gati fshihej, që nuk u komentua, dhe për të cilin thuajse askush nuk bzani. Ndërkaq, para kësaj pjesëmarrjeje, Shqipëria kishte bërë veprimin e saj të parë të tërheqjes nga Kupa e Europës, kur më 1967-ën ajo nuk kishte pranuar të luante me kampionen e Gjermanisë, Eintracht i Braunschweig- ut, çka sot e kësaj dite mbetet një mister i vërtetë. Ngjarja ka të bëjë me Dinamon e Tiranës, kampionen artificiale të vitit 1967, e cila u shpall e tillë pa pikë merite, por vetëm për shkak të përjashtimit të pashembullt prej kampionatit kombëtar të 17 Nëntorit e Partizanit disa javë para mbarimit të tij! Askush nuk e ka shpjeguar përsenë e kësaj tërheqjeje, por nën zë u tha se qarqe të caktuara “keqdashëse” për Shqipërinë Socialiste në Europë, po studionin mundësinë e mospranimit të mëpastajmë të Dinamos, sepse ajo ishte një kampione e papranueshme për kancelaritë europiane të futbollit, përderisa ishte paracaktuar si e tillë me një vendim të paprecedent tryeze në historinë e futbollit botëror: përjashtim nga kampionati i kampiones së siguruar 17 Nëntori, për gjoja një rrahje të futbollistëve të saj me ata të rivales Partizani pak javë para mbarimit të kampionatit!
Kështu, klima e futbollit dukej disi e ndezur, sa dhe ajo politike, teksa pasonte në vitin fatthënë 1968, kur Shqipëria Komuniste nis e ndien një sulm të mundshëm nga Bashkimi Sovjetik mbas pushtimit të Çekosllovakisë dhe kur tash edhe zyrtarisht ajo bënte dhe tërheqjen e saj nga Traktati i Varshavës. Dhe është e çuditshme se si pikërisht në këtë periudhë, gjeopolitika e futbollit shqiptar prodhon dy ngjarjet, ndër më të mëdhatë të historisë së tij të klubeve në Kupat e Europës…
1-0 , PARTIZANI – TORINO E ITALISË, KAMPIONE E EUROPËS
Sensacioni i parë i përket 18 shtatorit 1968 me vendngjarje stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” të Tiranës. Kupa e Kupave të Europës. Partizani-Torino e Italisë 1-0! Kjo është fitorja e parë e madhe e futbollit të Shqipërisë në një garë europiane. Kësisoj, edhe fitorja e parë e Shqipërisë kundër një skuadre perëndimore në ndeshjet e Kupave të Europës, e për nderin e futbollit tonë, ajo është fitore ndaj një prej skuadrave më të lavdishme të vetë Europës, siç ishte Torino legjendar, në vitet ’40, i shuar prej katastrofës së Superga-s – deri asokohe 6 herë kampion i Italisë (1928, 1943, 1946, 1947, 1948, 1949) dhe 3 herë fitues i Kupës Kombëtare (1936, 1943, 1968).
Torino 1968 përbën ndërkaq ndeshjen e parë të Shqipërisë në Kupën e Kupave të Europës. Ajo ishte fituesja e Kupës së Italisë dhe lojtarët e Kombëtares së Italisë, Vieri, Puia, Poletti, Agropi, sidomos kampioni i Europës, Ferrini, si dhe francezi i mirënjohur Nestor Combin i Kombëtares së Francës – përbënin një gjashtëshe të një kalibri që sillte në Kupën e Kupave një Torino të fortë, për më tepër përfaqësuese e një vendi si Italia, e cila vetëm 3 muaj më parë, saktësisht më 10 qershor 1968, mbas dy finaleve dramatike 1-1 dhe 2-0 me Jugosllavinë e Dragan Xhaiçit, ishte shpallur kampione e Europës.
Ndeshja e rrallë e Tiranës merr jetë në një situatë dramatike të vetë Shqipërisë Komuniste, e cila ishte hedhur tashmâ me vrull në krahët e Kinës së Mao Ce Dunit. Vetëm pak ditë më parë Kuvendi Popullor kishte denoncuar pushtimin sovjetik të Çekosllovakisë dhe zyrtarisht kishte marrë vendimin për daljen nga Traktati i Varshavës, me të cilin e pakta prej 6 vitesh nuk kishte asnjë marrëdhënie. Mjedisi shqiptar ishte ndërkohë tejet i politizuar, disi dramatik dhe i frikshëm, sidomos për qeverinë komuniste, tek e cila sulmi i Bashkimit Sovjetik ndaj Çekosllovakisë kishte krijuar një pasiguri të plotë. Edhe gazeta “Sporti popullor” është e mbushur numër për numër me shkëmbime telegramesh me Mao Ce Dunin dhe Çu En Lain, me takime të zjarrta kinezo-shqiptare, me ditirambe për Kinën Popullore, me krijim brigadash ushtarake studentore, me përgatitje për parada ushtarake natën para Hotel Dajtit. Madje kjo, duke krijuar një shqetësim të çuditshëm edhe për gjithë trupën torineze që ishte “ankoruar” në të vetmin hotel të pranueshëm të Tiranës, “Dajtin” e arkitekturës musoliniane të ndërtuar nga vetë italianët në fillim të viteve ’40. Mû ai “Dajt” pranë të cilit kur kalon sot më 2014 ndien trishtim me braktisjen kundërqytetare, kundërcivile, kundërtradicionale, kundërhistorike që i është bërë!
“Kujtova se nisi lufta, por të nesërmen kam përjetuar një ndeshje të frikshme, kam shijuar një “libero” të rangut europian (Spiro Gjika), një kapiten stoik (Lin Shllaku) dhe një organizim të përsosur në mesfushë (Sabah Bizi – Ramazan Ragami)”.
Kështu do të shkruante një gazetar i vjetër italian mbas ndeshjes, duke i dhënë edhe ai jo pak ngjyra “lufte” mjedisit të rënduar shqiptar. Ndërsa tash së fundi zbuloi se një koleg i tij ka bërë këtë tjetër përcaktim: “Kam pa një futbollist të jashtëzakonshëm me emrin Panajot Pano, i cili humbi raste që as një fillestar nuk mund t’i humbiste”. Ndodh edhe kësisoj, edhe me më të mëdhenjtë.
Në orën 15:30 të 18 shtatorit 1968, rreth 30.000 shikues, siç u njoftua se ishin, Partizani nis dhe interpreton mrekullinë e tij, atë që së voni e kam pas përcaktuar si “perla” e futbollit shqiptar. Ngjyrat e kuqe të fanellave të Torinos e detyrojnë skuadrën me emrin luftarak “Partizani”, që të zbresë në fushë me kostumin e bardhë – në të vërtetë ai ishte kostumi rezervë i Kombëtares së Shqipërisë, çka vërtetohet edhe nga stema e Republikës e mbajtur jashtë çdo protokolli mbi fanellë! Edhe ky fakt “i rastësishëm” “nacionalkomunist”, të duket se hynte në gjeopolitikën e futbollit shqiptar ’68.
“Futbollistët tanë luajtën me patriotizëm, vendosmëri dhe shpirt luftarak”, – është titulli i shtypit shqiptar, i politizuar deri në skaj, sikur të ishte fjala për një luftë, jo për një ndeshje. Askush dhe asgjë nuk mund t’i shpëtonte stilit të situatës “luftarake” shqiptare që përjetonte i gjithë vendi në pritje të një sulmi të mundshëm sovjetik, çka gjithsesi dukej që ishte një utopi. Shqipërinë e kishin harruar. Do ta kujtonte tejet kjo ndeshje në mënyrën e vet sportive. Dhe jashtë këtij konteksti politik, Partizani i Shqipërisë ka zhvilluar ndeshjen e paharrueshme të vlerave të larta thjesht teknike. E luajtur në sulm të vazhdueshëm, të një shpejtësie shpesh të papërmbajtshme, plot gjuajtje e raste që do të çonin te goli historik i Pëllumb Shaqirit në minutën e 46-të, fituesja e Kupës së Shqipërisë pikërisht në pjesën e dytë ka treguar pjekurinë taktike të një skuadre europiane. Edmondo Fabri, më parë trajner i Kombëtares italiane, pohonte pa mëdyshje: “Ne erdhëm në Shqipëri plot shpresa se do të ktheheshim në vendin tonë me fitore. Kjo bindje u trondit nga zhvillimi i ndeshjes dhe kur vendësit kaluan në epërsi, e kuptova se jo vetëm që s’mund të fitonim, por as për barazim s’bëhej dot më fjalë… Më ka pëlqyer e gjithë skuadra. Luajti me ritëm, na imponoi vullnetin e saj dhe diti të fitonte”.
Partizani i kërkon dy lojtarë Vllaznisë për ndihmë, Bizin dhe Ragamin, duke vënë syrin te ylli i saj më i ri, siç ishte 20-vjeçari Sabah Bizi, të cilin mbasi e kërkon vetëm për ndeshjet me Torinon, me prepotencë gjeneralësh, nuk ia kthen më. E shfrytëzoj këtë rast për të veçuar 20-vjeçarin Sabah Bizi – universali modern më i madh i futbollit shqiptar, siç e kam përcaktuar me kohë. Një vit më parë, së bashku me Panon kishte qenë në interpretues 19-vjeçar, një befasi e plotë në 0-0 me Gjermaninë. Dhe për hir të kujtese disi retorike. E pra, a e kemi nderuar këtë njeri sa duhet, i cili ashtu si Lushta i viteve ’30-’40, si Boriçi i viteve ’40-’50, si Resmja i viteve ’50-’60, si Pano i viteve ’50-’60-’70, ky Biz i viteve ’60-’70-’80 qe paraprijës i një futbolli modern në Shqipëri? Titujt e lartë të shtetit, nderimet e mëdha, përkujdesja, pensionet e rangut të lartë, kujtesa që i takon, vërtet a ia ka blatuar Shkodra e Shqipëria e tij, së cilës ai i dha vite të rralla të karrierës së tij tejet të pasur? E ndoshta jo vetëm atij!…
Kthehemi te Torino. Partizani përforcohet ndërkaq edhe me Teodor Vason e shkëlqyer të Skënderbeut dhe në fushën e blertë derdhet një 11-sh thuajse i pagabueshëm, në harmoni të plotë, ku gjejmë plot 8 futbollistë kombëtaras: M.Janku, M.Gjika, T.Vaso, R.Ragami, L.Shllaku, Bizi, Pano, Jashari.
Ky ishte Partizani i trajnerit Refik Resmja, i cili, mbasi kishte lënë mbrapa karrierën e tij të bujshme si futbollist, regjistronte në historinë e tij këtë kujtim madhështor të futbollit si trajner me këtë fitore përtej historisë, përballë mbajtëses së Kupës së Italisë – kampione e freskët e Europës! (Humbja 1-3 e Partizanit në ndeshjen e kthimit në Torino, tash me bashkëtrajner edhe Loro Boriçin, më 2 tetor 1968, ka pasur dramaticitetin e saj dhe Partizani e ka lënë “Stadio Comunale” të Torinos me kryet lart). E ndërkaq dhe skeda jonë historike:
18 shtator 1968, stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”
PARTIZANI – TORINO 1-0
PARTIZANI: M.Janku, M.Gjika, S.Gjika, T.Vaso, R.Ragami, Shllaku, Bajko, Shaqiri, Bizi, Pano, Jashari (Çiraku 46′). TRAJNER: Refik Resmja.
TORINO: Vieri, Poletti, Fossati, Puia, Cereser, Bolchi, Carelli (Mondonico 30′), Ferrini, Baisi, Moschino, Facchin (Corni 56′). TRAJNER: Edmondo Fabbri.
GOLAT: Shaqiri 46′.
GJYQTARE: M.Gugulovic (Jugosllavi).
SHIKUES: 30.000.
Çfarë të kujtojnë këta emra? Të kujtojnë se Vieri, Poletti, Puia, Bolchi dhe Ferrini, plot pesë torinezë kanë qenë edhe të Kombëtares së Italisë. Dhe përsëri pyes si në një retiçencë: a kemi sot një klub që mund të fitojë me një skuadër italiane, e cila të ketë në 11-sh pesë kombëtaras të Italisë?…
Dhe Panajot Pano, i cili humb dy metra larg me portën e boshatisur, i cili kërkon kohë të qetësohet prej atij çasti të rastit fatal. Sillet, kthehet, sulmon, vërshon, kërkon golin, por vetëm kaq. Shënon Shaqiri, por Torino e ka mendjen te Panajot Pano, i cili edhe kështu mbetet po protagonist.
Partizani në katër edicione të pjesëmarrjes së tij në Europë, barazon dy herë dhe fiton dy herë. Është një europian i vërtetë, edhe pse në eliminime, që duket sheshit se janë dramatike, përballë klubeve të elitës së futbollit europian…
KUALIFIKIMI I PARË: PARTIZANI – ADBIDABERG I SUEDISË!
Dhe nuk mbaron këtu. Duhej të kalonin dy vjet… 17 Nëntori – Ajax e Amsterdamit 2-2 është perla e dytë e kësaj historie që daton më 16 shtator 1970, po në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Dhe është për Kupën e Kampioneve. Nuk i përket Panajot Panos, doemos. Por ngjarja si pjesë e atij shtatori 1970, ku Pano dhe shokët e tij do të kishin ngjarjen e tyre të madhe, ia vlen të citohet në “romanin” tonë.
Për çudi, ajo është një ngjarje e bujshme që përjetohet në fund të ciklit të tejet të pasur të 17 Nëntorit, i cili te titulli i kampionit të Shqipërisë do të mund të kthehej vetëm mbas 12 vjetëve, më 1982! Dhe ndeshja që nuk i shpëton assesi politikës e gjeopolitikës së bashku, të mbylljes së Shqipërisë diktatoriale. Do të citoj këtu vetëm një pasazh nga trajtesa historike e kohëve të fundit, e autorit Erik Brouwer, i cili shkruan:
“… Ajax i Amsterdamit do të kishte probleme të llojllojshme në shtatorin e vitit 1970 për të hyrë në këtë vend, për të zhvilluar ndeshjen e shkuarjes së Kupës së Kampioneve kundër skuadrës 17 Nëntori i Tiranës. Vetëm mbas traktativave me UEFA-n u arrit në një ‘modus vivendi’: u pranua t’iu jepet viza vetëm me kusht që lojtarët e Ajax-it të mos shëtisnin fort rrugëve të Tiranës dhe të mos nxisnin biseda me qytetarët. Tri herë kampionët e ardhshëm kontinentalë do të deklaronin me hidhërim, faktin se kundërshtarët e tyre refuzonin të bisedonin me ta. Por këta të huaj flokëgjatë dhe mjekroshë, nuk e dinin se stadiumi ishte i mbushur me agjentë të policisë sekrete…”
Kur ka mbaruar ndeshja, me cilësinë e gazetarit të së përditshmes “Bashkimi” të Tiranës, kam hyrë në dhomën-gardërobë të Ajax-it. Dhe kam gjetur trajnerin Rinus Michels, duke thirrur fort drejt lojtarëve të tij me një nervozizëm të pashoq. Në të vërtetë, barazimi për ta, mbas kryesimit 2- 0, nuk justifikohej. Ata heshtnin, ndërsa Michels thërriste! Kërkova të intervistoj pikërisht Michels- in. Nuk pranoi, madje shfaqi pakënaqësinë që gazetarë shqiptarë kishin guxuar të hynin aty. Stepje! Dhe papritmas ndërhyn dhe kapiteni i Ajax-it, jugosllavi i madh i paharrueshmi Velibor Vasovic. Ky vuri buzën në gaz, iu shkëput të thirrurave të Michelsit dhe na u afrua pranë krejt i gatshëm për intervistë, duke shpëtuar dhe incidentin me trajnerin.
Ndeshja madhështore e Tiranës, në të vërtetë ka rrokullisjen e vet. E pata përshkruar jo pak për atë kohë në gazetën “Bashkimi” të 17 shtatorit 1970, doemos stili i reportazheve tonë të 35 vjetëve më parë nën gazetarinë e Regjimit, një shkrim që bëri një bujë te lexuesit, po në të cilin sot unë nuk shoh asgjë të veçantë për të bërë bujë. Kryeredaktori i paharrueshëm Niko Nishku, një vlerësues i madh i temave sportive, më kishte lënë hapësirën e tri kolonave në faqen e katërt, natyrisht nën një titull burokratik “17 Nëntori i Tiranës – Ajaks i Amsterdamit 2-2 (0-1)”. Por më parë, më 2 shtator 1970, si për të dashtë të zgjerohet më tej kjo gjeopolitikë e çuditshme shqiptare në futbollin e klubeve, kishte ndodhur kualifikimi i parë i Shqipërisë në Kupat e Europës.
E vërteta është se para këtij 2 shtatori kemi një datë tjetër, kur Partizani i Panajot Panos shkon dhe barazon 1-1 në Advidaberg në ndeshjen e parë midis këtyre skuadrave. Interesante është se ky barazim, i cili për vetë modestinë e futbollit shqiptar duhej të krijonte jo eufori, por të paktën një lloj buje, është kaluar si në qetësi. Deri aty sa të dukej se ende pse ishte një barazim i jashtë fushës, pakkush shpresonte për kualifikimin e Partizanit. Por, ai do të mbërrinte në pamjen e kësaj ndeshje po aq të jashtëzakonshme:
2 shtator 1970, stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”.
PARTIZANI – ATVIDABERG I SUEDISË 2-0
PARTIZANI: Muhedini, Seferi, Berisha, Ziu, Cani, Shllaku, Balluku (Thaka), R.Ragami, Bizi, Pano, A.Janku. TRAJNER: L.Boriçi.
ATVIDABERG: Blomberg, Olson, Karlson, Anderson, Gustavson, Augustson (Franzen), L.Anderson, Ljungberg, Vallinder, Eklund, Sandberg (Johanson). TRAJNER: B.Gustavson.
GOLAT: Pano 15′, R.Ragami 44′.
GJYQTAR: Babadzan (Turqi).
Është kualifikimi i parë i një klubi shqiptar në Kupat e Europës, në këtë rast në Kupën e Kupave. Dhe me nivelin e lartë të një Partizani nën drejtimin e shkëlqyer të trajnerit Loro Boriçi, i cili do të mbyllte pikërisht në këtë 1970, pjesën tjetër të karrierës së tij të rrallë për një trajner shqiptar, atë të klubeve në Kupat e Europës: Norköping i Suedisë, Köln i Gjermanisë, Torino i Italisë (së bashku me Resmen), Spartak i Bullgarisë dhe më së fundi vepra e parë e një suksesi europian: kualifikimin e parë të një klubi shqiptar në Europë. Dhe me fituesen e kupës së një vendi që kishte mbërritur deri në nënkampion i botës: Suedia! Ndonëse Atvidabergu nuk ishte Ajax-i. Ndërkaq, vetëm pak ditë më mbas Boriçi e bën Partizanin kampion të Ballkanit, i vetmi rast sot e kësaj dite për ne. Kishte formuar një skuadër të mrekullueshme, një kombinim i shkëlqyer Shllaku-Bizi-Pano (R.Ragami huazohej nga Vllaznia), çka e bënte boshtin e skuadrës tejet të fuqishëm, në një kohë që shtatlartësia e treshes Berisha-Ziu-Cani nuk ishte parë kurrë në një mbrojtje shqiptare që gjente një përkryerje më tepër te shpërthimet e krahëve të sulmit Vladimir Balluku e Agim Janku.
Dhe në krye Panajot Pano, “shpirti i sulmit”, siç e përcakton shtypi, kur kujton ndërkaq, golin e tij të parë, një kryevepër force dhe teknike mbas një gjuajtje nga 20 metra larg. Trajneri suedez nuk ka mëdyshje, kur mbas lojës thotë: “Po, po, nuk kam asnjë dyshim, është Pano më i miri”. Është mû ky 1970, viti kur befasisht na shfaqet një Pano tjetër. Është një Pano 32-vjeçar kur tashmâ, ai është kthyer disi mbrapa, teksa lëshon topa për të tjerët dhe vetë shpërthen në të rrallë si dikur, por tash nga thellësitë e mesfushës. Nuk ka studime për futbollin shqiptar dhe nuk mund të them se dikush e ka përimtuar teknikisht në imtësi këtë Panajot befasues mbi 30-vjeçar, i cili, e them me plot bindje, se në vitet 1970, 1971, 1972 më shumë se sulmues, është një mesfushor sulmues. Jo organizator, por zotërues i korridoreve të ngushta për të dhënë topa për të tjerët. I tillë, i këtij stili ai ka qenë në dy ndeshje të tjera të Kombëtares, më 1971 në Tiranë: atë 0-1 me Gjermaninë e Beckenbauer-it dhe 3-0 kundër Turqisë së Metinit. Kanë qenë dy ndër ndeshjet më moderne, më nderuese, për Panajot Panon e shokët e tij, për krejt historinë e futbollit shqiptar. Por jemi te viti fatmadh 1970 i futbollit shqiptar të klubeve, ndonëse gjithçka mbyllet me eliminim e papritur të Partizanit me Wacker të Isnbrukut në turin e parë, mbas humbjes shpresëdhënëse 2-3 në Insbruk, që pasohet nga 1-2-shi i Tiranës, çka për pak sa nuk shkaktoi kryqëzimin e trajnerit Loro Boriçi! Megjithatë nuk ka pasur futbolli shqiptar për Kupat e Europës dy humbje më “të bukura” se këto për kah dramat e një futbolli sulmues të drejtuar edhe prej Panajot Panos.
THJESHTËSIA DHE E VËRTETA – MË MADHËSHTORE SE LEGJENDA DHE MITI
Dhe papritmas ndërprerja e pamëshirshme. Kjo do të ishte “arma” gjeopolitike më e dashur e Regjimit. Në kancelaritë e Komitetit Qendror të Partisë, gradualisht po binte edhe hija e një izolimi sportiv. Merrej me mend se Federata Shqiptare e Futbollit së cilës edhe emri i përmendej rrallë, tejet rrallë, (njihej më tepër si “sektori i futbollit”), asesi nuk mund të kishte iniciativën përmbi zyrat e ndërtesës së gurtë, të kuqërremtë “sovjetike” të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Viktima e parë do të bëhej Vllaznia e Shkodrës (1971) dhe me të gjeopolitika e Shqipërisë me klubet në Europë, do të prodhonte një izolim të pakrahasim. Të dukej se në këtë çast trishtues po e mbyllte Europën edhe Panajot Pano.
Dhe këtu po e mbyllin ne këtë “libër” tonin të quajtur “roman” (13 kapituj të gjatë), i cili ndoshta një ditë sheh dritën e botimit. Është një “libër” me protagonist Panajot Pano – shqiptari i Europës, së cilës natyrisht, kurrë nuk ia mori atë çka përmbante arti i tij futbollistik. Sepse ishte futbollist europian i një shteti të vogël, i cili jo rrallë nuk nguronte të dënonte edhe futbollin e tij, t’ia ndërpriste pa mëshirë dukjen në Europë, qoftë me Kombëtaren, qoftë me klubet. Po të mos qe vepruar kështu, pa këto izolime të papranueshme, mund të kishim pasur një Panajot edhe më të plotë, teksa ashtu si dhe talenteve të tjerë iu lanë bosh shumë vite ndërkombëtarë… E megjithatë, ai ishte një Panajot i Europës. UEFA e ka shpallur futbollistin e shekullit për Shqipërinë. Për të mbetur kësisoj, përjetë, sa i Shqipërisë, po aq edhe i Europës. Një herë për të kam përcaktuar: “Kur thjeshtësia dhe e vërteta janë më madhështore se legjenda dhe miti!”.
Panajot Pano, e thënë pa emfazë, qe personifikim i gjithë këtyre. Ai është një qytetar i madh i sportit dhe futbollit kombëtar, të cilin ne, gazetarët vjetër, e patëm bashkudhëtar protagonist të pendës sonë përmbi 50 vjet me radhë. Shkruam për të edhe kur luajti, edhe kur nuk luajti, edhe kur tronditi stadiumet shqiptare, po dhe të tjerë. Edhe kur humbi, edhe kur fitoi. Edhe kur e adhuruan në fillim tiranasit, e mandej edhe partizanasit, e gjithmonë gjithë shqiptarët. Edhe kur e respektuan fort të huajt. Në fillim me klubin e mandej edhe me Kombëtaren. Këtu dhe në Europë. Po kaq edhe kur në thonjëza e “mallkuan” tifozët e skuadrës “kundërshtare”, edhe kur ëndërruan ta kenë të tyrin gjithë trajnerët e Shqipërisë. Edhe kur ai i çlodhi, i dëfreu dhe iu blatoi kënaqësi shpirtërore shqiptarëve përmbi 18 vjet me radhë, në kohëra të vështira, kur kënaqësi asisoj kishte aq me pakicë në atë Shqipëri të drobitur skajesh.
Ky ishte Pano, njeriu i cili mbeti një gëzim kombëtar edhe kur u largua nga fusha e futbollit, edhe kur ia arriti asaj që si pakkush ta përcillte fanellën e tij të Kombëtares te i biri Ledio. Edhe kur u shndërrua në një qytetar i thjeshtë, pa peshën e lavdisë së shkuar, që sidomos në Shqipëri përherë harrohet shpejt.
Panajot Pano qe personazhi ynë i përhershëm. Edhe kur papritmas u bë Nderi i Kombit. Shkruam për të deri në çastin e tij të fundit, e paksa edhe përtej 70-vjetorit të tij të paharrueshëm…
20 vjet të shkuara, janar 1995, me cilësinë e kryeredaktorit të “Sportit Shqiptar” kam proklamuar Panajot Panon si “futbollistin e shekullit” për Shqipërinë, përmes botimit të këtij portretizimi:
“Padyshim sulmuesi më i madh shqiptar! Një tjetër legjendë e tij, talent i fuqishëm i kalibrit europian, lojtar i Sportklub Tiranës dhe i Partizanit. Për 18 vjet me radhë nga 18 deri 35 vjeç, Pano ka sunduar stadiumet shqiptare pa futbollin e të cilit nuk mund të flitet për asnjë ngjarje të madhe. 24 herë me Kombëtaren, 4 herë kampion i vendit, medalje e argjend e Hanoit, protagonisti i pakrahasueshëm i 0-0 me Gjermaninë, kampion i Ballkanit më 1970, kapiteni autoritar i Kombëtares dhe i Partizanit, njeriu që përkuli një Shulc e një Shnelinger, Panajot Pano personifikon vetë futbollin shqiptar të pasluftës. Futbollist i emocioneve dhe përmasave të mëdha, sulmues i papërmbajtshëm falë sprintit të tij të fuqishëm, të menjëhershëm, goditjes së befasishme të një force e saktësie tmerruese në kuptimin e një efikasiteti të rrallë, Pano është krijuesi i një futbolli që për kah intensiteti realizues nuk ishte pa në Shqipëri para tij. Ai ishte gjithnjë tronditës dhe goditjet e tij nuk mund të parashikoheshin. Qendërsulmues i avancuar përtej, po dhe i kthyer mbrapa, sulmues i krahut të majtë, por kur e desh nevoja edhe i djathtë, në vitet e fundit i shndërruar në organizator sulmi për të tjerët, kur u nda nga futbolli ai la mbas tregime të paharrueshme, histori që sot e kësaj dite mbajnë gjallë vetë vazhdimësinë e futbollit shqiptar. Të gjitha këto cilësi të rralla, origjinale, të një stili autentik që ka hyrë në histori si “stili i Panos”, e vunë këtë mjeshtër të madh në vendin e parë të anketës sonë. Ia trashëgoi futbollin të birit, duke u bërë i dyti rast mbas Vilës, babë e bir të cilët veshën panellën e Kombëtares”.
Të gjitha këto Panajot Pano përherë i ka pritë me buzëqeshjen e tij karakteristike të një thjeshtësie emblematike, me një natyrshmëri që e pati si të një kulture universitare, pa qenë kurrë njëherë universitar, çka ai e kishte të lindur prej artit të futbollit, prej të cilit ai pati diplomën e Profesorit të atij katërkëndëshi magjik që është fusha e blertë.
Këtu mbyllet synimi i këtij tregimi që blaton ndjenjat tona të gazetarisë së vjetër në nderim të historisë së Panajot Panos, duke i qëndruar besnik asaj që kam treguar në të gjallë të tij. Për të lënë kështu mënjanë legjendën dhe mitin, për t’iu shmangur dy mashtruesve të mëdhenj që, siç thotë Kiplingu, janë triumfi dhe rënia. Me synimin për të qëndruar në thjeshtësinë, në vërtetësinë e jetës së këtij sportisti të madh shqiptar, popullor dhe kombëtar, i cili kur në një ditë të vitit 1957 papritmas u duk në stadiumet shqiptare si një 18-vjeçar i panjohur, ende i brishtë, thuajse si një fëmijë naiv, rrufeshëm u shndërrua në një kolos i cili ndërroi rrjedhën e ecurisë së sportit tonë nobël. Duke e shndërruar thuajse në mënyrë të rrufeshme emrin e tij në vetë thirrjen e futbollit shqiptar për gati 20 vjet.
Ky ishte Panajot Pano i Shqipërisë dhe i Europës!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"